Emiljano Çela thirrje për mbështetje në stadium: Kastrioti është në rritje, sot ndaj Teutës fitojmë me tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2022 | 9:59

Emiljano Çela thirrje për mbështetje në stadium: Kastrioti është në rritje, sot ndaj Teutës fitojmë me tifozët

Kastrioti pret sot Teutën në një ndeshje, në të cilën të besuarit e Emiljano Çelës do të synojnë marrjen e tri pikëve pas lojërave të mira të zhvilluara në javët e fundit. Vetë tekniku shprehet se ka besim se të tijtë do të japin më të mirën e tyre në këtë ndeshje. Duke folur shkurtimisht për gazetën, tekniku Çela tregon se atmosfera në skuadër është pozitive.

EMILJANO CELA 1

“Atmosfera në skuadër është e mirë, kampionati ka hyrë tashmë në një fazë shumë të vështirë, ku gradualisht përcaktohen edhe objektivat e skuadrave.

Besoj se kemi pasur një rritje graduale nga ndeshja në ndeshje, shpresoj të vazhdojmë me të njëjtat ritme dhe të ngjitemi më lart në renditje”, tha fillimisht tekniku, i cili Teutën e cilësoi si një kundërshtar që ka ndërthurje dhe ka kualitete.

“Teuta është një ekip shumë i mirë që më pëlqen, sepse ka një ndërthurje shumë të mirë lojtarësh nga ato me eksperiencë dhe disa lojtarë të rinj e të talentuar nga shkolla durrsake.

Është ekip që meriton të vlerësohet maksimalisht si të gjitha ekipet e tjera”, tha Çela. I pyetur mbi kontingjentin dhe shkallën e dëmtimit të mesfushorit Edon Hasani, konfirmoi që dëmtimi i mesfushorit ka qenë i lehtë dhe sot do të jetë i gatshëm. Në fund tekniku foli edhe për mbështetjen e munguar nga tifozëria kundrejt skuadrës.

“Normalisht të luajturit në një fushë larg Krujës ka ndikimin e vet, ndaj edhe mendoj që mungon kjo mbështetja masive, por ne jemi ndier mirë edhe me ata pak tifozë që na kanë mbështetur.

Do të kërkoja dhe do të shpresoja që në ndeshjet e ardhshme, duke filluar nga kjo me Teutën, ky numër të vijë në rritje pasi performancat e skuadrës kanë qenë të mira”, përfundoi tekniku. Kastrioti në 6 javët e para të kampionatit ka arritur që të grumbullojë gjashtë pikë.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"