FOTO/ Sherr në Gjirokastër, Luftëtari thyen Butrintin mes tensionit. Ndeshjen e ndoqën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2023 | 12:36

FOTO/ Sherr në Gjirokastër, Luftëtari thyen Butrintin mes tensionit. Ndeshjen e ndoqën…

Gol që në start, tension në fushë dhe tribuna, sherr masiv mes lojtarëve, tre kartonë të kuq, flakadanë dhe kapsolla të hedhura nga tifozët. Këto prodhoi ndeshja e djeshme në Gjirokastër, teksa Luftëtari mposhti Butrintin me shifrat 1-0, falë një goli të mesfushorit nga Guinea, Isiaga Kamara.

luftetari

Ky triumf mban bluzinjtë në vendin e dytë, me vetëm një pikë më pak se Pogradeci kryesues. Në praninë e rreth 1800 tifozëve, ku një pjesë e mirë e tyre kishin ardhur nga Saranda, skuadra e drejtuar nga Edmond Dalipi u tregua cinike dhe e administroi mirë avantazhin.

Luftëtari vinte me katër mungesa të rëndësishme për shkak kartonësh si Benito Çulli, Stiven Puci, Astrit Rama dhe Xhilardinjo Avduli. Fillimisht rrezikoi sulmuesi Radovani, ndërsa goli i avantazhit erdhi në minutën e 10-të nga një goditje dënimi, ku krosimin e Miranit në zonë, e devijoji me kokë Kamara, duke elektrizuar të pranishmit.

Butrinti i drejtuar nga gjirokastriti Neritan Novi tentoi me dyshen Mërkuri-Kolonja, por pa rezultat. Bluzinjtë mund të kishin shënuar edhe golin e dytë, por Mirani dhe Çelo shpërdoruan para portës.

Në pjesën e dytë sarandjotët janë më kërkues, duke iu afruar barazimit me Mërkurin. Megjithatë, në minutën e 69-të, është Ziaj që e përplas topin në traversën e portierit Hoxha.

Gjirokastritët i kanë të gjitha mundësitë për të shënuar golin e qetësisë, por Ahmetaj humbet mundësinë e artë, teksa përballë portierit, godet në duart e këtij të fundit. Për shkak të ndërprerjeve të shumta, në fund jepen 10 minuta shtesë. Miqtë nuk kanë shënjestrën e duhur dhe gjithçka mbyllet me fitoren e bluzinjve.

01651

SHERRI – Në minutën e 62- të pati një zënkë masive mes lojtarëve. Fillimisht u kapën Çelo dhe Lukas, ndërsa më pas ndërhyri Gjonaj dhe Jersival Santos.

WhatsApp Image 2023-12-18 at 12.31.26 (1)

Dy të parët përfunduan të shtrirë në tokë, ndërsa kaosi pushtoi fushën dhe përleshjet vazhduan. Loja u ndërpre për tetë minuta, ndërsa në kokat e lojtarëve fluturuan flakadanë, duke i rrezikuar jo pak.

WhatsApp Image 2023-12-18 at 12.31.24 (1)

Forcat e sigurisë e patën të vështirë për të vendosur rregull, derisa gjyqtari kryesor, Egli Spahiu, ndëshkoi me karton të kuq brazilianin Santos të Luftëtarit dhe Gjonajn e Butrintit. Ky vendim irritoi trajnerin e Butrintit, i cili protestoi te kryesori, por ky i fundit i nxorri edhe Novit karton të kuq.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"