“Humbëm dy pikë në derbi”. Canka i del në mbrojte Lërusë dhe jep recetën e ringritjes së Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 17:17

“Humbëm dy pikë në derbi”. Canka i del në mbrojte Lërusë dhe jep recetën e ringritjes së Lushnjës

Lushnja humbi mundësinë për të triumfuar në derbi ndaj Apolonisë, takim i cili u luajt në “Roza Haxhiu” dhe përfundoi në shifrat 1-1. Në “frymën e fundit” verdhejeshilët shpërdoruan një mundësi të pastër për të fituar, pasi francezi Metjë Lëru humbi një 11-metërsh.

canka

Pas barazimit në derbin me Apoloninë, lushnjarët nisën përgatitjet në kuadrin e ndeshjes së radhës me Flamurtarin. Skuadra e drejtuar nga trajneri Magani ndodhet në vendin e tetë të klasifikimit, ndaj dhe përqendrimi në këtë javë stërvitore është maksimal. Verdhejeshilët bënë një paraqitje të mirë përballë fierakëve, por u penalizuan nga rastet e shumta të humbura, përfshi dhe një penallti në kohën shtesë.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, kapiteni i Lushnjës Mikel Canka u shpreh: “Humbëm dy pikë në derbin me Apoloninë, të cilat i meritonim plotësisht. Lojtarët zhvilluan një ndeshje me zemër. E dominuam ndeshjen për 90 minuta dhe më vjen shumë keq që nuk fituam. Skuadra prodhoi lojë dhe krijoi shumë raste. Na mungoi pasi i fundit, humbën shumë mundësi shënimi.

Dihet rëndësia dhe ngarkesa e një ndeshje derbi. Bëmë një ndeshje të bukur, por duke luajtur mirë, rezultatet do të vijnë. Nuk duhet shpërdoruar shumë, gjithsesi duhet të mendojmë për ndeshjen me Flamurtarin. E rëndësishme për ekipin është që të përgatitemi mirë dhe të luajmë mirë, të japim maksimumin dhe të shfrytëzojmë mundësitë tona”. Kapiteni Mikel Canka ka komentuar në rrjetet sociale edhe për penalltinë e humbur, ku i ka dalë në mbrojtje mesfushorit Metjë Lëru, i cili kërkoi falje publike për rastin e shpërdoruar.

“Lëru është një lojtar punëtor dhe një nga më të mirët në ekip, i cili me paraqitjet e tija na ka ndihmuar shumë. Kampion, sfida më të vështira na presin përpara. Mbaje kokën lart dhe jep maksimumin siç e ke dhënë gjithmonë”. Ky është komenti që kapiteni Canka ka lënë te lajmi që kishte të bënte me faljen e kërkuar nga mesfushori francez. Për sfidën me vlonjatët do të rikthehet mesfushori Henri Sulovari pas skualifikimit, ndërkohë mbrojtësit Roland Disha dhe Ylber Muça vijojnë të jenë të dëmtuar.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"