“Gongu i Artë”, Shqipëria kampione pas 22 viteve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2014 | 15:33

“Gongu i Artë”, Shqipëria kampione pas 22 viteve

Shqipëria është mbretëresha e “Gongut të Artë”. Kuqezinjtë, si asnjëherë më parë, kanë arritur të marrin 3 medalje të arta dhe 1 të argjendtë në një prej eventeve më të rëndësishëm të rajonit. Është shkodrani Kristian Demaj që ka dominuar ringun e Shkupit, duke u shpallur boksieri më i mirë i aktivitetit, çka e bën automatikisht fitues të Gongut. Kështu kjo është hera e parë që Shqipëria arrin që të fitojë Gongun pas 22 viteve. Albi Sorra dhe Alban Beqiri arritën të fitonin në finale, duke mposhtur rivalët nga Maqedonia dhe Bullgaria. Nga ana tjetër, fieraku Arnold Kuqari nuk ka arritur të fitojë përballë kundërshtarit të tij nga Kosova në finale. Ndeshje, e cila ka ngjallur emocion dhe ka bërë të ndihen krenarë mbarë shqiptarët, ka qenë ajo e Kristian Demaj. Shkodrani ka bërë një takim spektakolar. Demaj ka mposhtur në finale sfidantin vendës dhe meritoi kupën e boksierit më të mirë të “Gongut të Artë”. Trajneri i kombëtares, Skënder Kurti, e cilësoi si historike këtë performancë të shkëlqyer të kuqezinjve. Entuziast u shpreh edhe trajneri Zef Gjoni. “Jam vërtet shumë i lumtur. Kemi arritur rezultate shumë të mira. Është historike që ne të fitojnë Gongun. Këtë gjë e bëri Kristian Demaj. Po ashtu mori edhe medaljen e artë bashkë me dy boksierët e tjerë të kombëtares. Natyrisht që këto rezultate tregojnë nivelin e lartë të boksit shqiptar. Patjetër që na bën të ndihemi krenarë për këtë sukses të madh që kemi arritur, si dhe na shton përgjegjësitë që edhe në të ardhmen të kemi të tilla rezultate. Kemi punuar shumë për këtë aktivitet dhe ia arritëm qëllimit. Premtojmë se edhe në aktivitete të tjera të rëndësishme do të synojmë që të arrijmë të tilla nivele”, përfundon trajneri i kombëtares. Në rang ekipor Shqipëria u rendit pas Bullgarisë.
SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"