FORMULA 1/ Ferrari super në teste, Lëklerk më i shpejti në ditën e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2022 | 19:40

FORMULA 1/ Ferrari super në teste, Lëklerk më i shpejti në ditën e dytë

Formula 1 ka mbyllur dje ditën e dytë të testeve në Barcelonë dhe përsëri protagoniste kryesore ishte skuadra e Ferrarit. Pasi ishte renditur i dyti në ditën e parë, Sharl Lëklerk regjistroi dje kohën më të shpejtë në Montmelo.

le klerk

Piloti monegask kreu 79 xhiro me gomat e mesme C3, ndërsa rezultati 1:19.689 ishte më i miri i ditës. Kohën e dytë më të shpejtë e arriti Pierr Gasli me njëvendëshen e tij Alfa Tauri, duke e ndalur kronometrin në 1:19.918, ndërsa rezultati i tretë më i mirë i përket Daniel Rikardos, me pilotin e McLarenit që shënoi kohën 1:20.288.

Ndërsa top5 plotësohet me Xhorxh Rasëllin e Mercedesit me kohë 1:20.537 dhe Karlos Sainz të Ferrarit me kohë 1:20.546. Ndërsa Luis Hamilton e mbylli në vendin e 16- të, shumë larg kreut me kohën 1:22.562, por britaniku realizoi vetëm 40 xhiro me gomat C2.

Kështu, nëse dita e parë u dha ndjesi të mira, në të dytën rezultatet ishin edhe më të kënaqshme për Ferrarin, që tashmë synon të rimarrë rolin e protagonistit kryesor në Formulën 1.

LËKLERK – 24-vjeçari i “kokëkuqes” u shfaq shumë i kënaqur edhe pas ditës së dytë të testeve në Barcelonë, megjithatë ai e pranoi se skuadrat ende nuk i kanë hapur “kartat” në këtë prag sezoni. “Ndjesitë e para janë pozitive, por mendoj se nuk duhet t’u kushtojmë edhe aq shumë rëndësi rezultateve, sepse askush nuk po e zbulon gjendjen dhe formën reale”, u shpreh fillimisht Sharl Lëklerk.

Gjithashtu ai shtoi: “Kemi zhvilluar më shumë xhiro se të tjerët dhe kjo është diçka pozitive. Tani po pres me padurim të zbres në pistë për ditën e tretë të testeve. Jem i kënaqur, pasi në këto teste kemi debutuar me makina tërësisht të reja”, deklaroi Lëklerk. Sesioni i parë i testeve do të mbyllet sot me ditën e tretë.

asfa

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"