Hënes lëshon alarmin: Pas Koronavirusit na pret një botë e re futbolli, nuk do kemi më…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2020 | 0:17

Hënes lëshon alarmin: Pas Koronavirusit na pret një botë e re futbolli, nuk do kemi më…

Pandemia e Koronavirusit do të ndryshojë futbollin. Për këtë Uli Hënes është i sigurt. Në një intervistë telefonike për revistën “Kicker”, ish-presidenti i Bajernit të Mynihut parashikon që krizës financiare të mos i shpëtojë as ky sport.

HENES

“Nuk mund ta japësh me firmë, por unë nuk mund të imagjinoj më transferime 100 milionë euroshe në të ardhmen e afërt. Shifrat e transferimeve do të ulen dhe këto numra nuk do të jenë në gjendje për të mbërrijnë në nivelin e mëparshëm në dy apo tre vitet e ardhshme.

Dhe me shumë mundësi do të kemi një botë të re futbolli”. Megjithatë, ish-kreu i kampionëve të Gjermanisë nuk shikon një kërcënim për krizë financiare në Bundesligë, të paktën në një hark kohor afatshkurtër. Edhe sikur pjesa e mbetur e ndeshjeve të kampionatit të luhen me dyer të mbyllura, kjo sërish do të garantonte shpërndarjen e të ardhurave të të drejtës televizive.

Megjithatë, ai paralajmëron se nëse kjo situatë do të vazhdonte deri në Krishtlindje, atëherë me shumë mundësi do të kërcënohej i gjithë kampionati. Por Hënes thotë se nuk dihet se kur kjo krizë do të përfundojë dhe atyre që guxojnë ta bëjnë u lëshon një shigjetë: “Të gjithë ata që bëjnë parashikime për një nisje të mundshme të kampionatit janë sharlatanë”.

ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"