EKSKLUZIVE/ Skandali në Vlorë, Taho: Po nxihet historia e klubit, edhe në 1997 nuk ndodhte kështu (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2019 | 23:42

EKSKLUZIVE/ Skandali në Vlorë, Taho: Po nxihet historia e klubit, edhe në 1997 nuk ndodhte kështu (E PLOTË)

Dita e parë e javës e rëndoi edhe më tepër situatën në Vlorë, pasi Flamurtari sërish nuk doli në stërvitje, edhe pse më 24 gusht duhet të luajë ndeshjen e parë ndaj Skënderbeut në Korçë, të vlefshme për kampionatin e 81- të kombëtar. “Është një rast i jashtëzakonshëm ky që po ndodh te Flamurtari. Edhe kur ka qenë viti i mbrapsht 1997, që shumë u shmangën, u kërkua që klubi të vijonte aktivitetin e tij”.

rrapo taho

Kështu shprehet në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport” ish-futbollisti legjendar i Flamurtarit, Rrapo Taho. Duke krahasuar 1997- ën me momentin aktual, Taho flet edhe për motivimin e lojtarëve në atë kohë të vështirë, duke i shprehur publikisht për herë të parë ato emocione, vështirësi dhe sakrifica. Ish-futbollisti i shquar thotë se është absurde që të emërohen trajnerët dhe të mos kesh lojtarët.

“KURRË MË PARË”

“Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Flamurtarit që ekipi të mos jetë gati në prag të fillimit të kampionatit. Është një rast i jashtëzakonshëm ky që po ndodh. Edhe në kohën e luftës e mbajtëm gjallë klubin. Bashkëpunuam me biznesmenët në atë kohë dhe unë që isha trajner, bashkë me Latif Gjondedën, shefin e klubit Petraq Bifsha dhe ekonomisten e klubit, dolëm me tabaka në dorë si i thonë fjalës, që mbajtëm ekipin.

Viti 1997 ka qenë një skëterrë, ku ne kemi kërkuar lekët me donatorët. Dhe kjo që unë po them është shumë e vërtetë. Motivimi i ekipit ishte i vështirë shumë, por ne e mbanim me moral. U thoshim lojtarëve se do të merrnim ato lekë, na kanë premtuar dhe ne arritëm deri në finalet, që atëherë e gjithë faza e dytë u bë në fushë asnjanëse në Tiranë, pasi u pezulluan të gjitha aktivitetet në rrethe”.

rrapo taho

 

“Ne arritëm të kapnim vendin e tretë atëherë, me atë kontingjent lojtarësh dhe me ato pak lekë sa kishim. Atëherë na sponsorizonte Shkëlqim Selami që na jepte lekët për udhëtimin dhe hotelin, ndërsa të tjerat i gjenim nëpër biznesmenë të tjerë. Tashmë, jemi në vitin 2019 dhe t’i ndodhë kjo Flamurtarit, s’ka bërë kurrë vaki. Nuk ka kohë fare. Për 10 ditë fillon kampionati dhe lojtarët janë pa fazë përgatitore.

Ne na dhimbset Flamurtari që është në këtë gjendje. Po diskutohet ligji i sporteve. Sa më shpejt që të hyjë në fuqi, aq më mirë do të jetë. Por, ky ligj nuk ka dalë dhe i njëjti fenomen ndodh çdo vit. Idrizi ka merita që e ka mbajtur deri këtu klubin dhe me sa dimë pret ligjin e sportit. Nuk na vjen fare mirë që fillon kampionati tani dhe Flamurtari nuk ka bërë një hap para, nuk ka kontingjentin e plotë të lojtarëve. Janë trajnerët, por nuk janë lojtarët dhe kjo është më absurde”, thotë fillimisht Taho në bisedën për gazetën.

“ZGJEDHJE E DREJTË”

Rrapo Taho mendon se emërimi i një trajneri vlonjat si Gerd Haxhiu ishte zgjedhja më e mirë. Taho i shikon të dështuar trajnerët e huaj që kanë ardhur në Vlorë. “Na vjen mirë që përfundimisht u vendos një trajner i qytetit si Gerd Haxhiu. Ishte e domosdoshme që të ishte një trajner vlonjat. Nuk kishte nevojë Vlora për trajnerë të huaj. I pamë trajnerët e huaj se sa sakrifica bënë dhe ku e çuan Flamurtarin. Kishte pretendime për Kupat e Europës, kishte pretendime për kampion, por asgjë nuk u arrit. Mua më bëhet qejfi dhe është gjëja më ideale që Gerd Haxhiu është trajner.

flamurtari

Ne kemi pasur tre trajnerë shumë të mirë në Vlorë dhe nuk na ka ardhur mirë që kanë ardhur trajnerë të huaj. Edhe trajnerët e huaj nuk kanë bërë ndonjë ngritje të Flamurtarit. Sot aktualisht janë tre trajnerë vlonjatë që janë në merkato, Gentjan Mezani, Eqerem Memushi dhe Gerd Haxhiu. Më në fund presidenti mori kurajën që vendosi një trajner të ri vlonjat. Jam i bindur që Haxhiu do të bëjë diçka të mirë për Vlorën, natyrisht për të rritur më tepër këta djemtë e rinj dhe që të mbijetojmë në kategori”, theksoi Taho.

“BASHKIA TË ZGJOHET”

Ish-futbollisti dhe ish-trajneri ka edhe një mesazh për Bashkinë e Vlorës, e cila duhet të ndërhyjë urgjentisht sipas tij për këtë situatë. “Bashkia e Vlorës duhet që të ndërhyjë një orë e më parë. I bëj apel që të lëvizë sa më shpejt, pasi është masë emergjente kjo që duhet marrë.

Sinan-Idrizi-Dritan-Leli-750x430

Fillon kampionati për 10 ditë dhe nuk dimë ku jemi. Në kohët tona ne kishim 1 muaj e gjysmë fazë përgatitore. Ndaj, edhe bashkia duhet të bëjë diçka në këtë situatë. Që të nisësh një kampionat të ri, detyrimisht që sipas fjalës së urtë ‘nuse e re me naze të reja’, masat dhe objektivat duhet që të ishin marrë para kohe. Ne nuk dimë ku jemi, as në tokë e as në ajër momentalisht. Ne mund ta bëjmë një ekip emergjence dhe Flamurtari e ka kontingjentin e lojtarëve dhe them se nuk do të dalë nga kategoria. Por Flamurtarin e duam në atë renditje që duhet të jetë ai ekip”

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"