EKSKLUZIVE/ U arrestua se dhunoi futbollistin, ja çfarë deklaroi trajneri Novi për gazetën: Më goditën me grusht, u futën tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2024 | 21:55

EKSKLUZIVE/ U arrestua se dhunoi futbollistin, ja çfarë deklaroi trajneri Novi për gazetën: Më goditën me grusht, u futën tifozët

Neritan Novi mohon kategorikisht të ketë goditur lojtarin që ai e ka pjesë të skuadrës, Albi Selimaj. Trajneri gjirokastrit i Butrintit ka treguar dje për “Panorama Sport” të gjithë zanafillën e sherrit, që nga ndërhyrjet për një sulmues nga Kili dhe deri te goditja që ai ka marrë në tunel.

novi

“Kjo është një histori ku unë jam shumë i qetë dhe i pastër nga gjithçka që aludohet në portale lidhur me emrin tim. E vërteta e vetme e kësaj ngjarjeje është kjo që do të them për ju. Një person që punon në një nga portalet lokale këtu në Sarandë, ka bërë rolin e ndërmjetësit për të sjellë te Butrinti një sulmues nga Kili, për të cilin ramë dakord që të testohej dhe më pas të merrej vendimi nëse do të qëndronte apo jo.

Mirëpo, pasi pamë futbollistin, vendosëm që nuk na bënte punë për atë që kërkojmë ne në repartin e sulmit. Të gjitha shpenzimet ia kemi hequr si klub për ditët e qëndrimit këtu. Ndërsa personi që e solli ka ruajtur inatin nga fakti që nuk e mbajtëm, me pretendimet se i kishte paguar gjysmën e biletës. Në ndeshjen miqësore me Memaliajn, sulmuesin nga Kili nuk e futa në formacion, pasi do të provoja të tjerë lojtarë, ndërsa më kërkohej llogari për këtë. Mirëpo, pas pushimit të pjesës së parë me rezultatin 2-0, teksa po futeshim në tunel, më vjen lojtari që kam në skuadër, Albi Selimaj, i ndikuar direkt nga personi që kishte sjellë sulmuesin nga Kili”, ka treguar fillimisht Novi.

SHERRI

Por si u fut 21-vjeçari Selimaj në këtë histori? Trajneri i Butrintit jep këtë sqarim për atë që ndodhi në tunel. “Selimaj më kërkonte shpjegime pse nuk e aktivizoja dhe i thashë me qetësi, që të priste se do të komunikonim më pas për këtë çështje. Me insistim lojtari po më thoshte që ‘dua sqarim tani’. Ishte një skenë jo e hijshme, sepse po shikonin edhe tifozët e pranishëm në stadium. Në këtë moment zbres shkallët që të çojnë në dhomat e zhveshjes dhe ndërkohë Selimaj më afrohet bashkë me vëllanë e tij, i cili më goditi direkt me grusht.

Nga ai çast, lojtari dhe vëllai i tij nuk e kanë marrë vesh nga janë futur dhe nga kanë dalë, pasi është bërë një kaos i vërtetë në tunel. Por, kjo nuk ndodhi nga Novi, që është viktimë në këtë histori, por nga tifozët që pasi panë skenën, erdhën dhe u futën brenda. Kjo është e gjitha dhe mbaj përgjegjësi të plotë që nuk kam goditur askënd. Ndërsa mua më kanë goditur, qoftë lojtari Selimaj, ashtu edhe vëllai i tij. E vërteta është kjo dhe për fat të mirë, në ambientet ku ka ndodhur sherri ka kamera, pasi jemi në stadium brenda.

Personat që e stisën këtë histori kundër meje, e reklamuan në portale dhe më pas e shuajtën nga faqja që mban emrin e Butrintit, por që nuk është e klubit. Harrojeni që unë mund të kem goditur lojtarin. Për çfarë duhet të godas unë, është çmenduri. Të shkojnë dhe të bëjnë denoncim, jam i pastër në këtë histori. Askush nga ata që kanë qenë nuk ka shans të thonë që unë i kam prekur me dorë, ndërsa unë jam sulmuar duke bërë detyrën time”, deklaroi Novi.

Shënim: Intervista e trajnerit Neritan Novi për “Panorama Sport” është kryer gjatë ditës së djeshme, ndërkohë sot ai bashkë me trajnerin Dhiogjen Muça janë arrestuar nga policia e Sarandës për incidentin me lojtarin.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"