EKSKLUZIVE/ “Objektivi i radhës është të mundim Tiranën”, trajneri Çela: Sfidë e madhe, Kukësi do të mbijetojë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2024 | 21:53

EKSKLUZIVE/ “Objektivi i radhës është të mundim Tiranën”, trajneri Çela: Sfidë e madhe, Kukësi do të mbijetojë (E PLOTË)

Kukësi do të jetë tani nën “dirigjimin” e Emiljano Çelës, pasi ka kryer edhe stërvitjen e parë me skuadrën blu. I vetëdijshëm që e ka marrë skuadrën në një moment delikat, Çela pohon në intervistën e dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” se momentalisht po mendon vetëm për të kaluar me sukses ndeshjen me Tiranën këtë fundjavë.

419071182_18325492726118950_989500935314586630_n

Tekniku pohon se do të mundohet që gradualisht t’i imponojë skuadrës idetë e tij. Ndonëse dikur ka qenë në të njëjtën situatë edhe me Kastriotin, tani mendon se gjërat kanë ndryshuar, por ka besim se në fund do t’ia dalë të sigurojë qëndrimin me Kukësin.

Çela, çfarë ju bindi që morët Kukësin?

Në radhë të parë është kënaqësi për mua që të drejtoj ekipin e Kukësit, i cili ka qenë faktor në 12 vitet e fundit në elitën e futbollit shqiptar.

Si e shihni këtë sfidë të re në karrierën tuaj? A duket e njëjta situatë si me Kastriotin, të cilin edhe e shpëtuat?

Është një objektiv i vështirë, por puna jonë kështu është, me risqe. Është një sfidë shumë e rëndësishme dhe delikate për të gjithë klubin, stafin dhe lojtarët.

Shpresoj të jemi të përqendruar të gjejmë raportet dhe ekuilibrat e duhura për të bërë mirë. Është e vërtet që është e njëjta situatë si me Kastriotin, por çdo eksperiencë ka dinamika të ndryshme. Është tjetër grup, ka të tjerë kundërshtarë dhe tjetër nivel kampionati.

Sa e vështirë do të jetë për të arritur objektivat?

Çdo objektiv është i vështirë për t’u arritur, por të mos mendojmë për më gjerë. Objektivi jonë i parë është ndeshja me Tiranën dhe do të kërkojmë të marrim maksimumin.

Meqenëse pjesa më e madhe e tyre janë edhe lojtarë të rinj, sa e njihni skuadrën?

Skuadrën e njoh mirë. E kam parë në përgjithësi gjatë kësaj periudhe, por dhe në veçanti, sidomos dy ndeshjet e fundit. Mendoj që është një grup i mirë me lojtarë që duan të punojnë, duan të fitojnë protagonizëm dhe të rriten në nivel.

Çfarë premtoni t’i jepni kësaj skuadre, diçka që ndoshta i ka munguar gjatë këtij sezoni?

E thashë edhe më parë që e rëndësishme është të gjejmë raportet dhe ekuilibrat e duhur, si në fushë ashtu dhe jashtë saj. Duhet të jemi me agresivë dhe këmbëngulës në marrjen e rezultateve. Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me faktin e të luajturit mirë.

E nisni menjëherë me një ndeshje të vështirë me Tiranën, çfarë do të synoni?

Ekipi është i mirëpërgatitur. Krahas asaj që ka punuar Stavri Nica, do mundohem të imponoj gradualisht idetë e mia e të luajturit futboll. Me Tiranën do bëjmë maksimumin tonë dhe shpresoj që maksimumi ynë të përkthehet me rezultat pozitiv.

Në Kupë jeni vënë përballë Partizanit, si ju duket shorti?

Nuk e kam menduar fare Kupën. Do e mendoj kur t’i vijë momenti. E thashë dhe me herët, objektivi ynë parësor është të marrim maksimumin në ndeshjen me Tiranën.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"