EKSKLUZIVE/ “Sot duhet të mundim Egnatian”, Stavri Nica zbulon arsyet pse bëri prapakthehu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2024 | 9:05

EKSKLUZIVE/ “Sot duhet të mundim Egnatian”, Stavri Nica zbulon arsyet pse bëri prapakthehu

Trajneri Stavri Nica shpreson që rikthimi i tij te Kukësi pas dorëheqjes në fundin e ndeshjes në Shkodër, të kremtohet sot me një fitore ndaj Egnatias në ndeshjen që do të luhet në orën 13:30 në “Kukës Arena”. Në bisedën e tij për “Panorama Sport”, trajneri durrsak pohon edhe arsyet pse bëri prapakthehu.

nica

“Në fakt kërkesa e lojtarëve dhe biseda që pata me klubin, bënë të mundur që të rikthehem në skuadër. Besoj se skuadra po përforcohet që të përballojmë si duhet këtë kampionat”, sqaroi fillimisht tekniku, edhe arsyen e ardhjes së tij. Më tej, ai u ndal te ndeshja e radhës, ku thekson se ekipi do të bëjë të pamundurën në shtëpi përballë kryesuesve të Egnatias.

“Ndaj Egnatias normalisht do të jetë e vështirë, sepse ata jo më kot janë në krye të renditjes dhe kanë në përbërje futbollistë cilësorë. Megjithatë, ky fakt nuk na tremb, përkundrazi djemtë janë të mobilizuar për të dhënë më shumë sesa 100 % e tyre. Ua kam shprehur gjithnjë se kam besim te cilësitë e tyre dhe jam i bindur që do të dalim me një rezultat pozitiv. Në situatën ku jemi, kemi nevojë për pikë dhe fitorja do të ishte rezultati që do të na kënaqte, por gjithsesi të shohim se çfarë do të korrim në fushë”, vijoi prononcimin e tij tekniku i bluve.

Nica shpreson që të tregohen disi edhe cinikë në këtë ndeshje, për më tepër që luajnë në fushën e tyre.

“Duhet të shfrytëzojmë më mirë mundësitë që na vijnë përpara portës dhe të mos i lëmë shumë hapësira kundërshtarit. Luajmë në shtëpinë tonë dhe duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht faktorin fushë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të marrim rezultatet që na duhen për të realizuar edhe objektivin e skuadrës në fund të sezonit”, deklaroi për gazetën trajneri i Kukësit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"