Haxhiu: Mezanin e kam mik, por sot i marr pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2016 | 10:30

Haxhiu: Mezanin e kam mik, por sot i marr pikë

Përballja ndaj Flamurtarit është e veçantë për trajnerin e Korabit, Gerd Haxhiu, i cili do të jetë përballë ekipit të qytetit të tij. Megjithatë, në një intervistë për “Panorama Sport”, Haxhiu ka deklaruar se synon t’u marrë pikë vlonjatëve, të cilat janë të domosdoshme në garën për mbijetesë. Skuadra dje është grumbulluar në Elbasan dhe sot do të niset drejt Peqinit për të luajtur takimin e fundit për këtë vit kalendarik.

Gerd Haxhiu

Si ndihet Haxhiu para sfidës me ekipin e qytetit të tij?

Shumë i emocionuar, megjithëse nuk është hera e parë që unë përballem si kundërshtar me Flamurtarin. Kam qenë kundërshtar edhe me Besën, edhe me Skënderbeun dhe të gjitha përballjet kundër Flamurtarit janë të veçanta.

Do të donit t’i kishit vlonjatët përballë në të tjera kushte?

Kjo përballje e sotme është në kushte shumë të vështira dhe aspak komode, sepse të dyja skuadrat i kanë të nevojshme marrjen e pikëve. Flamurtari është më lart se ne dhe duhej të ishte në vendet e para, duke pretenduar për Europën dhe, pse jo, edhe për titullin, por rrethanat e deritanishme nuk kanë bërë të mundur që skuadra të jetë në këto nivele.

Në këtë ndeshje, skuadra ime do të kërkojë pikët e mbijetesës dhe unë do të jem i përqendruar te loja që do të bëjnë të besuarit e mi, si dhe të veprimet e gjykimit. Pas ndeshjes, normalisht me lojtarët e Flamurtarit do të bisedojmë si miq.

Keni qenë në një skuadër me trajnerin Mezani, madje jeni edhe miq…

Është e vërtetë se me teknikun e Flamurtarit, Gentjan Mezani, jam shok dhe mik i ngushtë, madje kemi luajtur në një skuadër së bashku. Pavarësisht kësaj miqësie që gëzojmë ne të dy, në 90 minutat e ndeshjeve do të jemi kundërshtarë të ekipeve që ne drejtojmë. Si bashkëlojtarë dhe miq ne do të takohemi pas ndeshjes.

Mund ta thoni diçka në lidhje me gjendjen e ekipit tuaj para këtij takimi?

Do të vuajmë mungesat, pasi nuk janë të gatshëm Spahija e Gavazaj për shkak kartonësh, po ashtu nuk do të jenë as Dukiç e Zguro për arsye dëmtimi. Megjithatë, kontingjenti që ne kemi në dispozicion, është cilësor dhe të jep shpresë dhe garanci për të nxjerrë një ndeshje të bukur dhe për të synuar marrjen e pikëve. Kemi objektiv që të marrim maksimumin.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"