Gjermania, Anglia e Franca në skenë, ja 8 pyetjet e një sezoni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2022 | 20:26

Gjermania, Anglia e Franca në skenë, ja 8 pyetjet e një sezoni

Më në fund! Topi rinis të rrotullohet në Eu ropë, jo në Itali e në Spanjë, për të cilat duhet të presim të premten tjetër, por gjithsesi Bundesliga, Premier Liga dhe Ligë 1 ngrenë sot siparin. Gjermania, Anglia dhe Franca dhe sportdashësit e tyre do të kenë mundësinë e ritakimit me beniaminët dhe sportin më të bukur, ndërkohë që pyetjet të cilat ngrihen tani janë:

php1ZbQSu

Cila do të fitojë? Ka ndonjëra shanse të thyejë “dikaturën” në Bundesligë e Francë? Po “Këpucët e Arta” kush do të jetë duke parë lëvizjet që janë kryer deri në këtë moment të merkatos? Të gjitha përgjigjet e këtyre jepen si më poshtë nga specialistët dhe analistët e uebsajtit “Eurosport”.

Në Francë, kush mund ta frenojë “tankun” e Galtierit?

Tundimi për të thënë një emër tjetër është i fortë, por në fund ndërgjegjja të vë një barrierë të pakalueshme. Kushdo që është realist e di mirë se PSG-ja ka gjithçka duhet për të mos e vënë kurrë në rrezik titullin, përkundrazi mund ta mbyllë atë në një mënyrë të frikshme.

Kjo, pasi sikur të mos mungonte trioja Mesi-Mbape-Nejmar, në Paris ka ardhur edhe një trajner “i përgjakshëm” si Galtier, i cili shquhet për përjetimin e fortë të ndeshjeve, por edhe për dorën e hekurt që përdor edhe me yjet e ekipit. Për më tepër, edhe ndryshimi i skemës në 3- 4-1-2 do të sjellë stimuj të rinj, duke qenë se të paprekshëm janë vetëm tre sulmuesit.

Për sa i përket rrezikut të mundshëm, Lioni, Lilë dhe Monako nuk duket se mund të mbajnë ritmin, ndërsa surpriza e madhe mund të jetë Ren. E vetmja rivale në dukje e vërtetë ishte Marseja, por pas ardhjes së Igor Tudorit në stol, lojtarët kanë nisur protestat ndaj trajnerit kroat dhe kaq mjafton që shpërqendrimi të jetë i madh në “Velodrom”.

Kush është talenti që mund të vihet në vitrinë?

Fakti që Franca u jep shumë dorë të rinjve, por në të njëjtën kohë prodhon edhe shumë talente, duke i dhënë besim mjaft shpejt, emri i përzgjedhur është ai i Enzo le Fe. Fantazisti i datëlindjes 2000 mban 10-ën e Lorientit mbi shpatulla, kë një të djathtë që tmerron këdo, shpejtësi që ia garanton edhe fiziku i tij i vogël (170 centimetra i gjatë), por diferencën pritet që të bëjë edhe trajneri Rezhis le Bris, pasi në skemën 4-4-1-1 i ka lënë Le Fesë dorë të lirë që të lëvizë pas sulmuesit të vetëm të ekipit.

Po në Gjermani, a do të arrijë Bajerni që ta fitojë titullin e 11-të radhazi apo do të ketë një rival që ta pengojë?

Shpresat ekzistonin dhe ishin të mëdha madje. Bajerni humbi 50 golat sezonalë të Levës, ndërsa Dortmundi kishte bërë goditjen më të shtrenjtë të historisë. Fatkeqësisht Sebastian Haller i ardhur nga Ajaksi ka rezultuar me kancer në testij dhe ndërkohë ka nisur terapinë. Sigurisht, Dortmundi po kërkon dikë tjetër, por Bajerni sivjet ka shtuar forcat edhe me gjak të ri dhe të fortë si De Ligt në qendër të mbrojtjes, Mazrui ne krahë dhe Gravenbersh në mesfushë. Kaq mjafton që shanset për të rivalizuar gjermanët të jenë zero.

Pa Levandovskin, kush do të jetë kryegolashënuesi i Bundesligës?

Pak kandidatë ekzistojnë, ndaj sivjet gara do të jetë shumë e hapur. Sytë do të jenë të drejtuar nga Sadio Mane i Bajernit, por edhe Nkunku i Japcigut dhe Shik i Leverkusenit do të synojnë trofeun individual.

A ka jetë në Dortmund pa Halandin?

Nëse sheh të kaluarën, Dortmundi gjithmonë e ka gjetur një sulmues që të dijë se si të shfrytëzojë kundërsulmin e tyre të shpejtë. U largua Leva, erdhi Obamejang. Iku Obamejang dhe mbërriti njëfarë Alkaser, i cili u pasua më pas nga një prej talenteve më të mirë në botë, Erling Haland. Fatkeqësia e verdhezinjve ishte zbulimi i kancerit të Hallen, por në pritje të ndonjë goditjeje surprizë, si Moukoko ashtu sikurse Malen dinë që ta bëjnë shumë mirë rolin e numrit 9.

Në Angli, a do të jetë sërish duel Guardiola-Klop apo beteja do të hapet në më shumë fronte?

Prej vitesh Premier Liga mburret se është kampionati më kompetitiv në botë dhe elementët që ia lejojë këtë vetëkënaqësi janë vërtet të shumtë. Mjafton të shohësh merkaton që kanë bërë, duke nisur nga kampionët në fuqi. Siti, sikur të mos i mjaftonte stili unik i lojës, i shton vetes Erling Halandin, ndonëse humbi Zhezus dhe Sterling, të transferuar dhe ku kanë përforcuar respektivisht Arsenalin dhe Çelsin, që gjithashtu duken të papërmbajtshëm në fushatën e blerjeve.

Liverpuli ndërkohë u është përgjigjur dhëmbë për dhëmb “Qytetarëve”, duke bërë të vetin zbulimin e madh të vjetshëm: Darvin Nunjez. Edhe këtu, 100 milionë euro të shpenzuara, madje një pjesë u shpërblye me rastin e Superkupës së Anglisë, ku ishte pikërisht goli i urguaianit ai që i dha fitoren dhe trofeun e parë sezonal Klopit, përballë skuadrës së Guardiolës.

Ten Hag e ka problemin në shtëpi Ronaldon! Do të arrijnë “Djajtë e Kuq” që të rikthehen fitues, me një stil loje shumë më sulmues?

Mançester Junajtidi është klubi më i madh në Angli, por që pas largimit të Sër Aleks Fergusonit, e ka humbur këtë “nur”. Dejvid Mojes, Luis van Gal, Zhoze Murinjo, Ole Gunar Solskjaer e Ralf Rangnik zhgënjyer që të gjithë të marrë së bashku. Nëse premisat dhe shpresat dukeshin gjithmonë të mëdha, në fund kuptohej se më shumë sesa me rivalët, ishtrajnerët e fundit ishin në luftë me dhomat e zhveshjes dhe shpesh nuk dinin as ata se çfarë po bënin. Por sivjet duket një fillim i ri, një ndryshim hierarkie futbollistike si në kohët e Fergit, ku bosi ishte trajneri dhe Erik ten Hag e ka treguar menjëherë atë. Ndonëse në fillim tentoi ta përkëdhelte, tashmë Kristiano Ronaldo nuk do të ketë asnjë favor. Përkundrazi, ky duhet të jetë problemi më i vogël te Junajtidi, që nëse nuk mund të konkurrojë menjëherë për titullin, të paktën duhet të rikthehet në Champions, ndryshe as historia e lavdishme nuk do t’i bëjë më punë Mançesterit.

Sterling, Kulibali, Kukureja etj… Po Çelsi i Tuhelit ka shanse për titull?

Edhe pse po blejnë shumë, duket se askush nuk shqetësohet se blutë e Londrës kanë një mungesë të theksuar goli. Totenhemi dhe Arsenali që e rrethuan sezonin e kaluar në renditjen finale, janë përforcuar shumë, ndaj nëse nuk nxitojnë që të gjejë një bomber të frikshëm, pas humbjes së Romelu Lukakut të rikthyer tek Interi, do të jetë e vështirë edhe mbrojtja e zonës Champions.

Nunjez, Haland, Zhezus, Sterling e Riçarlison. Cili prej sulmuesve që kanë ndryshuar fanellë do të bëjë më mirë në klubin e tij të ri?

Ai që ka spikatur deri tani, Gabriel Zhezus. Edhe pse që të katërt janë bomberë race, Zhezus është ambientuar në mënyrë skëterrë te Arsenali, por mbi të gjitha duket se ndihet edhe më komod sesa te Mançester Siti, duke qenë se nuk ka pasur ndeshje që nuk ka shënuar. Impakti më pozitiv i Premier Ligës.

Përgatiti: JETON STAMOLLA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"