Finalja me Tomorin, sulmuesi i Burrelit: Sakrifikoj që të shënojmë të parët, na dëmtuan “xhaketat e zeza”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2021 | 17:10

Finalja me Tomorin, sulmuesi i Burrelit: Sakrifikoj që të shënojmë të parët, na dëmtuan “xhaketat e zeza”

Burreli nuk po i ndal përgatitjet. Finalja me Tomorin po afron dhe skuadra po merret me detajet e fundit. Lojtarët janë të karikuar më shumë se kurrë për ta kaluar këtë pengesë dhe pasur ende shpresa për rikthimin në Kategorinë Superiore. Luhet në “Elbasan Arena” dhe përballë një kundërshtari që nuk e njohin shumë, megjithatë stafi teknik ka marrë masat e nevojshme.

raboshta

Po analizojnë beratasit, duke nxjerrë në pah pikat e forta dhe të dobëta. Në radhët e ekipit nuk mungon optimizmi dhe kjo duket qartazi në deklaratën e dhënë nga Jasmin Raboshta enkas për “Panorama Sport”. Sulmuesi shpreh keqardhje që nuk u ngjitën dot direkt në elitë, por garanton se në fushë do të japin shpirtin të mërkurën. “Është një ndeshje që e kemi vlerësuar në maksimum, pasi Tomori ka ekip të mirë dhe lojtarë me shumë eksperience. Burreli duhet të ishte në Kategorinë Superiore tani që po flasim. Po të kishte qenë gjykimi korrekt nga ‘xhaketat e zeza’, që na penalizuan do të kishim një tjetër pozicion.

Kemi pasur ekipin më të mirë, ndërkohë që edhe pse me mungesa, do të japim maksimumin në fushën e lojës. Do ta fitojmë këtë ndeshje dhe të mendojmë më pas për përballjen me të 8-ën e elitës. Premtoj se do të sakrifikoj në vijën e sulmit, në mënyrë që ekipi ynë të shënojë i pari. Kam shumë besim te shokët e ekipit që do ta kalojmë këtë ndeshje vendimtare dhe do të arrijmë objektivin madhor të Burrelit”, përfundoi shkodrani, i cili këtë sezon e ka gjetur 7 herë rrugën e rrjetës.

DRITAN KURTI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"