EKSKLUZIVE/ “Partizani fiton edhe kur nuk luan mirë”, Fernando pas golit në Kupë: Festojmë në Shkodër, për rinovimin flasim në fund të sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 22:51

EKSKLUZIVE/ “Partizani fiton edhe kur nuk luan mirë”, Fernando pas golit në Kupë: Festojmë në Shkodër, për rinovimin flasim në fund të sezonit

Egnatia mposhti dje Vllazninë në Rrogozhinë me shifra 1-0 dhe hodhi një hap drejt finales së Kupës. Vendësit iu falën një supergoli të shënuar nga Fernando Medeiros në pjesën e parë në “Arena Egnatia”.

Fernando Medeiros feston pas golit

Fernando Medeiros feston pas golit

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, heroi i rrogozhinasve u shpreh i lumtur që ndihmoi ekipin të arrinte një rezultat pozitiv. Braziliani theksoi se Egnatia është e fokusuar të triumfojë në të dyja frontet këtë sezon.

Fernando, shënuat një gol të rëndësishëm. Si ndiheni?
Jam i lumtur që u riktheva te goli dhe ndihmova ekipin tim të arrijë një rezultat të rëndësishëm kundër Vllaznisë. E kishim përgatitur me kujdes këtë duel, pasi duam t’i shkojmë deri në fund Kupës. Shkojmë me besim në takimin e dytë në transfertë kundër shkodranëve.

Kujt ia dedikuat golin?
Goli ishte dedikim për babin dhe një miku tim të ngushtë në Brazil. Shoku im humbi jetën pak ditë më parë. Unë e përjetova keq ikjen nga jeta të mikut tim dhe mendova të përshëndes nga larg babain e tij me këtë dedikim, si për ta ngushëlluar dhe për t’i kërkuar falje që nuk isha aty në një moment shumë të vështirë për të.

I druheni reagimit të Vllaznisë në takimin e kthimit?
Nuk kemi aspak frikë ndaj kujtdo kundërshtari, edhe nëse nuk do të kishim fituar takimin e parë kundër Vllaznisë. I vlerësoj maksimalisht shkodranët, pasi kanë lojtarë cilësorë, që mund të bëjnë keq në çdo moment. Ne do të luajmë shanset tona në përballjen e dytë, pasi presioni kalon te Vllaznia. Duhet ta shfrytëzojmë këtë aspekt për ta interpretuar me qetësi dhe përqendrim 90 minutëshin.

Këtë javë luani në kampionat me Erzenin, çfarë prisni nga ky duel?
Do të jetë ndeshje e vështirë, pasi Erzeni synon pikë të vlefshme për mbijetesën. Shijakasit janë ekip simpatik dhe na njohin mirë, pasi kanë në ekip disa lojtarë që kanë luajtur me ne më parë. Ne do të synojmë të vijojmë me rezultatet pozitive për të ruajtur vendin e parë dhe shkuar në formën më të mirë në “Final 4”. Kanë mbetur edhe shtatë takime, ku duhet të dëshmojmë se jemi skuadra për tu mundur.

Sa i arritshëm është titulli kampion për Egnatian?
Besoj se i kemi të gjitha shanset dhe mundësitë për ta tentuar titullin. Ekipi ka performuar mirë duke treguar superioritet në pjesën më të madhe të sezonit. Nuk kam parë deri tani një ekip që të jetë mbi Egnatian edhe kur nuk kemi mundur të fitojmë në fushë. I gjithë klubi punon për të konkretizuar me trofe fundin e sezonit. Ne kemi besim dhe uri për ta bërë 2024-ën një vit të paharruar.

Cilin shikoni si rivalin kryesor këtë sezon?
Në gjykimin tim ekipi më i fortë në luftën për titullin kampion është Partizani. Ka lojtarë cilësorë dhe arrin të fitojë edhe kur nuk luan mirë. Partizani është një ekip me histori dhe gjithmonë i rrezikshëm në momentet vendimtare.

Nuk keni rinovuar ende kontratën, do të qëndroni tek Egnatia?
Momentalisht jam i fokusuar tek ambiciet e klubit dhe nuk e mendoj aspak të ardhmen time. Për këtë çështje do të flasin në fund të sezonit agjenti im dhe presidenti i klubit të Egnatias. Kam kaluar dy vite të mrekullueshme në Shqipëri dhe ëndërroj që pas Kupës, të sjell në këtë qytet të vogël titullin kampion. Të gjithë e duam titullin, pasi ishte premtim edhe i kapitenit tonë, Rafael Duamena.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"