EKSKLUZIVE/ “Do kthehem si drejtues te Skënderbeu”, ish-kapiteni Radas: Ju rrëfej pse u largova nga korçarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2019 | 21:59

EKSKLUZIVE/ “Do kthehem si drejtues te Skënderbeu”, ish-kapiteni Radas: Ju rrëfej pse u largova nga korçarët

Mes Korçës dhe Kroacisë. Marko Radas rrëfen ekskluzivisht për “Panorama Sport” aventurën e tij të re në Rudesh në kampionatin kroat. 

radas-770x446-770x446

Për më tepër flet për herë të parë pas largimit nga Skënderbeu. Në intervistën e dhënë, ish-kapiteni i Skënderbeut tregon se e ndjek ende kampionatin tonë dhe në veçanti ndeshjet e Skënderbeut.

Radas, si shkon aventura në vendin tuaj te Rudeshi?

Është kënaqësi që lidhemi sërish me gazetën tuaj, sepse më keni munguar të them të drejtën. Jam duke zhvilluar një sezon të parë pas shumë vitesh në Shqipëri dhe normalisht që në fillim hasa disa vështirësi të përshtatesha, por tani jam mirë. Jam në një ekip që ka si objektiv rikthimin në Kategorinë Superiore, pavarësisht se jemi në vendin e dytë në kampionat.

Pse zgjodhët të largoheshit nga Skënderbeu?

Ka qenë një periudhë mjaft e vështirë për mua dhe duke parë situatën në Korçë, por edhe disa arsyet e mia familjare vendosa se do të ishte më mirë të kthehesha në Kroaci.

marko radas

Pse pikërisht te Rudesh? 

Ekipi sapo kishte rënë në një kategori më poshtë dhe kishte si qëllim rikthimin në elitë. Kam kontaktuar me një shokun tim që është kapiten dhe drejtor këtu në Rudesh dhe ai më kërkoi të shkoja atje për të dhënë ndihmën me eksperiencën time.

Nga kapiten te Skënderbeu, te Rudeshi. Si ju kanë pritur? 

Normalisht që fakti që kam qenë kapiten i një ekipi që njihet mjaft mirë në Kroaci edhe për faktin se eliminoi Dinamon e Zagrebit dy vite më parë, është një plus shumë i madh. Mund të them se kjo ishte kartëvizita ime, që u vlerësua pamasë këtu.

Sa e vështirë ka qenë të ndaheshit me Skënderbeun? 

Po pa dyshim që ishte e vështirë, pasi atje kalova shumë vite dhe mund të them se ishte familja ime e dytë. Por, gjithsesi nuk mund të them se është një lamtumirë, prandaj edhe për këtë nuk bëra një letër apo mesazh për tifozët.

Kjo do të thotë se po mendoni rikthimin? 

Normalisht që po. Unë gjatë kësaj kohe kam folur vazhdimisht me presidentin dhe më ka thënë se jam i mirëpritur. Madje, në bisedat tona është lënë e hapur një mundësi rikthimi në të ardhmen. Ndoshta si drejtues apo menaxher, kësaj nuk i dihet ende.

E ndiqni Skënderbeun në këtë sezon tani që jeni larg? 

Sigurisht që e ndjek, madje nuk lë ndeshje pa parë në këtë kampionat të Skënderbeut. Kur nuk kam mundësi, marr informacionet përmes internetit.

Si ju duket ekipi këtë sezon? 

Normalisht që me ato që kaloi Skënderbeu, shumëkush e kishte menduar të mbaruar, por po tregon se ishte vërtet një ekip për t’u marrë shembull. Ka marrë sulme nga mediat dhe mbi të gjitha nga UEFA, që çdo skuadër tjetër do të ishte zhdukur së ekzistuari, por ata treguan forcë. Në kampionat kanë oshilacione, por kjo vjen edhe për shkak të largimeve të shumta. Të ikin lojtarë si Vangjeli apo edhe të tjerë dhe të të dëmtohet një futbollist si Muzaka, është e vështirë për t’u zëvendësuar. Po paraqitet mirë, pavarësisht problemeve të vogla.

Po kampionati si ju duket këtë vit? Nuk ka asnjë ekip që të diktojë siç bënte Skënderbeu dikur? 

Me gjithë respektin për ekipet e tjera, por këto janë shumë larg Skënderbeut tim të para tri sezoneve. Skënderbeu i asaj kohe është vite dritë larg dhe nuk ka skuadër që të përsërisë arritjet që ne bëmë në Europë dhe kampionat. Më vjen mirë për Bylisin që nga Kategoria e Parë po tregon se është një ekip i fortë dhe është rritur shumë.

Marko është folur se keni problem me pagat te Skënderbeu dhe keni bërë ankimim. Si qëndron e vërteta?

Nuk kam asgjë për të thënë në këtë pjesë. Unë flas vazhdimisht me presidentin dhe gjëja është siç duhet të jetë. Nuk dua të komentoj asgjë për këtë, pasi kam një marrëveshje dhe dashamirësia e klubit me mua ka qenë maksimale.

Keni pasur edhe djalin me akademinë e Skënderbeut. Si e ka pritur largimin? 

Fillimi ka qenë i vështirë, pasi është shkëputur nga një ambient në tjetrin. Por kemi biseduar dhe për këtë. Radas dhe “Radas Jr” shumë shpejt do të jenë sërish në Korçë, pasi aty është shtëpia ime e dytë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"