Firmos Dragoj, Lushnja barazon me Flamurtarin në miqësore. Trajnerët Magani dhe Resuli të kënaqur nga ekipet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2024 | 20:14

Firmos Dragoj, Lushnja barazon me Flamurtarin në miqësore. Trajnerët Magani dhe Resuli të kënaqur nga ekipet

Lushnja nuk ka në plan që të ndalet në merkato. Shton sërish forcat në sulm, por këtë herë “pazarin” e ka përqendruar te Korabi. Ka marrë Erjon Dragonin, pogradecari që luan në linjën e majtë të ofensivës. Kërkonte diçka ndryshe pas përfundimit të pjesës së parë të sezonit dhe verdhejeshilët ishin opsioni më i mirë. Këtë e thotë vet 24- vjeçari, gjatë deklaratës së dhënë enkas për “Panorama Sport”:

LUSHNJA

“Kam firmosur dhe zyrtarisht jam lojtar i Lushnjës. Unë vetë kisha dëshirë të bëja diçka ndryshe. Gola me drejtuesit e Korabit për të lëvizur. Ramë dakord, që mund të lëvizja pa problem. Me çka më ofroi Lushnja mu duk opsioni më i mirë. E kam firmosur kontratën deri në fund të sezonit duke lënë hapësira bashkëpunimi për të ardhmen. Lushnjën e njoh dhe kam shumë shok aty. Më përshtatet dhe besoj shumë se do të bëj një kampionat shumë të mirë për pjesën e mbetur të sezonit”.

NDESHJA

Lushnja dhe Flamurtari barazuan 1-1 në një miqësore, të luajtur në stadiumin “Roza Haxhiu”. Të parët që kaluan në avantazh ishin verdhejeshilët me anë të mbrojtësit Roland Disha, në minutën e 20-të. Vlonjatët barazuan në minutën e 74-ët, me sulmuesin Estefano. Një miqësore që u zhvillua në prani të rreth 300 shikuesve, të pozicionuar në tribunën qendrore. Pjesa e parë ka qenë më e mirë për skuadrën e Gugash Maganit. Në formacionin ishte përfshirë titullar një nga afrimet e janarit, mesfushori Henri Sulovari. Në minutën e 20-të, fieraku me një krosim të përpiktë në zonë ka shërbyer për Dishën, që devijon saktë me kokë dhe shënon për 1-0. Vendësit kishin mundësi të thellonin rezultatin, por pas një gjuajtje kros e Sulovarit, topin e ndali shtylla. Një tjetër mundësi ishte dhe për francezin Lëru, që i vetëm përballë portierit Teqja nuk shënoi. Në pjesën e dytë, skuadrat ndryshuan pas zëvendësimeve të shumta. Te Lushnja aktivizohet edhe sulmuesi i afruar këtë janar nga Bregu i Fildishtë, Ibrahim Romeo Olola. Loja është e gjallë dhe nuk munguan përpjekjet dhe dëshira për të shënuar. Në minutën e 74-ët, Flamurtari barazon rezultatin. Pas një krosimi nga e majta, Estefano i futur në pjesën e dytë devijon topin me kokë dhe e përcjell në rrjetë. Në minutat e mbetura asgjë nuk ndryshon dhe Lushnja-Flamurtari mbyllet pa fitues.

Trajneri Magani: Jemi ndryshe, grupi po plotësohet

Gugash Maganit i ka shërbyer shumë kjo miqësore dhe për 1001 arsye. Nuk zgjodhi pa shkak Flamurtarin dhe këtë e shpjegon gjatë deklaratës së dhënë pas ndeshjes Për “Panorama Sport”: “Ne ndeshjen e parë të 2024-ës e luajmë në shtëpi, ndaj menduam që të provojmë veten me Flamurtarin. Nuk është ekip do si do, por pretendent për ngjitjen. Ishte zgjedhja e duhur. Ne vijmë nga ngarkesat, ndaj këmbët e disa lojtarëve ishin të rënda. Prandaj bëmë ato zëvendësimet dhe nuk i futëm të gjithë lojtarët.

Për hir të së vërtetës, pozitive është që nuk kemi dëmtime. E rëndësishme është që skuadra në pjesën e parë, sa ishte grupi kryesor, zgjidhi situata dhe luajti mirë. Patëm ekuilibra dhe raste. Edhe mund të ishim ndëshkuar, por edhe mund ta kishim thelluar. Pjesa e dytë ka qenë jo si e para. U futën lojtarë të tjerë që pretendojnë të luajnë, por normalisht nuk bëjnë diferencën. Mendoj që ne po punojmë me një standard. Marshi i gabimit tonë në përzgjedhje është shumë i vogël. Na munguan në këtë test Canka, Magani dhe Dragoj. Mungoi edhe braziliani që ka firmosur me ne, ndërsa Kananajn nuk donim ta rrezikonim. Me këta të pestë, grupi është i plotë. Me këtë nivel që kemi, do të jemi shumë më ndryshe se sa në fazën e parë”.

Trajneri resuli: Duam pak kohë, muskuj të ngarkuar

Dritan Resuli vlerëson paraqitjen e të tijve në këtë miqësore, ndonëse mendon se u duhet ende pak kohë që të futen në ritëm. “Gjatë këtyre ditëve, ekipi ka vrapuar shumë. Seancat kanë qenë shumë të ngarkuara. E zgjodhëm ta luanim në Lushnjë, që t’i përshtatemi sa më shumë para rinisjes së garës tjetër. Në përgjithësi jam i kënaqur, duke përjashtuar disa problematika të vogla. Them që na vlejti shumë për t’i dhënë përgatitjeve atë rifiniturën përfundimtare për javën e 17-të.

Ndryshuam edhe modul. Pamë disa situata. Shpeshherë ishim afër golit, patëm disa problematika te pjesa e sulmit që mbeten për t’i përmirësuar. Ndeshjet testuese gjithmonë janë të mira. Muskujt janë të ngarkuar. Kanë qenë rreth 10-12 ditë, që kanë punuar me ngarkesa të larta. Ka kohë akoma për t’u futur në ritëm. Në përgjithësi jam i kënaqur, por kjo nuk duhet të dalë nga goja ime sepse kërkojmë akoma shumë e më shumë”, tha trajneri i Flamurtarit.

lu

ALBAN ALUSHI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"