Gardiani i Tomorit “ndez” Kategorinë e Parë: Jemi gati, mundim Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2021 | 18:40

Gardiani i Tomorit “ndez” Kategorinë e Parë: Jemi gati, mundim Korabin

E nisi me vonesë punën, por Tomori po merr formë. Kur na ndajnë pak ditë nga starti i kampionatit, në Berat ndihen gati. Miqësorja e fundit me Bylisin dëshmoi rritje në lojë.

Bylis Tomori

Me Klevis Dalipin në krye, beratasit po spikatin në dy aspekte: ka më shumë zotërim dhe qarkullim të topit dhe ushtron presing sa herë që kundërshtari ka topin në kontroll. E thënë ndryshe, grupi po shkon drejt konsolidimit dhe garancia nis nga porta, atje ku Oltjan Harremi është kthyer në një “blind”. Gardiani tregoi formë të shkëlqyer kundër ballshiotëve në Kuçovë, duke evituar gola të sigurt.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 29-vjeçari evidenton se janë në rrugën e duhur dhe përballë Korabit do të zbresin në fushë vetëm për fitoren. “Së bashku me skuadrën festova 29-vjetorin dhe këtë ditë të shënuar doja të bëja një performancë të një niveli të lartë. Kjo, si një shpërblim për skuadrën, por edhe për të treguar se forma ime sportive ka rreth 5 sezone që është shumë konstante.

Përballë Bylisit pretendent zhvilluam një pjesë të parë shumë të bukur dhe besoj se ndaj kundërshtarit më cilësor që ka kampionati ynë, treguam vlera. Kjo ndeshje na ndihmoi shumë që ndaj Korabit, në ndeshjen hapëse të kampionatit, të luajmë vetëm për fitore. Ndërsa unë garantoj të njëjtën formë gjatë gjithë kampionatit”, ka përfunduar Harremi.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"