“Flik i duhuri për Bajernin”, Nojer karikon Gjermaninë: Të fitojmë Europianin, VAR është…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2019 | 21:09

“Flik i duhuri për Bajernin”, Nojer karikon Gjermaninë: Të fitojmë Europianin, VAR është…

Kapiteni i Bajernit dhe i kombëtares gjermane, Manuel Nojer, ka dhënë një intervistë të gjatë për revistën e njohur gjermane, “Kicker”. Portieri 32-vjeçar tregon ndër të tjera për objektivat e 2020-ës dhe duelin me Andre ter Shtegen.

Nojer

Është kohë Krishtlindjesh, çfarë përgjegjësie kanë njerëz si ju për ata që janë në nevojë? 

Jemi idhuj për shumë fëmijë në Gjermani dhe jo vetëm. Ndaj është mirë që të hedhim vështrimin edhe te njerëzit që kanë pak mundësi për të shijuar festat. Ndaj kam krijuar edhe një fondacion për fëmijët në nevojë. Ky projekt më lindi në zemër pasi dua t’u jap këtyre fëmijëve një perspektivë për të ardhmen.

Çfarë ndjesie ju japin këta fëmijë kur i takoni personalisht?

Kur jam i pranishëm në takime me ta në Gelsenkirshen apo diku tjetër, ndiej një emocion të madh. Mënyra se si ata shohin në sy është e veçantë. Më vjen mirë që jemi rritur dhe tani mund ta shtrijmë këtë fondacion edhe në qytete të tjera në Gjermani.

Çfarë dëshiron për Krishtlindje një lojtar profesionist?

Jam i lumtur kur luaj futboll. E dashuroj profesionin tim. Shëndeti është dëshira ime më e madhe, aq më tepër pas asaj që më ka ndodhur në dy sezonet e fundit. Ndaj jam shumë i lumtur që gëzoj sërish shëndet të plotë dhe shpresoj që edhe në vitin 2020 të jetë i tillë.

nojer

Keni pasur frikë për karrierën tuaj në kohën e dëmtimeve?

Jo. Nuk kam dyshuar asnjëherë në rikthimin tim. I mora gjërat me qetësi dhe kështu arrita të luaj në Botërorin e 2018-ës, pas turneut nuk mendova asnjë sekondë për dëmtimin.

Sa të zhgënjyer ishit pas Botërorit në Rusi dhe cila sipas jush ishte pika më e dobët në skuadër?

Pas turneut të gjithë ishim në shënjestër. Zhvilluam një Botëror të dobët si skuadër, nuk mund të them emra të veçantë. Por unë nuk isha më i dobëti dhe këtë e panë të gjithë. Le të themi se ishte një Botëror ku na mungoi edhe fati.

Sa ndryshoi Manuel në kohën që vuante dëmtimin?

Jo shumë edhe pse kur je në moshën 32-vjeçare, mendja mund të thotë shumë gjëra. Kam jetuar pjesën më të madhe duke u marrë me sport. Nuk e di se çfarë do të bëja nëse do t’i jepja fund futbollit.

Çfarë ndodhi konkretisht? 

Kërkova ndihmën e disa miqve, të cilët më qëndruan pranë. Në kohë të tilla mendon më qartë dhe je gjithmonë me këmbë në tokë.

Ju tremb fakti që edhe pse jeni një personalitet në futboll, mund të harroheni lehtësisht?

Kjo punë kështu është. Kush dëmtohet, gazetat shkruajnë për 2-3 ditë me radhë dhe më pas dalin lajme të tjera. Lojtarë të tjerë dhe “Kicker” boton lajme të ndryshme. E tillë është jeta në futboll. Me atë ç’ka kaluar, bën mirë të mos merresh fare.

nojer

Në kohën kur kritikat mbi ju ishin të shumta, zhvilluat një ndeshje të madhe në Holandë, çfarë menduat më pas?

Unë gjithmonë mundohem të jap më të mirën time. Në ndeshjen ndaj Holandës isha edhe me fat pasi nuk kisha shumë punë. Skuadra bëri gjithashtu një ndeshje të mirë dhe kur të gjithë luajnë mirë, edhe për mua bëhet më e lehtë.

Janë gjermanët shumë të ashpër me kampionët e tyre?

Nuk e di se si funksionon në shtetet e tjera, ndaj nuk mund të bëj asnjë krahasim.

Para 20 vitesh qëndronit tek ultrasit, ndieni ndonjë ndryshim në krahasim me kohët e sotme? 

Shalke dhe Bajern janë shumë të ndryshëm, kjo në aspektin sesa i lumtur është një tifoz për barazimin apo fitoren. Përjetohet ndryshe te Shalke dhe ndryshe te Bajerni. Mund të them që shumë gjëra kanë ndryshuar në kombëtaren e Gjermanisë. Pse sot kur luajmë ndaj Bjellorusisë dhe Irlandës së Veriut stadiumet janë plot? Kjo nuk ndodhte para 6 vitesh, çfarë ka ndryshuar?

Pas Botërorit të fundit në federatën gjermane, ka pasur shumë ndryshime. Sa mund të ndikojë psikologjikisht kjo gjë për ju në Europian?

Në fakt, tani që u kualifikuam për në Europian dhe faktin që lamë pas Holandën, atmosfera duhet të jetë më e mirë. Ne kemi bërë mirë punën tonë, reflektuam nga gabimet e bëra në 2018-ën dhe tani u takon edhe të tjerëve për të bërë punën e tyre.

nojer

Si i përballoni kritikat ndaj federatës dhe skuadrës kombëtare?

Pas çdo ndeshjeje ne shkojmë dhe falënderojmë tifozët. Stërvitjet i bëjmë me dyer të hapura dhe marrim pjesë në aktivitete të ndryshme ku janë edhe tifo-grupet. Edhe pse koha që kalojmë me kombëtaren është e shkurtër, mund të them se jemi më të lidhur me tifozët seç kemi qenë më përpara. Ky është fakt.

Mund të përsëritet një verë ashtu si në 2006-ën duke parë që ndeshjet e grupit do t’i luani në Gjermani? 

Është diçka e re për të gjithë ne, edhe për tifozët. 2006-ta ishte shumë e bukur. Si do të shkojë Europiani? Nuk e di, do të na duhet të presim. Edhe Toliso, Pavard dhe Koman mund të thonë që po luajmë në shtëpi.

Po nëse nuk shkon mirë, do të jeni gati për atë të 2024-ës që do të luhet në Gjermani?

Jam ende në formë të mirë, mund të them se jam gati.

Si mund ta përshkruani ecurinë e kombëtares në 2019-ën?

Jemi në rrugën e duhur, edhe pse në fazën mbrojtëse nuk kemi pasur mundësinë për t’u treguar të sigurt. Në një turne, mbrojtja është shumë e rëndësishme. Në mars do të luajmë ndaj Italisë dhe Spanjës, është një mundësi e mirë për t’u përgatitur për ndeshjen e parë ndaj Francës.

Ka nevojë skuadra për të fituar trofe për një Nojeri si në 2014-ën? 

Na nevojitet qëndrueshmëri. Duhet të jemi të bashkuar në çdo repart. Nëse duhet një Nojer si në 2014-ën? Varet se sa lart luajmë në fushën e lojës.

Nojer

Sa talent ka ky grup lojtarësh me atë që fituan Botërorin? 

Kemi shumë lojtarë të talentuar. Këtë fazë mund ta krahasojmë me atë të 2010- ës dhe 2012-ës. Edhe në Europianin e 2012-ës kishim një skuadër të mirë, loja më e dobët e jona ishte pikërisht ndaj Italisë në gjysmëfinale. Kujtoj se ishim në një grup me Portugalinë dhe Holandën dhe arritëm të dilnim të parët. Në 2010-ën ishim një skuadër relativisht e re, ku dhe pritshmëritë ishin të pakta. Por arritëm që të kalonim ndaj Anglisë dhe Argjentinës duke u eliminuar në gjysmëfinale nga Spanja që në fund u shpall kampione e botës.

Duke parë kundërshtarët në grupin tuaj dhe vendin ku do të luani ndeshjet, mund të themi që jeni favoritë për të kaluar më tej?

Këtë nuk mund ta thuash në futbollin e sotëm. Nuk besoj se tifozët gjermanë presin mrekulli nga ne. Ndeshjet luhen në fushë dhe jo në tribuna. Tifozët na japin një stimul më shumë, kjo është e qartë, por lojën duhet ta bëjmë ne.

Është e vërtetë se pritet shumë nga ju dhe Kros?

Kush mendon kështu, e ka gabim. Ndeshjet luhen dhe fitohen si skuadër. Edhe në Brazil nuk kishte individë, por skuadër. Varet gjithmonë nga impenjimi që ka secili nga ne për të mirën e skuadrës.

E keni menduar një tërheqje nga kombëtarja nëse fitoni Europianin?

Nuk e kam menduar, pasi dëgjoj gjithmonë trupin. Nëse gëzoj shëndet të mirë, do të vazhdoj pasi më pëlqen të luaj, nëse jo, atëherë do të tërhiqem.

Nojer

Çfarë mendoni për debatin e vjeshtës me Ter Shtegen? 

E kam thënë edhe më parë, ai debat u fry më shumë seç ishte nevoja. Nuk kam pasur asnjë problem me Markun. Jemi të dy profesionistë dhe mundohemi të japim gjithmonë më të mirën tonë. Është normale që një portier me cilësi të tilla, që luan në një nga skuadrat më të mira mira në botë, kërkon të luajë nga minuta e parë. Por këtë zgjedhje e bën trajneri dhe jo unë. Nëse ai do të më thotë një ditë që duhet të pranoj stolin, do ta bëj.

Sa dhe si ndikojnë debate të tilla për pjesën tjetër të skuadrës? 

Mund të arrihet diçka vetëm nëse në skuadër ka harmoni, të lidhur për një qëllim. Debate të tilla janë të parëndësishme.

Tani në rolin e kapitenit, mund të pritet shumë nga skuadra? 

Në përgjithësi të gjithë i dinë detyrat e tyre. Roli im ka qenë gjithmonë i tillë, edhe në kohën kur isha zëvendëskapiten pas Filip Lahm. Detyra ime si portier kërkon shumë komunikim në fushën e lojës. Mund të vërehen shumë gjëra që një lojtar nuk mund t’i shohë nga fusha. Për mua është e rëndësishme që trajneri dhe lojtarët të komunikojnë me njëri-tjetrin. Pak rëndësi ka kush duhet ta bëjë.

Te Bajerni tema kryesore ka qenë Hansi Flik, çfarë mendimi ka Nojer?

Hansi ka bërë një punë shumë të mirë. Ne lojtarët jemi të kënaqur me të. Ai i thotë gjërat ashtu siç janë dhe kjo është shumë e rëndësishme për një lojtar. Mendoj se vendimi për të vazhduar me të ka qenë i duhuri.

Jeni pro apo kundër VAR-it? 

Mendoj se teknologjia është një ndihmë e madhe për arbitrat. Edhe pse kur është kundër teje kjo gjë të nervozon, por në fund rëndësi ka që vendimi të jetë i drejtë dhe të mos dëmtojë asnjë skuadër në fushën e lojës.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"