EKSKLUZIVE/ Tirana dhe Partizani “dhëmbë për dhëmbë”, Batha: Ja kush e vendos titullin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2023 | 20:38

EKSKLUZIVE/ Tirana dhe Partizani “dhëmbë për dhëmbë”, Batha: Ja kush e vendos titullin (E PLOTË)

Kur i bën vlerësimet nga jashtë ekziston rreziku të gabosh, sepse nuk njeh mirë situatat dhe gjendjen reale të një skuadre. Mirëpo këtu bën përjashtim një si Idriz Batha, i cili ka eksperienca të gjata dhe të suksesshme, si me Tiranën ashtu edhe me Partizanin. 

BATHA 1

Kapiten me të dyja skuadrat, kampion me bardheblutë dhe një ndër të paktët që respektohet shumë edhe nga kampi i kuq. “Nuk shoh diferenca mes dy skuadrave, megjithëse më duket goxha emocionuese që pas fazës së tretë janë të dyja me pikë të barabarta në krye”, thotë mesfushori i rumunëve të UTA Arad ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Idi, kur e keni parë një Tirana-Partizani kaq rivalizues për titullin? Jemi në prill dhe janë të dyja në krye me pikë të barabarta…

Jo, të them të drejtën, kaq lart në këtë periudhë të sezonit të dyja njëkohësisht nuk i mbaj mend… Ose ka qenë njëra, ose tjetra, pavarësisht se kur ndesheshin mes tyre rivaliteti nuk bënte dallim dhe situata elektrizohej gjithnjë.

Ka më shumë merita Tirana apo Partizani për gjendjen ku janë?

Kanë pak diferenca dhe kanë histori të ngjashme brenda një sezoni. Luhatje, humbje, madje për ironi edhe sulmuesit kryesorë u ikën të dyjave në janar… Kanë realisht pak diferenca mes tyre, por edhe me ndjekëset. Mua sinqerisht më pëlqen shumë Egnatia.

Vërtet?

Po, vërtet. Janë një ekip që luan futboll cilësor, janë të guximshëm dhe mund të ndërrojnë deri në fund, pavarësisht se Partizani dhe Tirana mbeten favorite, kjo nuk ka diskutim.

Po Vllaznia?

Vllaznia më ka çuditur disi… ka shumë potencial, por është shkëputur shumë. Nuk e di pse, por prisja të ishte më afër kreut.

Mes Tiranës dhe Partizanit kush ka më shumë shanse të shpallet kampion pas 9 javëve të mbetura?

Vështirë ta thuash këtë. Por mendoj se Tirana është pak më e avantazhuar.

Na e ndani dot në përqindje?

Le të themi 55% me 45%…

Pse?

Sepse 9 javë nuk janë shumë, por nuk janë as pak… Presioni rritet dhe duhen lojtarë që dinë të përballojnë situata të vështira. Në këtë pikë Tirana ka Shehin që e ka fituar titullin si trajner, Najdovski, Lika, Osmani etj, që kanë eksperiencë.

Te Partizani është Hoxha që e di shijen dhe stresin e titullit, ndërsa shumë lojtarë dhe mbi të gjitha trajneri ende nuk e kanë atë ndjesi. Për këtë arsye mendoj se ka pak më tepër avantazh Tirana. Por ama Partizani ka gjithashtu “armët” e tij. Dhe nuk ka vetëm një, por disa…

Që janë?

Uria. Kanë shumë uri ata djemtë. Por kanë edhe cilësi. Mendoj se në tërësi Partizani ka pak më shumë cilësi se Tirana.

Ku e bazoni këtë?

Po ju marr një element: stolin. Tirana sot në stol ka një lojtar që mund t’i japë një dorë ekipit, që është Nikqi. Ndërsa Partizani ka luksin të lërë në stol edhe lojtarë si Hoti, Da Silva, Mensah, Cara etj… Mos e nënvlerësoni këtë aspekt, sepse ata jo vetëm që kanë cilësi, por shtojnë edhe konkurrencën. I detyrojnë titullarët që të japin gjithnjë më të mirën, ndryshe… Një avantazh është edhe që Partizani ka fituar dy derbit e fundit.

Çfarë ka tjetër më mirë Tirana, përveç eksperiencës?

Ka “presionin” e mirë që duhet të gjejë një mënyrë ta fitojë titullin. Duket si e dënuar për të fituar. Në çdo klub tjetër ky presion do të ishte asfiksues dhe problem, kurse te Tirana është “i shëndetshëm”, sepse shërben si adrenalinë gjatë gjithë kohës për të menduar vetëm për fitoren.

Po te Partizani?

Partizani bën më pak zhurmë. Edhe ata kanë presion dhe e ndiejnë atë, por e menaxhojnë në heshtje. Unë që i kam provuar të dyja, mund të them se në këtë pikë preferoja Partizanin. Aty përjetoheshin gjërat me më shumë qetësi. Tirana ziente gjithmonë. Edhe pas një fitoreje zien…(qesh).

Kush e meriton më shumë këtë titull?

Kushdo që ta marrë e meriton. Mos më provokoni, unë i dua shumë këto dy klube. Te Tirana kam kaluar momente të jashtëzakonshme, por nuk mund të hedh poshtë kurrë kohën kur isha te Partizani. Aty u rrita, u bëra lojtari që jam sot.

Nëse do të kishit mundësi të shihnit zemrën time, jam i bindur që do të ishte e ndarë përgjysmë mes këtyre dy skuadrave. Ajo që dua të shtoj është se jam i lumtur që Partizani tashmë ka shtëpinë e vet. Nëse ka një klub që u përafrohet më shumë parametrave europiane, ka struktura, ka kompleksin e vet dhe ka një organizim më të mirë se të tjerët, ai është pikërisht Partizani në Shqipëri.

Me Hoxhallarin e diskutoni shpesh derbin?

Po, patjetër. Aty e kemi shpirtin. Ai anon shumë nga Tirana, kurse unë përpiqem të jem i balancuar meqë kam luajtur me të dyja (qesh).

Si shkojnë gjërat tek UTA Arad?

Në planin personal jam më mirë se sa vjet, por skuadra në renditje po has më shumë vështirësi. E megjithatë kemi bërë diçka të mrekullueshme këtë sezon.

Çfarë?

UTA Arad ka arritur në çerekfinale të Kupës së Rumanisë pas 28 vitesh. Zien i gjithë qyteti… Është kënaqësi të shikosh këtë atmosferë. Do të Ndeshemi me U. Kraiova 1948 të mërkurën dhe shpresojmë t’ia dalim.

KRISTI SEJATLLARI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"