Gërçaliu: Tirana shpëton, ‘veteranët’ le të tregojnë veten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2017 | 11:36

Gërçaliu: Tirana shpëton, ‘veteranët’ le të tregojnë veten

Prej 8 muajsh ndodhet në Austri, megjithatë lidhja e tij me Tiranën vazhdon të jetë e ngushtë. Dhe sidomos tani, kur bardheblutë janë në krizë totale dhe rrezikojnë rënien. Ecuria negative e skuadrës ka prekur edhe Ronald Gërçaliun, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” mundohet t’u japë moral kryeqytetasve. Mbrojtësi i djathtë beson te mbijetesa, megjithatë mendon se në këto 4 javë grupi dhe vetë trajneri duhet të lihen të qetë.

gercaliu1

Pas 15 javësh pa fitore, a sheh Gërçaliu dritë tek e ardhmja e Tiranës?

15 javë janë shumë. Sulmi është shumë dobët, por tani golat duhet të vijnë edhe nga mbrojtja. Duhet të gjendet një zgjidhje dhe të marrin 7 pikë. Tirana duhet të shpëtojë. Dhe më pas të mendojë për të ardhmen. Por këtë duhet të bëjë një plan të hartuar mirë. Nëse duan që të rikthehet te trofetë, le të rrezikojnë duke blerë lojtarë me eksperiencë dhe t’u besojnë 3-4 të rinjve. Por, për këtë, duhet të gjejnë njerëzit e duhur.

E kishit menduar ndonjëherë që Tirana do ishte në të tilla ujëra, duke rrezikuar rënien?

Me thënë të drejtën, jo. Janë ekip i madh dhe mbi të gjitha sezonin e nisën mjaft mirë. Por ajo që vlen tani është të kalojnë ngërçin. Nëse fitojnë një ndeshje, do të jetë më e lehtë për lojtarët vazhdimësia. Nuk po them që me një trepikësh ndaj Korabit do shpëtonin, por grupi do kishte moral për javët e fundit.

Si mund të shpëtojë Tirana, a ka ndonjë formulë?

Të lënë profesor Mirelin të punojë i qetë. Tani nuk duhet të mendojnë më për lojën e bukur, por vetëm për pikët. Në këtë gjendje kritike që është Tirana, duhen vetëm fitoret. Shpresoj që sulmi të shënojë me shumë, pasi vetëm me gola vijnë fitoret. Tani është momenti i lojtarëve me eksperiencë. Në këtë fazë janë ata që duhet të marrin ekipin për dore, si për shembull Karabeci. Por ai vetëm është shumë pak, ndaj duhet t’i shtohen edhe të tjerët.

 

gercaliu

Sa e keni ndjekur Tiranën këtë vit?

Shpesh. Kam qenë dhe do mbetem përjetë tifoz i Tiranës. Shpresoj që ta kalojnë këtë situatë dhe për presidentin Refik Halili. Ai ka dhënë shumë për këtë klub. Por, ekipi do mbështetjen e tifozëve. “Tirona” ka tifozët më të mirë në Shqipëri. Ata duhen në stadium.

gercaliu

Nëse kthehen këto 360 minuta të fundit, mendoni se mund të ndryshojë diçka?

Them se po. Tifozët e kanë shtyrë gjithmonë ekipin përpara. Ata kanë shumë impakt te lojtarët në fushë. Nëse ka mbështetje, të rinjtë sidomos mund të çliroheshin. Nuk është koha për të gjetur fajtor. Në fund të sezonit mund të gjejnë edhe shkaktarët, tani rëndësi ka që shpëtojë Tirana. Kjo javë favorizon Tiranën, pasi pret Korabin, ndërsa Laçi, Flamurtari dhe Teuta ndeshen me ekipet e kreut.. Nëse Tirana fiton dhe rivalët ndalen, kjo javë do u jep frymëmarrje. Gjithsesi mendoj se lojtarët tani duhet të mbledhin veten dhe të shfaqin karakterin dhe forcën e tyre. Të luftojnë vetëm për fanellën bardheblu.

Në fund, na tregoni pak për veten, pas largimit nga Tirana ku po luan Gërçaliu?

Në Austri, me një ekip të vogël. Doja të isha pranë familjes. Kisha një ofertë nga Kategoria Superiore, por e vendosa me familjen që të rri këtu afër fëmijëve.

ADELA MERKO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"