Erzeni-Laçi/ Kurbinasit me luhatje, Josa kërkon reagimin e skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2023 | 10:10

Erzeni-Laçi/ Kurbinasit me luhatje, Josa kërkon reagimin e skuadrës

Laçi ndërpreu serinë e rezultateve pozitive me Mirel Josën në krye të pankinës, teksa në ndeshjen e javës së fundit të fazës së parë ndaj Kukësit, skuadra humbi minimalisht 1-0.

laci

Dy fitoret radhazi ndaj Tiranës dhe Skënderbeut krijuan bindjen në kampin kurbinas se ekipi do të vazhdonte ecurinë pozitive, por loja ndaj Kukësit la për të dëshiruar dhe ekipi nuk shmangu dot as humbjen.

Gjatë ditëve të fundit trajneri Josa ka punuar shumë me grupin e lojtarëve, jo thjesht në aspektin taktik, por edhe atë psikologjik, për të shmangur sa më shumë këto luhatje. Sot në orën 17:00 Laçi luan ndaj Erzenit në kryeqytet, aty ku shijakasit janë pritës në stadiumin “Arena e Demave”.

Trajneri ka disa dilema sa i përket formacionit, duke filluar nga mbrojtja dhe krahët e sulmit. Lojtarët e afirmuar këtë sezon me fanellën bardhezi si Arlind Kurti dhe Ledjo Tresa, kanë shanse të kthehen titullarë.

Pritet që skema 4-3-3 të konfirmohet edhe në këtë takim, me anglezin Sobouejll në majën e sulmit. Në fazën e parë dy skuadrat prodhuan një ndeshje spektakolare në Laç, që përfundoi me shifrat 3-3 dhe në fund solli shkarkimin e trajnerit Stavri Nica.

Pas 9 javësh kampionat, bardhezinjtë pozicionohen në vendin e tretë me 13 pikë, ndërsa shijakasit janë të shtatit me 11 pikë. Objektivi i bardhezinjve është që deri në fund të sezonit të jenë brenda katërshes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"