Garë e ethshme për “Topin e Artë 2024”, njihuni me kandidatët kryesorë të momentit, Mesit i duhet mrekulli për “fronin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 14:07

Garë e ethshme për “Topin e Artë 2024”, njihuni me kandidatët kryesorë të momentit, Mesit i duhet mrekulli për “fronin”

Fundi i sezonit sheh një garë të ethshme për të fituar trofe të rëndësishëm në të gjitha vendet, sidomos në 5 ligat kryesore evropiane, ku bëjnë pjesë edhe futbollistët më të mirë të botës aktualisht. Një pjesë e mirë garojnë edhe për të fituar “Këpucën e Artë” në kampionatet ku luajnë, por edhe atë Europiane.

haland belingam mesi mbape

Jo vetëm kaq, shifrat personale dhe trofetë e fituara, si me klubet, ashtu me kombëtaret, do të ndikojnë në fitimin e “Topit të Artë” të vitit 2024. Këtë vit do të ndikojë jo pak edhe Europiani dhe Kupa e Amerikës së Jugut. Po cilët janë kandidatët kryesorë për të fituar “Topin e Artë” këtë vit?

I pari në listën e gjatë është Xhud Belingam i Realit të Madridit. Sulmuesi anglez është afër titullit në La Liga dhe shënuesi më i mirë për momentin në Spanjë, pa harruar që Reali synon Champions. Ai ka 27% shanse. Jo pak do të varet edhe paraqitja e tij me Anglinë në Euro2024, ku britanikët janë pretendentët kryesorë.

Me 22% shanse kemi Mbape në vendin e dytë, i cili me shumë gjasë do fitojë titullin dhe “Këpucën e Artë” në Francë. Edhe PSG është pretendent për Champions, si dhe Franca kandidate e fortë për Europianin.

Haland është kandidati i tretë për momentin me 15% shanse. Vetëm 1% më pak ka Kejn, i cili penalizohet që Bajerni e ka thuajse të pamundur të fitojë titullin në Gjermani, pavarësisht se ai është goleadori më i mirë aktualisht në Europë me 31 gola, 7 më shumë se ndjekësi më i afërt Mbape.

Fituesi në fuqi dhe rekordmeni i “Topit të Artë”, Lionel Mesi, ndodhet shumë larg këtë vit, me vetëm 9% të shanseve. Atij i duhet të bëjë një “Copa America” perfekte në mënyrë që të jetë të paktën në podium. Interesant është fakti se mes 8 kandidatëve kryesorë, 3 janë nga Siti dhe 2 nga Reali. Seria A nuk ka asnjë përfaqësues të denjë për momentin.

topi i arte

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"