Haxhiu akuzon përsëri: Të tjerët e dinë 2-3 ditë më parë se kush i gjykon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2017 | 9:54

Haxhiu akuzon përsëri: Të tjerët e dinë 2-3 ditë më parë se kush i gjykon

Korabi do të luajë sot një transfertë mjaft të rëndësishme në Gjirokastër. Ndërtimi i formacionit është shqetësues për trajnerin Gerd Haxhiu, pasi, përveç mesfushorit Kaja, i pezulluar për shkak kartonësh probleme ka shfaqur edhe portieri Vujadinoviç, i cili është në dyshim për takimin e sotëm. Trajneri Gerd Haxhiu, në daljen e djeshme para mediave, ka kërkuar përqendrim nga ekipi i tij, si dhe gjykim korrekt. Ai ka vijuar edhe dje me thumbimet për arbitrat.

haxhiu

“Ndaj Luftëtarit u kërkoj lojtarëve të Korabit që të kenë më tepër përkushtim dhe impuls për skuadrën. Të jenë më gjakftohtë dhe të mos kenë emocionet psikologjike se kush do na gjykojë e çfarë episodi do të na ndodhë nga gjykimi i ndeshjes. Edhe pse ne nuk e dimë se kush do të na gjykojë në Gjirokastër, pasi ato i marrim vesh vetëm ditën e ndeshjes me anë të mesazheve, skuadrat e tjera kanë luksin ta dinë 2-3 ditë përpara takimit se kush i arbitron.

Gjithsesi, nuk na intereson kjo histori e klubeve të tjera, por nga ana jonë kërkojmë që, kushdo qoftë arbitër, të mbajë paanshmëri dhe drejtësi. Pra kërkojmë drejtësinë, asgjë më shumë. Shpresoj në një gjykim korrekt, kjo na ka munguar në shumë javë. Skuadra është e përgatitur për një rezultat pozitiv, do të luajmë bukur dhe ‘fair play’.

Shpresojmë të dalim të qeshur nga fusha e Gjirokastrës”, u shpreh trajneri Haxhiu. Në fund, ai ka konfirmuar edhe një herë se deklarimet e tij pas ndeshjes me Skënderbeun për gjyqtarin Kola nuk kanë qenë emocionale, por një shpërthim i akumuluar nga padrejtësitë ndaj Korabit.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"