“Europiani një ëndërr, Silvinjo solli frymë tjetër”, rrëfehet mbrojtësi i Kombëtares: Ja pse zgjodha Portugalinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2024 | 23:57

“Europiani një ëndërr, Silvinjo solli frymë tjetër”, rrëfehet mbrojtësi i Kombëtares: Ja pse zgjodha Portugalinë

Enea Mihaj është gjithmonë i gatshëm për ekipin kombëtar, pavarësisht se hapësirat në mbrojtje janë disi të ngushta. Mbrojtësi, që është pjesë e Famalikaos, tregon sesi ndihet në Portugali dhe pse zgjodhi këtë kampionat, kur kishte oferta edhe më të mira në anën financiare.

mihaj

Ai gjithashtu ka një koment për Kombëtaren shqiptare, punën e Silvinjos në ekip dhe Europianin e Gjermanisë në muajin qershor: “Jam i lumtur në Portugali dhe në skuadrën e Famalikaos. Kam ritëm konkurrues dhe jam duke u zhvilluar dita-ditës. Këto janë dy gjërat më të rëndësishme për një futbollist. Kisha disa propozime që ishin më të mira financiarisht, por doja të luaja në një ligë ku mund të rritesha dhe prandaj zgjodha Portugalinë”, tha në fillim të intervistës Enea Mihaj.

KOMBËTARJA- Mbrojtësi i qendrës që është grumbulluar edhe nga Silvinjo në eliminatoret e Europianit, flet për Kombëtaren shqiptare dhe ndryshimin që ka sjellë trajneri brazilian në ekip:

“Jam shumë i lumtur dhe krenar që arritëm të kualifikoheshim dhe që mora pjesë në këtë rrugëtim. Është hera e dytë në historinë e Shqipërisë që ia del mbanë të kualifikohet për në Europian. Në vitin 2016 dhe 2024. Është një ëndërr e realizuar. Punoj çdo ditë për t’u përgatitur, është ëndrra e çdo futbollisti të jetë në një kompeticion të tillë.

Silvinjo solli një frymë tjetër në Kombëtare, ai ishte një futbollist i madh dhe ka shumë njohuri. Besoj se do të arrijë në nivel shumë të lartë në të ardhmen. Ai na ka ndihmuar shumë si grup dhe është një pjesë e madhe e suksesit”, shtoi ai për “Sportime”.

PAOK- Mihaj mbërriti në verën e vitit 2019 te klubi grek, por për tri vite qëndrim, ai mendon se aventura e tij mund të kishte shkuar më mirë nëse nuk do ta penalizonte një dëmtim i rëndë që pësoi:

“Kam qëndruar në PAOK për 3 vite. Po të mendosh për vitet dhe aktivizimet që kam pasur, nuk kanë qënë ideale. Sigurisht që një dëmtim i rëndë më kushtoi vitin tim të dytë në ekip. Në atë vit skuadra u eliminua nga garat europiane. E kuptoni sa e vështirë ishte të shfrytëzoja shanset e mia. Megjithatë, më vonë e tregova se mund ta ndihmoja ekipin. Mendoj se kam arritur gjërat që kam ëndërruar, kemi fituar një titull kampion dhe kemi shkuar shumë larg në Europë.

Mendoj se karriera ime te PAOK mund të ketë pasur një zhvillim tjetër, por ende nuk mund ta di. Sa i përket trajnerëve që kam punuar, me Abel Ferreirën mësova shumë. Me Pablo Garsinë nuk punova shumë, por ai i bëri lojtarët që të luanin me shpirt. Luçesku është një trajner special. Për momentin nuk e mendoj të kthehem në Greqi, por nuk dihet kurrë se çfarë do të sjellë e ardhmja”, përfundoi Mihaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"