EKSKLUZIVE/ “Qatip Osmani e shëroi ekipin psikologjikisht”, ish-mesfushori Osja: Vllaznia merr dy trofetë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 21:54

EKSKLUZIVE/ “Qatip Osmani e shëroi ekipin psikologjikisht”, ish-mesfushori Osja: Vllaznia merr dy trofetë (E PLOTË)

Një nga ish-lojtarët kampion me eki pin e Vllaznisë, por jo vetëm, Safet Osja, në një intervistë për “Panorama Sport”, analizon kampionatin e skuadrës shkodrane.

Safet Osja, ish-mesfushori i Vllaznisë

Safet Osja, ish-mesfushori i Vllaznisë

Ai beson se Vllaznia mund të fitojë të dy trofe këtë sezon, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Osja jep gjykimin e tij për transformimin e ekipit me trajnerin Osmani dhe thekson se vetëkënaqësia mund të jetë “armiku” kryesor në këtë fazë finale të sezonit. Për ish-mesfushorin, shumë pozitiv është afrimi i elementëve të rinj në skuadër.

Kur nisi sezoni, a mendonit që Vllaznia do të vinte në këtë pikë, të luftonte për vendin e parë?

Vllaznia gjithmonë ka hyrë me pretendime serioze në çdo sezon. Të them të drejtën, Vllaznia e filloi shumë keq kampionatin, faza e parë ishte shumë e dobët, por ndërhyrja e presidentit ishte efikase dhe në kohën e duhur, sepse në vazhdim erdhën edhe rezultatet.

Çfarë ndryshoi trajneri Qatip Osmani, që skuadra u transformua?

Për mendimin tim, trajneri Osmani punoi nga ana psikologjike më shumë me lojtarët. Po këta lojtarë ishin dhe nuk kishte çfarë të ndryshonte në përbërje, por ndryshoj në mentalitet, në grintë dhe dëshirë. Dhe të gjitha këto bënë që të vinin edhe rezultatet. U krijua një grup që po luan për një qëllim. Nga ana tjetër, ardhja e drejtorit teknik që solli edhe largimin e disa lojtarëve të huaj që nuk kishin sjellë gjë te kjo Vllazni. Pozitiv ishte afrimi i lojtarëve të akademisë së Vllaznisë dhe të gjitha këto bënë që kjo skuadër të transformohej.

Sa e ndihmon formula e “Final 4” dhe sa e penalizon Vllazninë?

Vllaznia duhet me patjetër të qëndrojë në dy vendet e para. Kjo është mënyra që ajo të përfitojë nga kjo formulë, sepse e favorizon edhe barazimi. Nëse është në dy vendet e dyta e ka më të vështirë pastaj për të arritur drejt suksesit.

Tifozët ëndërrojnë titullin, sa shanse ka të vijë në Shkodër?

Tifozëria shkodrane e meriton një gjë të tillë. Ato kanë shumë vite që e presin këtë titull. Ekipi i futbollit e ka të vështirë të luajë pa praninë e tyre në stadium. Na mungon prej kohësh titulli, e meritojmë këtë herë.

Kush është rivali më i fortë, sipas jush?

Rivali më i fortë duhet të jetë vetvetja, skuadra duhet të besojë. Pastaj është Egnatia që ka prodhuar futboll dhe është me meritë në vendin e parë, pa përjashtuar Partizanin, si dhe Tiranën që ka pasur rritje në lojën e saj në këto ndeshjet e fundit.

A mund t’i përballojë me sukses Vllaznia të dy frontet, kampionatin dhe Kupën?

Besoj që po. Vllaznia e ka treguar veten që është e përgatitur për të synuar në të dy trofetë. Ajo është në vendin e dytë, por është edhe në gjysmëfinalen e Kupës, është afër të dy trofeve dhe nuk ka pse të mos tentojë t’i fitojë ato.

Si e parashikoni 8 javët e mbetura nga kampionati i rregullt?

Duke marrë shkas nga ndeshja e fundit, Vllaznia duhet patjetër që me këto skuadrat në fundin e tabelës duhet të marrë maksimumin e pikëve. Duhet patjetër t’i fitojë këto ndeshje. Çdo ndeshje për Vllazninë duhet të jetë si një finale.

Ku duhet bërë kujdes?

Vllaznia duhet të bëjë kujdes nga vetëkënaqësia. Ndeshjet në vazhdim duhet t’i marrë një nga një dhe me besim për të arritur objektivin. Pastaj, të fitojë kampionatin dhe Kupën.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"