EKSKLUZIVE/ Sinan Idrizi pasi u shpall i pafajshëm në Turqi: Do kërkoj dëmshpërblim, pres ndjesën e atyre që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2020 | 12:17

EKSKLUZIVE/ Sinan Idrizi pasi u shpall i pafajshëm në Turqi: Do kërkoj dëmshpërblim, pres ndjesën e atyre që…

Sinan Idrizi është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë e Stambollit. Ai ka dalë dje para trupës gjykuese, pas akuzave të ngritura nga biznesmeni turk, Adnan Polat. Ky i fundit pretendonte se administratori i Flamurtarit e kishte mashtruar duke i marrë 3.5 milionë dollarë.

Idrizi-1

Gjatë seancës dëgjimore të së martës, Sinan Idrizi mohoi që të gjitha akuzat në drejtim të tij: “Nuk mund të ketë mashtrim në familjen time. Kjo është një fyerje e madhe për mua. Unë dua pafajësinë”. Gjykata vendosi se nuk kishte prova konkrete dhe bindëse për të pandehurin për mashtrim, e në këtë rast Idrizi fitoi pafajësinë. Në aktakuzën e përgatitur nga prokuroria ishte kërkuar që i dyshuari të dënohej deri në 10 vjet burg për “mashtrim”.

REAGIMI – Sinan Idrizi reagon edhe për “Panorama Sport” nga Turqia, pasi u dha vendimi nga Gjykata e Lartë e Stambollit. Ai deklaron se do të hedhë në gjyq ish-presidentin e Gallatasarajit për prishje të imazhit.

“Kur vendos gjykata, të tjerët heshtin. Nuk komentohet vendimi i gjykatës. Unë aktualisht jam në Turqi. Paraqita faktet dhe provat që kisha. Tani nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të kërkoj dëmshpërblim për prishje të imazhit. Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për prishje të imazhit dhe do të ngre padi për palën tjetër. Është një imazh që nuk paguhet me lekë. Nga pala tjetër kishte pafuqishmëri për ta blerë kompaninë, kjo ishte tjetër histori”, tha fillimisht ai.

Sinan-Idrizi

Më tej jep edhe një mesazh për dy politikanë shqiptarë, prej të cilëve pret edhe falje publike. “Tani unë pres se çfarë do të bëjnë të ekzaltuarit nga kjo çështje dhe konkretisht dy persona. I pari Shpëtim Idrizi, që ishte një nga ustallarët që shpërndante lajmin në mënyrë histerike. I dyti është një njeri pa vlera, një ish-deputet i Vlorës që më vjen ndot t’i zë emrin në gojë (i referohet Agron Shehajt). Ai njeriu që u bë i pasur, që unë nuk e di se si, të bëjë një akt civilizimi dhe të tregojë një herë të vetme që nuk vjen nga çetat e maleve dhe të kërkojë ndjesë. Gjërat e tjera i bëj vetë unë”, përfundon administratori.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"