Fetollari “sfidë” Tiranës: Kanë bërë merkato “të bujshme”, por nuk janë ambientuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2017 | 12:06

Fetollari “sfidë” Tiranës: Kanë bërë merkato “të bujshme”, por nuk janë ambientuar

Pogradeci pret sot Tiranën, e ardhur rishtas në Kategorinë e Parë. Interesi për këtë duel është realisht i madh, jo vetëm pasi duan që të shohin ekipin e zemrës, por edhe kundërshtarin. Trepikëshi është gjithnjë objektiv, por nëse ia dalin përballë klubit më titullar në vend, sigurisht që vlerat do t’i shtoheshin.

Fetollari

Ndaj edhe Festim Fetollari kërkon prej të tijve mobilizim maksimal. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri thur “elozhe” për rivalin, megjithatë beson te surpriza. “Sezoni i ri sa ka filluar dhe Pogradeci i ka të qarta synimet. Do të këmbëngulim për vendin e parë, por rivaliteti dihet që do të jetë i madh, ndaj duhet shumë kujdes. Jemi tepër të qetë në çdo vendim, ndaj dhe loja jonë është tepër efektive.

Pogradeci

Duam të tregojmë vlerat që ka Pogradeci. Jemi tepër kompaktë në stërvitje, por një gjë të tillë duhet ta shpalosim javë pas jave edhe në fushë. Problemi i vetëm janë mungesat, pasi nesër (sot) duhet t’i bëjmë llogaritë pa dy lojtarë të rëndësishëm. Megjithatë besoj te grupi im dhe kushdo që të zbresë në fushë do të japë maksimumin.

Dua që të japin më të mirën kur luajnë në ndeshje të tilla, pasi pikët ndaj Tiranës ndikojnë ndjeshëm edhe në moralin e grupit. Pogradeci është një ekip që qarkullon ndjeshëm topin dhe kolektiviteti është arma kryesore e jona. Nisur nga kjo, unë parashikoj që ndeshja do të jetë realisht e bukur.

Pogradeci Tomori

Pres që skuadra të jetë e kujdesshme edhe në prapavijë. Duhet që të mos pësojmë dhe më pas të shpresojmë që me kundërsulmet të shënojmë. Tirana është e fortë dhe ka bërë ‘bujë’ me blerjet e veta në merkato, megjithatë nuk mendoj se ata janë ambientuar dhe kjo do të na e bëjë më të lehtë për të marrë rezultat pozitiv”, përfundoi trajneri i Pogradecit.

Pëllumb Starova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"