Flamurtari/ Merkato në muajin tetor, në Vlorë vjen një brazilian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2021 | 9:59

Flamurtari/ Merkato në muajin tetor, në Vlorë vjen një brazilian

Flamurtari nuk ndalet, bën merkato edhe në… tetor. Kjo kategori nuk të limiton për afrime dhe vlonjatët po shfrytëzojnë në maksimum këtë mundësi.

Klebson Freitas de Souza

Ashtu sikundër “Panorama Sport” pati paralajmëruar, ndodhi. Në Vlorë ka mbërritur një futbollist brazilian. Bëhet fjalë për Klebson Freitas de Souza, 18- vjeçarin që luan në mesfushë. Edhe pse nuk ka ndonjë përvojë të madhe dhe kjo për shkak të moshës, klubi është bindur për ta marrë prej cilësive të mira që ka.

Informacion për lojtarin nuk gjen shumë në rrjet, pasi nuk ka është aktivizuar me ekipe të njohur. Klebson Freitas nuk ka firmosur ende me kuqezinjtë dhe as është prezantuar nga klubi. Braziliani do të provohet dhe trajneri Dritan Resuli do të japë edhe aprovimin për qëndrimin apo jo të tij.

GRUPI

Flamurtari është një skuadër me shumë eksperiencë brenda. Vlonjatët këtë sezon kanë afruar emra të njohur, që kanë qenë pjesë e elitës. Ditmar Bicaj, Olsi Gocaj, Denis Pjeshka, Behar Ramadani, Lejdi Liçaj, Alked Çelhaka, Odaildo Souza Oliviera u kanë dhënë një tjetër pamje kuqezinjve. Këtyre lojtarëve u shtohen edhe Shpëtim Moçka e Andi Ribaj, të cilët ishin edhe vjet. Vlonjatët firmosën edhe me Aladin Sallakun, por marrëveshja u ndërpre pa nisur mirë aventura.

SUKAJ

Në Vlorë kanë akoma shpresa për Xhevahir Sukajn. Në kushtet kur u largua një lojtar me eksperiencë si Aladin Sallaku, klubi po kërkon një tjetër. Drejtuesit kanë rihapur pistën “Sukaj”. Administratori Sinan Idrizi i ka kërkuar ndihmë shkodranit si sulmues në fushë, por njëherësh i ka ofruar edhe postin e drejtorit. Megjithatë, Sukaj ka hezituar që të kthejë përgjigje. Ai nuk është dukur më në qytet që prej ditëve të para kur skuadra u grumbullua.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"