EKSKLUZIVE/ Rudi Vata: Cana të flasë hapur, në Shqipëri ka humbur besimi. Goditja e Skënderbeut…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2018 | 19:25

EKSKLUZIVE/ Rudi Vata: Cana të flasë hapur, në Shqipëri ka humbur besimi. Goditja e Skënderbeut…

Rudi Vata e shikon situatën në kampionatin shqiptar si të nderë. Ish-trajneri i Vllaznisë komenton edhe deklaratën e dhënë pak ditë më parë për “Panorama Sport” nga Lorik Cana. Në bisedën për gazetën, Vata thekson se në futbollin shqiptar ka humbur tradita dhe mbi të gjitha besimi te tifozët.

Rudi Vata Vllaznia

“Kur ke një stadium bosh dhe shikon një Tiranë që nuk është ajo që i duhet kampionatit, si dhe kur ke një Vllazni, Dinamo apo Elbasan në inferiore, nuk mund të presësh më shumë. Kampionatit i ka humbur tradita dhe shpresoj që të mos vdesë. Një Superiore që i ka humbur lezeti, bukuria dhe mbi të gjitha besimi. Me goditjen që mori Skënderbeu u bë një kampionat gjithnjë e më i dobët.

Nga Korça u larguan lojtarët më të mirë dhe këto ndryshime kaq të mëdha, por edhe rënia drastike e këtyre klubeve me traditë, nuk i has në asnjë vend tjetër në botë, por vetëm në një shtet pa stabilitet si ky i yni. Deklarata e Lorikut? Ka mendimin dhe idetë e tij, që sigurisht nëse i japin mundësinë për t’i kthyer në praktikë, mund të jenë shumë të vlefshme.

Unë kam dëshirë që Cana apo kushdo figurë e rëndësishme e futbollit shqiptar, të flasin më direkt, sepse faktet janë evidente dhe që njihen e kuptohen edhe nga majmunët”, ka thënë dje Vata, i cili ka vetëm një eksperiencë si trajner, atë të gjashtë viteve më parë te Vllaznia.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"