“Fërkimi me vaj”, fizioterapisti dhe Gjika tallin Idrizin: Dashke dhe lekë ti nga Flamurtari!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2018 | 23:01

“Fërkimi me vaj”, fizioterapisti dhe Gjika tallin Idrizin: Dashke dhe lekë ti nga Flamurtari!

Tallje pa para! E mbani mend atë “çunin që të fërkon me vaj”, i cili pretendon mbi 12 mijë euro të padhëna nga klubi vlonjat, por që snobohet nga Sinan Idrizi? Pas ndeshjes PartizaniSkënderbeu është bërë i gjallë dhe pas ironisë së administratorit të Flamurtarit, ishte radha e tij të tallej me bosin e vlonjatëve. Por, jo vetëm. Në këtë “krim” ai ka pasur një bashkëpunëtor, shumë të dëgjuar në Vlorë, siç është Shpëtim Gjika.

ervin kapaj flamurtari

Ervin Kapaj me ish-lojtarët e Flamurtarit katër vite më parë

Bëhet fjalë për Ervin Kapajn, ish-fizioterapistin e Flamurtarit, që duket se nuk e ka përtypur lehtë batutën e Idrizit dhe në “Facebook” shkruante me ironi ndaj bosit të vlonjatëve, duke iu referuar edhe riaftësimit në kohë rekord të Muzakës. “Me pak vaj të mirë u rikuperua në kohë rekord Gjergji Muzaka”, shkruante dje në rrjetin social Kapaj, duke kujtuar golin e mesfushorit në sfidën me Partizanin.

Por, fjalët e Kapajt nuk ishin gjë fare në krahasim me batutën epike të Shpëtim Gjikës. “O Ervin, ti je ai që fërkon mo? Dashke dhe lekë ti nga Flamurtari!” Më pas biseda mes Gjikës dhe Kapajt vazhdon me kunja vlonjatësh dhe me fizioterapistin që së bashku me ish-presidentin “bëjnë për një lek” idetë e Idrizit. “Për atë fërkim bëra 6 vjet shkollë kryetar. Ëndërr e kam të fërkoj një herë tek ai stadiumi 20.000 vendesh që po bëhet në Vlorë”, përgjigjet Kapaj. Ndërsa Shpëtim Gjika, një kritik i Idrizit ia kthen: “Hahaha, ëndërr është, bën vaki dhe nuk del!” Në lojë futet dhe Klodian Xhelili, ish-portieri i Flamurtarit që i drejtohet Kapajt, duke e vazhduar edhe më shumë lojën: “Rri mirë ore Ervin Kapaj, mos u merr me llafe se gati është, thjesht çështje procedurash”.

gjika ervin kapaj

ÇFARË THA IDRIZI

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, i kontaktuar nga “Panorama Sport” u është përgjigjur me batuta dhe ironi pretendimeve të ish-fizioterapistit pak ditë më parë. “Unë nuk merrem fare me atë. Nëse e ke fjalën për ata që fërkon hoteleve, është problem tjetër. Ky është ai çuni që fërkon me vaj, nuk e di, nuk kam informacion për këtë. Mund të jetë e vërtetë, mund të ketë marrë edhe 100 mijë euro, edhe 200 mijë euro. Le ta çojë çështjen ku të dojë, nuk e ka çuar edhe në OKB. Unë nuk e kuptoj, u jepet shumë rëndësi këtyre gjërave”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"