EKSKLUZIVE/ Tirana “peshkon” Kukësin, Halili: Duam dy trofetë, deri në fund për gjithçka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 8:48

EKSKLUZIVE/ Tirana “peshkon” Kukësin, Halili: Duam dy trofetë, deri në fund për gjithçka

Tirana do të luajë në gjysmëfinalen e Kupës ndaj Kukësit, ndërkohë që presidenti i Tiranës deklaron se ky trofe është një nga dy objektivat që ka klubi.

REFIK HALILI

Edhe pse nuk ka dashur të flasë gjatë për përballjen apo gjendjen e grupit, Halili enkas për “Panorama Sport” pranoi se kërkon nga skuadra, që këtij kompeticioni do t’i shkohet deri në fund, ndërsa vlerësoi edhe kundërshtarin, paçka gjendjes që ka.

“Kukësi paçka ku ndodhet ka vlerësimin maksimal. E konsideroj një përballje të vështirë. Ne kemi qëllim vetëm finalen dhe trofeun, por do të jetë një garë e fortë. Nga ana tjetër, Tirana do të luajë edhe në kampionat, pasi ai është objektiv primar. Qëllimi ynë mbeten të dy trofetë dhe ne do të bëjmë çmos t’i shkojmë në fund si kampionatit dhe Kupës për të marrë trofetë”, deklaroi presidenti Halili.

DINAMO – Tirana vazhdon të ketë edhe këtë ndeshje probleme në mbrojtje. Kjo sepse do të mungojë Erjon Hoxhallari. Në këto kushte bardheblutë janë pa një qendërmbrojtës. Skuadra ka vetëm Lulajn, Haxhiun, Përgjonin dhe Micin, që mund të luajnë në qendër. Gjithsesi, bardheblutë shpresojnë shumë te rikthimi i Filip Najdovskit. Përsa i përket formacionit, nëse nuk ia del Najdovski, Mici do të jetë titullar së bashku me Përgjonin dhe Haxhiun. Në mesfushë Jonuzi, Deliu dhe Lushkja. Në sulm treshja Latifi-Abazaj dhe Nikqi. Ndoshta Patrik do ta nis nga stoli. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë. Fakt është që Tirana do të ketë mungesën e Hoxhallarit dhe Metës në mbrojtje. Najdovski mungon në një ndeshje kampionati prej 11 shkurtit 2024 në barazimin 1-1 ndaj Erzenit. Në atë ndeshje, Filipi luajti si mesfushor qendre dhe prej asaj dite është shpallur i dëmtuar.

MERKATO – Gjashtë lojtarë i janë larguar Tiranës këtë janar. Hasani, Hila dhe Kaina së bashku kishin shënuar 16 gola, ose rreth gjysmën e golave të realizuar në dy fazat e para të kampionatit. Pak a shumë Tirana ka ndryshuar të gjithë repartin ofensiv. Dy të ikurit e parë nga bardheblutë ishin Hasani dhe Hila. Më pas Kaina, Doka, Qefalija dhe Ballhysa. U afrua vetëm Nikqi, i cili ishte në formë huazimi te Teuta.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"