Flamurtari u falet të rinjve, Idrizi ngre alarmin: Ekipet po shkërmoqen, të mos nisë gara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2019 | 19:39

Flamurtari u falet të rinjve, Idrizi ngre alarmin: Ekipet po shkërmoqen, të mos nisë gara

Flamurtari jep shenja jete. Pas një periud he të gjatë heshtjeje vrastare, duket se më në fund gjërat po lëvizin.

Idrizi-750x430

Administratori Sinan Idrizi konfirmoi dje për “Panorama Sport” se në fund të këtij muaji do të prezantohet ekipi i ri. Sipas kreut të klubit, në pjesën më të madhe të tij, Flamurtari do të jetë një ekip që do të përbëhet nga futbollistë vlonjatë dhe të akademisë. Por drejtuesit do të bëjnë edhe tri ose katër blerje cilësore.

“Në fund të muajit, më 30 ose 31 korrik do të prezantojmë të gjithë ekipin. Do të nxjerrim në stërvitje djemtë tanë. Pjesa më e madhe do të jenë lojtarë vlonjatë të akademisë, por do të kemi edhe 3-4 blerje shumë të rëndësishme. Nuk do të presim gjatë tani. Javën e ardhshme do të nisim menjëherë nga puna dhe ekipi do të dalë në stërvitje”, tha fillimisht Idrizi.

TRAJNERI

Julian Ahmataj është në pritje të një telefonate nga Vlora. Palët kanë arritur akordin paraprak dhe tani mbetet vetëm zyrtarizimi. Por, administratori Sinan Idrizi ndërsa konfirmon edhe njëherë se shanset më të mëdha për t’u ulur në stolin e Flamurtarit i ka trajneri nga Elbasani, e lë prapëseprapë të hapur këtë mundësi, çka të lë të kuptosh se mund të ketë edhe një tjetër kandidaturë. “Besoj se trajner do të jetë Julian Ahmataj, por të shikojmë. Nuk e di, duhet të presim e të shohim edhe për këtë pjesë”, u shpreh administratori.

LIGA PROFESIONISTE

Flamurtari e bojkotoi mbledhjen e pak ditëve më parë të Ligës Profesioniste. Administratori Sinan Idrizi thotë se nuk e ka idenë se çfarë përfaqëson Liga, ndërsa deklaron se kampionati nuk duhet të fillojë pa u miratuar ligji për sportet. “Liga Profesioniste për çfarë është? Unë me qejf të madh marr pjesë në të gjitha mbledhjet e Ligës, por çfarë funksioni ka, të merret me klubet?

Apo të shkojmë atje, erdhëm, u pamë, na patë, folëm edhe ikëm. Ore e shikoni gjatë gjithë kësaj kohe një hap që është hedhur para? Të dalim dhe të themi se nuk fillon kampionati pa filluar zbatimi i ligjit për sportet. Unë e kam thënë dhe e them që më jepni një model si e financojnë këta të tjerët se mbase kanë gjetur çelësin e artë dhe ne nuk po e gjejmë dot që sjellin vetëm lekë. Si mund të fillojë kjo, kur na është thënë se do të kemi një ligj të ri të sportit? Si do të fillojë ky kampionat pa ligjin për sportin?

Ty po të shkërmoqen ekipet njëri pas tjetrit… Ky sistem nuk ekziston më o zotëri! Unë po të isha në mbledhjen e Ligës do t’u thosha: Zotërinj, pa u zgjidhur ligji për privatizimin e sporteve në Shqipëri, jo të mos luajnë fare, por të nxjerrin ekipe me kalamaj dhe kaq. Ja e shtynë edhe një javë kampionatin, po pastaj? U zgjidh gjë, jo”, përfundon Idrizi. Administratori i skuadrës vlonjate ka ngritur pikëpyetje të mëdha rreth Ligës Profesioniste dhe funksionimit të saj

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"