Gjyla: Reagim force, Apolonia nuk na rrezikoi asnjëherë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2019 | 16:30

Gjyla: Reagim force, Apolonia nuk na rrezikoi asnjëherë

Trajneri i Lushnjës është i bindur se skuadra e tij e ka dominuar të gjithë takimin dhe ka qenë në ritmin e duhur për të dalë nga fusha e lojës me rezultatin maksimal. Sipas Ilir Gjylës, ajo që vlen më së shumti për të tijtë është fakti se ekipi ka arritur që ta rikuperojë shpejt formën e mirë për të vijuar me rezultate pozitive dhe për të lënë pas krahëve luhatjen e vazhdueshme.gjyla

Fitorja – “Unë mendoj që kemi qenë zotër gjatë gjithë 90 minutave. Edhe në pjesën e parë, pavarësisht pësimit të golit, mendoj se ishim më superiorë. Ishte një moment pasigurie ose moment hutimi dhe ai gol erdhi nga një mbyllje jo e mirë e lojtarëve tanë. Megjithatë, kemi barazuar shpejt dhe kemi pasur mundësi të tjera për të shënuar. Në pjesën e dytë kishim mundësitë tona për të shënuar dhe për ta siguruar fitoren sa më shpejt me Cankën apo edhe Mezinin, pa harruar që nga ana tjetër nuk jemi rrezikuar”, ka shpjeguar fillimisht Gjyla.

Ndeshja – “Ne kemi luajtur mirë dhe unë mendoj se në këtë 90-minutësh kemi bërë mirë. Për mua fitorja e sotme (djeshme) nuk ishte e thjeshtë, sepse e kam thënë për ‘Panorama Sport’ në vigjilje të kësaj, që duhet ta kapim shpejt situatën. Të rikuperojmë këtë luhatjen që kemi pasur në dy apo tri javët e fundit. Për më tepër, kur e bën diçka të tillë në momentin që përballë ke një skuadër të mirë si Apolonia, tregon që ekipi ynë ka forcë. Pra, ia del që të rigjejë forcën dhe të ngrihet”.

Strategjia – “Kundërshtari u mundua të na vinte para përgjegjësisë me topa të gjatë. E frenuam dhe realisht ne kemi disa lojtarë që mund të bëjnë mirë detyra të tilla. Dua t’u kujtoj futbollistëve që janë shumë të lirë në zonë, por në fakt duhet të jenë më të ashpër dhe më shumë këmbëngulës. Mezini? Ka luajtur edhe më parë me Lushnjën dhe me skuadra të tjera. Është një djalë që vrapon, por duhet të vërë në funksion mendjen. Edhe sot (dje), nëse do ta bënte një gjë të tillë, ndeshja do të përfundonte më shpejt”, ka deklaruar trajneri i Lushnjës.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"