“Flamurtari, kurrë kaq keq”, portieri Koliçi: Kam disa oferta, sezonin e ri do luaj në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2019 | 23:25

“Flamurtari, kurrë kaq keq”, portieri Koliçi: Kam disa oferta, sezonin e ri do luaj në…

Enea Koliçi nuk do që ta dëmtojë Flamur tarin. Portieri pogradecar ende nuk mendon ta hedhë në gjyq klubin vlonjat, por pret që gjërat të zgjidhen me mirëkuptim sa më shpejt të jetë e mundur.

enea kolici

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Koliçi jep sinjale të qëndrimit në Superligë edhe këtë sezon, megjithëse ka pasur oferta nga Rumania dhe Greqia. Nëse gjërat rregullohen, ai shprehet i gatshëm për një tjetër rikthim në Vlorë.

Koliçi, keni pasur disa oferta deri tani. Pse nuk keni vendosur ende?

Po, është e vërtetë që kam pasur disa oferta dhe nuk kam vendosur ende. Besoj se për disa ditë do të vendos përfundimisht se ku do të luaj sezonin e ri.

Mund të thoni me cilin ekip jeni më afër?

Nuk mund ta them ende këtë gjë, pasi jemi në negociata, por besoj që edhe këtë sezon do të jem në Superligën e Shqipërisë.

enea kolici

Cilat janë ekipet që interesohen për ju në Superligë?

Janë disa ekipe, por nuk mund të them asnjë emër dhe më mirëkuptoni për këtë.

Ka pasur edhe interesime nga Rumania. Si është e vërteta?

Në Rumani është ende pista e hapur. Janë disa ekipe që janë të interesuara për mua, por, siç e thashë, do të jem pjesë e Superligës. Ende nuk jeni paguar për sezonin që shkoi te Flamurtari.

Do të prisni apo do ta çoni çështjen në gjyq?

Do të pres aq sa të jetë e mundur, por edhe pa dëmtuar ekipin e Flamurtarit.

E shikoni të mundshëm rikthimin në Vlorë, nëse gjërat përmirësohen këtë sezon apo më vonë?

Patjetër që po. Nëse gjërat përmirësohen, nuk do ta mendoja shumë rikthimin. Shpresoj të rregullohet çdo gjë për më mirë.

Flamurtari duket në kaos, nuk ka ekip dhe nuk ka nisur përgatitjet. Si e shikoni këtë situatë?

Normalisht, nuk është aspak situatë e këndshme. Kjo është në dorë të drejtuesve të ekipit për ta përmirësuar këtë gjendje. Duhet bërë çdo gjë shumë shpejt, sepse edhe kohë të mjaftueshme nuk ka. Për disa javë fillon kampionati dhe ekipi nuk ka marrë formë ende.

E keni parë ndonjëherë kështu Flamurtarin. Çfarë ndieni si një lojtar i akademisë vlonjate për këtë situatë?

Nuk mbaj mend ndonjëherë që Flamurtari të ketë qenë në këtë situatë të keqe, që duket se po bëhet edhe më keq. Nuk e meriton një ekip me këtë histori të jetë në këtë gjendje.

Keni ndonjë peng nga sezoni i shkuar? Po nga karriera juaj te Flamurtari?

I vetmi peng është që nuk arritëm të mbanim grupin që kishim. Kishim lojtarë edhe trajner cilësorë që bënin diferencën. Besoj që do të jetë shumë vështirë të shohësh një Flamurtar si i sezonit të kaluar.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"