EKSKLUZIVE/ Radas akord për borxhin, zbulohet oferta e Takajt për ish-kapitenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 18:30

EKSKLUZIVE/ Radas akord për borxhin, zbulohet oferta e Takajt për ish-kapitenin

Fatet e Skënderbeut dhe Marko Radasit mund të bashkohen sërish. Ishte vetë kroati që e paralajmëroi rikthimin në Korçë, teksa pak ditë më parë, për “Panorama Sport” tha: “Presidenti më ka thënë që jam i mirëpritur. Mund të rikthehem, ndoshta si drejtues apo menaxher”. 

Radas

Dhe, në fakt, kjo deklaratë e ish-kapitenit nuk është aq rastësore. Gjatë bisedave që ka zhvilluar me Ardjan Takajn, ky i fundit i ka bërë një propozim.

Një projekt, që në fakt nuk dihet se kur mund të vihet në zbatim. Me klubin, që është në pritje të zhvillimeve nga Gjykata Federale, për dënimin e dhënë nga UEFA dhe e lënë në fuqi në KAS, korçarët kanë mbetur në “vendnumëro”. E megjithatë, kjo nuk e pengon presidentin që të bëjë plane për rikthimin e madh, nëse ky pezullim 10- vjeçar do të zhbëhej.

AKORDI – Burime të sigurta për “Panorama Sport” flasin për një pakt të “fshehtë” mes numrit një të bardhekuqve dhe Marko Radasit. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, kroati mund të rikthehet si bashkëpunëtor i Skënderbeut ose i vetë Takajt (kjo në varësi të vendimit të Gjykatës Federale), duke marrë një pozicion drejtuesi në klub. Ajo që, në fakt, po mendon vetë presidenti i Skënderbeut, është që t’i ofrojë Radasit një pozicion si zbulues talentesh në pjesën e Ballkanit, veçanërisht në vendet sllave.

Radas-Takaj

Dhe duke qenë se terrenin e njeh mirë, nuk do ta kishte assesi të vështirë që ta bënte këtë rol. Varianti i dytë, në rast se ky i pari nuk shkon konkretizohet, është ai i drejtuesit në klub.

Edhe në këtë rast Radas do ta kishte tejet të thjeshtë, pasi e njeh mjaft mirë ambientin, filozofinë e klubit dhe presidentin, me të cilin ka punuar ngushtë prej shumë vitesh. Kjo tregon edhe një herë marrëdhëniet e mira që kroati vijon të ruajë me drejtuesit e Skënderbeut dhe veçanërisht me familjen Takaj edhe pas largimit nga Korça.

 BORXHET – Pjesë e “paketës” së marrëveshjes janë edhe borxhet. Mbrojtësi ka muaj që ka ikur, megjithatë nuk është likuiduar tërësisht prej klubit. Burime jozyrtare thonë se bëhet fjalë për afro 15 mijë euro. Për të shmangur penalitetet, në klub kanë negociuar me lojtarin dhe kanë arritur një marrëveshje.

skenderbeu-770x470

Drejtuesit korçarë janë zotuar se në janar të gjitha detyrimet financiare do të shlyhen përfundimisht dhe këtë “pakt” e ka pranuar edhe vetë kroati. Duke qenë se kanë gjetur gjuhën e përbashkët në këtë pikë, edhe bardhekuqtë janë shumë herë më të qetë. Një padi në organet e UEFAs apo FIFA-s do ta rëndonte shumë klubin dhe sidomos në këtë gjendje që janë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"