Formacioni i mundshëm/ Devolli: Kukësi beson te kualifikimi me Tiranën, djemtë do japin “jetën”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 11:01

Formacioni i mundshëm/ Devolli: Kukësi beson te kualifikimi me Tiranën, djemtë do japin “jetën”

Në Kukës janë optimistë se do të jenë ata finalistët e Kupës së Shqipërisë. Për trajnerin Bledar Devolli kjo është ndeshja e jetës dhe ka bindje se ekipi do të bëjë maksimumin që t’ia dalin. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj sfide, ai shpreson pse jo ta sigurojnë kualifikimin që sot.

devolli 1

“Të them të drejtën, si djemtë edhe ne si staf mezi po e presim këtë ndeshje. Kemi një mundësi të artë të shkruajmë historinë sërish këtu në Kukës. Janë ndeshje që nuk të vijnë shpesh dhe djemtë i shoh mirë, kemi harmoni, entuziazëm dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën dhe pse jo ta sigurojmë që nesër (sot) kualifikimin. Këtë e kemi ndeshjen e jetës, si djemtë edhe ne si staf. Marrim shumë edhe në aspektin profesional, ndaj mezi e presim. Jam i bindur se djemtë do të japin edhe jetën për të kaluar edhe këtë pengesë të fundit”, u shpreh fillimisht tekniku i bluve.

SITUATA – Kukësi ka treguar një stabilitet në mbrojtje, me Devollin që thekson se do të përpiqen ta mbajnë të paprekur portën. “Ne gjithmonë mundohemi të mos pësojmë gol dhe po të shohësh ndeshjet e fundit kemi bërë mirë. Me Egnatian kemi pësuar një gol nga hiçi. Tani nuk ka më gol në fushë kundërshtare dhe ne do mundohemi të mos pësojmë. Do të bëjmë lojën tonë, të jemi agresivë në të dyja fazat me sakrificë pa fund dhe kështu do të jetë. Të shpresojmë të kemi edhe fatin me vete, sepse ka shumë rëndësi në futboll. Nuk na intereson shumë gjendja e Tiranës, sepse është gjysmëfinale Kupe edhe ata kanë objektivin e tyre, ne tonin. Ne na intereson vetëm vetja jonë dhe nëse luajnë me rregull, besoj se çdo gjë do të na shkojë mirë”, vijoi më tej Bledar Devolli.

LUFTË NË DY FRONTE – Kukësi nuk e sheh Kupën si një ngushëllim për kampionatin, pasi Devolli mendon se skuadra ka ende shanse reale të mbijetojë, ndaj edhe do të luftojnë në dy fronte. “E kam thënë edhe herë të tjera se ne luftojmë në të dyja frontet. E rëndësishmja është që ta kalojmë nesër (sot) me sukses, ndërsa në kampionat ka ende edhe shtatë ndeshje dhe e kemi vetë fatin në dorën tonë, sepse do luajmë edhe me rivalët direktë. Prandaj, nuk kemi frikë asnjë ekip, por kemi respekt. Do vazhdojmë punën siç kemi bërë, me kokën poshtë, të përmirësohemi gjithmonë në çdo ndeshje, të rregullojmë gjërat e mira dhe eliminojmë gabimet. Me këtë entuziazëm që kanë djemtë unë kam shumë besim se do të ecim përpara”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën Bledar Devolli.

Tri mungesa të sigurta – Kukësi ka vuajtur jo pak nga dëmtimet e javëve të fundit, me infermierinë të mbushur. Kur mendohej se mesfushori Kleandro Lleshi do të rikthehej në këtë sfidë, një tjetër dëmtim në stërvitje ka bërë që ai të mos jetë sërish i gatshëm për Devollin. Probleme për blutë ka pasur edhe në krahun e majtë me Selitën dhe Muratin, që gjithashtu kanë vuajnë dëmtime.

kukesi

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"