EKSKLUZIVE/ “Vllaznia-Partizani? Jo deçizive”, Bitri pret 3 pikë në Shkodër: Klubit i kam premtuar që deri në fund… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2021 | 21:29

EKSKLUZIVE/ “Vllaznia-Partizani? Jo deçizive”, Bitri pret 3 pikë në Shkodër: Klubit i kam premtuar që deri në fund… (E PLOTË)

Që të gjesh një qendërmbrojtës në Shqipëri, i cili është në moshë të re, ofron garanci në prapavijë, lufton për klubin dhe shënon edhe gola, është thuajse një mision i pamundur. Por, këtë sezon e kemi një emër dhe ai është Eneo Bitri.

bitri

Gjiganti i prapavijës së kuqe, vetëm 24 vjeç, po bën një sezon të shkëlqyer për “demat”. Paraqitjet e tij janë rritur ndjeshëm dhe së bashku me Belicën, duken një mur i pakalueshëm. Një titullar i padiskutueshëm nën urdhrat e Ilir Dajës, Bitri, thekson se ka ende për të dhënë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi 24-vjeçar flet për sfidën me Vllazninë, partneritetin me Belicën, objektivin e klubit dhe për objektivin personal, ku zbulon një premtim që i ka dhënë skuadrës në fillim të sezonit.

Jeni një ndër lojtarët më me shumë minuta dhe një titullar në formacionin e Dajës. Sa vlerësim është ky për ju dhe si e shihni deri më tani sezonin në aspektin individual?

Mendoj se është një vlerësim i madh ndaj meje. Kam treguar dhe veten në këtë sezon dhe është edicioni më i mirë që kam bërë me fanellën e Partizanit. Për këtë gjë dua të falënderoj të gjithë shokët e skuadrës që më kanë ndihmuar, si dhe stafin teknik dhe drejtuesit për besimin që më kanë dhënë.

Së bashku me Belicën, keni krijuar një dyshe shumë solide. Keni shënuar më shumë, por Belica ka shënuar në derbi. Jeni “xheloz” për këtë detaj?

Me Belicën jam shumë i kënaqur, kemi bërë një sezon shumë të mirë deri më tani. Jemi dhe shumë miq jashtë fushe, prandaj jam shumë i lumtur që ai ka shënuar në derbi, ku na ndihmoi të marrim një trepikësh shumë të rëndësishëm. Unë nuk jam aspak xheloz për të që ka shënuar në derbi, rëndësi ka të shënojnë të gjithë dhe të marrin rezultatet e duhura.

Vllaznia-Partizani po konsiderohet si një sfidë që mund të vendosë fatet e sezonit. Ju, ndani të njëjtin mendim?

Nuk mendoj se do të vendosë fatet e sezonit për asnjërën skuadër, sepse janë edhe 11 javë përpara. Por, që është një ndeshje shumë e rëndësishme, kjo nuk ka pikë dyshimi. Ka rëndësi të madhe për vazhdimësinë, mendoj se duhet t’ia dalim kundër Vllaznisë, sepse e kemi rival direkt.

Deri më tani kanë qenë vetëm 4 ekipe që luftonin për kreun, por Tirana pa bërë shumë zhurmë, duket se po afrohet. E shihni Tiranën si rivale për titullin?

Të gjitha ekipet janë mjaft interesante, duelet janë interesante. Nuk ka skuadra të dobëta në Superiore, të gjitha janë skuadra të forta në kampionatin tonë. Tirana ka bërë vazhdimësi mjaft të mirë dhe mendoj se të gjitha ekipet që janë afër vendeve të para të renditjes, janë rivalë për titullin kampion.

Për herë të parë këtë sezon, keni pasur 2 javë kohë për të përgatitur një ndeshje. Si është situata në grup dhe a jeni optimistë për sfidën kundër Vllaznisë?

Situata është optimale, jemi të plotë dhe trajneri ka mundësi të zgjedhë. I takon trajnerit të vendosë se cilët lojtarë do të hidhen në fushë.

Vrapi në intervistë tha se avantazhi i Partizanit është në sulm. Ju personalisht, ju ndihmon fakti që keni lojtarë kualitativë përpara, pasi mund ta bëjë punën më të thjeshtë për ju?

Endri ka thënë diçka të vërtetë, kemi sulmin më të mirë në Superiore. Por, ne kemi dhe mbrojtjen e dytë më të mirë në Superiore, pasi Partizani luan në grup. Sulmojmë të gjithë bashkë dhe mbrojmë të gjithë bashkë.

Këtë sezon, me të drejtë Partizani është konsideruar si ekipi favorit për t’u shpallur kampion. Çfarë objektivash keni si klub?

Në fillim të sezonit ishin shumë skeptikë ndaj ekipit tonë, pasi na shikonin si një ekip pa blerje, pa merkato. Mendoj se objektivat e Partizanit dihet cilët janë: Në çdo ndeshje futemi për fitore dhe të kapim majën e tabelës.

Në sfidën e parë kundër Vllaznisë në Shkodër, u pësuat në fund me një kundërsulm. Duke pasur parasysh këtë detaj, do të jetë Partizani pak më i rezervuar apo do të luftoni vetëm për tri pikët?

Duke parë ndeshjen e parë, ka qenë një gol që kemi pësuar që mund ta quaj aksidental. U pësuam me kundërsulm kur ishim në momentin tonë më të mirë. Në këtë ndeshje do të kënaqem vetëm me tri pikët, edhe nëse fitojmë duke mos luajtur bukur.

Ekipi që humbet në këtë sfidë, mund të themi se del nga gara për titullin kampion?

Mendoj se asnjëra nga skuadrat nuk del nga gara për titull, pasi janë 33 pikë në lojë. Si ne, si Vllaznia, sido që të shkojë ndeshja, do të jemi në lojë deri në fund për titullin kampion. Po e shohim si po shkon kampionati, me shumë ulje-ngritje, prandaj them se gara do të jetë deri në fund.

A do të shënojë Bitri kundër Vllaznisë dhe t’i japë fitoren Partizanit?

E rëndësishme fillimisht është të shënojmë. Pastaj nëse shënoj, do të ishte diçka plus për mua, pasi i kam premtuar klubit se do të arrij të shënoj 5 gola këtë sezon

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"