“Frymëzohem nga Klop”, trajneri Dovedan: Bylisi ia del edhe në fazën e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2019 | 9:31

“Frymëzohem nga Klop”, trajneri Dovedan: Bylisi ia del edhe në fazën e dytë

Bylisi ka mbyllur dje përgatitjet për sfidën me Teutën që do të zhvillojë sot në orën 13:00 në stadiumin “Adush Muça”.

veljko dovedan

Ballshiotët duan që të marrin fitoren e radhës dhe ta nisin me 3 pikë fazën e dytë. Teuta është i vetmi ekip që i ka mundur, ndërsa trajneri Dovedan ka qenë optimist gjatë fjalës së tij në vigjilje të kësaj sfide. Ai është shprehur se ka besim se skuadra do të vazhdojë të luajë mirë dhe të kërkojë rezultate. Në intervistën e dhënë para ndeshjes, trajneri i Bylisit nuk i llogarit mungesat, por synon maksimumin.

Pas Tiranës vjen Teuta dhe nis faza e dytë, çfarë kërkon Bylisi?

Unë gjithmonë jam tip kërkues dhe dua 3 pikët. Pavarësisht gjendjes apo emrit që ka Teuta, unë dua fitoren. Aq më tepër që luajmë në fushën tonë.

Teuta është i vetmi ekip që ju ka shkaktuar humbje, i keni marrë masat për t’ia kthyer reston në këtë fazë të dytë?

Po, është i vetmi ekip që na ka mundur dhe unë pas asaj ndeshjeje kam thënë se duhet të ndryshojmë. E thashë dhe isha i bindur se do ta bënim, pasi kemi punuar shumë gjatë verës, të gjithë në klub. Koha po e tregon diçka të tillë. Ndeshjet janë ndryshe nga njëra-tjetra dhe nesër (sot) është radha e Bylisit që ta mundë Teutën.

aa

Kjo ngjeshje e ndeshjeve a ndikon në skuadër?

Në fakt, lojtarët ngarkohen shumë, por ne për fatin e mirë e kemi organikën të pasur, edhe në sajë të kushteve që na ka krijuar presidenca. Janë afruar shumë lojtarë në verë dhe cilido që aktivizohet, duhet të tregojë vlerat. Ju po e shihni që në ekipin tim po aktivizoj edhe futbollistë të cilët në ndeshjet e para kanë qenë jashtë 18- shes. Tashmë që kanë kapur formën, po luajnë.

Mungesat kanë qenë prezent te Bylisi, si do të jetë ekipi ndaj Teutës?

Ekipi është OK (në rregull) dhe në seancën e sotme (djeshme) stërvitore jam bindur nga lojtarët që do të luajnë. Ka angazhim maksimal, është harruar ajo ndeshje me Tiranën dhe shohim përpara.

A duhet të fillojë Bylisi të mendojë për diçka më tepër se mbijetesa?

Jo, momentalisht duhet që të mendojmë vetëm për mbijetesën, vetëm kaq mund të them. Më pas mund të shohim për diçka më lart. Është shumë herët dhe për momentin tabela nuk tregon asgjë, është thjesht statistikë. Ndoshta më vonë mund të vlejë renditja. Tani nuk ka llogari, ka vetëm ndeshje të radhës ku duhet që të japim më të mirën në fushë dhe të dalim me pikët e plota në fund të çdo përballjeje.

Kur nisi kampionati kishte shumë skeptikë për Bylisin, po tashmë që po nis faza e dytë, a keni një mesazh për ta?

Kam vetëm një mesazh: Ne do të vazhdojmë edhe në fazën e dytë, ashtu si dhe në të parën…

Kush është trajneri që kërkoni t’i ngjani ose ju pëlqen nga mënyra se si luan?

Më pëlqen Jurgen Klop dhe unë i ndjek skuadrat e tij. Më pëlqen për vetë futbollin që luajnë ekipet që ai drejton edhe nga mënyra e vendosjes së lojtarëve në fushë, apo se si ai punon gjatë ndeshjes.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"