FORMULA 1/ Testet, Uilliams makina me përmirësimin më të madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2023 | 21:34

FORMULA 1/ Testet, Uilliams makina me përmirësimin më të madh

Tashmë gjithçka është gati, teksa këtë të diel në Bahrejn do të startojë Botërori 2023 i Formulës 1. Makinat do të rikthehen në të njëjtën pistë në Sakhir, pas tri ditëve të testeve që zhvilluan gjatë javës së kaluar.

image16x9.img.1536.high

Por nëse kohën më të shpejtë në këto teste e fiksoi Red Bulli me pilotin Serxho Perez, le të shikojmë se si kanë qenë diferencat kohore të skuadrave në raport me testet e një viti më parë në të njëjtin cirkuit. E klasifikuar në vend të fundit për konstruktorë gjatë Botërorit 2022, është Uilliams makina që ka fituar më shumë terren. 2.378 sekonda të rikuperuara për skuadrën britanike, që shpreson të jetë konkurruese gjatë këtij edicioni. Ndërkohë, hap të madh përpara kanë bërë edhe Aston Martin e Alfa Romeo, teksa makinat e tyre në krahasim me testet e 12 muajve më parë kanë fituar respektivisht 2.371 dhe 2.158 sekonda.

Mes skuadrave pretendente bie në sy edhe performanca e Mercedesit, e cila ka arritur më tepër shpejtësi se në vitin e kaluar, edhe pse duhet theksuar se skuderia me bazë në Shtutgart, gjatë testeve 2022 pati telashe të shumta me pjesën e aerodinamikës, fenomenin “porpoising”, të cilin në fakt e vuajtën shumë skuadra. Makina “W13” e Hamilton dhe Rasëll, pasuese e drejtpërdrejtë e “W14”, fitoi dy sekonda e 95 të mijtat, duke u klasifikuar në vend të katërt në këtë renditje speciale, pas Uilliams (-2,378), Aston Martin (-2.371) dhe Alfa Romeo Sauber (-2,158). Duke u rikthyer te “big”-ët, Red Bulli dhe Ferrari e kanë përmirësuar paraqitjen e tyre përkatësisht me 1.415 dhe 1.381 sekonda, ndërsa para tyre ndodhet Alfa Tauri me 1.741 sekonda të rikuperuara. Kështu, skuadra “B” e Red Bullit duket se ka bërë një hap të rëndësishëm përpara, pas një sezoni negativ.

Për sa u përket Ferrarit, por mbi të gjitha Red Bullit, terreni i paktë i fituar prej tyre vjen edhe si rrjedhojë e nivelit të shkëlqyer të një viti më parë. Nis me malore rruga për makinat McLaren, Haas dhe Alpine. Ekipi “portokalli” e rriti performancën me 1.011, amerikanët me 0.860, ndërsa blutë janë e vetmja skuadër që shënuan rezultat negativ me vitin e kaluar, duke rezultuar +0.064 më të ngadaltë. Të dhëna të rëndësishme që ua shtojnë dhimbjet e kokës në prag të sezonit pilotëve të makinës Alpine, Gasli dhe Okon.VMN,VV

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"