EKSKLUZIVE/ Njeriu i momentit te Kukësi, sulmuesi Kuper: Fusha le të flasë për mua, duam ta mundim prapë Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2020 | 12:09

EKSKLUZIVE/ Njeriu i momentit te Kukësi, sulmuesi Kuper: Fusha le të flasë për mua, duam ta mundim prapë Teutën

Godberg Kuper shënon dy gola në një ndeshje kur Kukësi duhet të jepte përgjigje pas ndalesës së Tiranës në derbi. Për “Panorama Sport” ai deklaron se finalja e Kupës është detyrim, si dhe që Kukësi beson ende te titulli kampion.
Kuper Kukesi

Shënuat dy gola në këtë ndeshje, si ndiheni?
Ndihem mirë, jam shumë i lumtur edhe që luajta nga minuta e parë duke pasur besimin e trajnerit. Arrita të tregoj se jam gjithnjë gati. Janë dy gola të rëndësishëm edhe për kampionatin, edhe pse tani për tani nuk është kaq e lehtë për titullin. Por ne do ta provojmë si gjithnjë.

Morët një fitore disi të lehtë në këtë ndeshje…
Ne e dimë që Teuta është një skuadër e organizuar, kompakte dhe e fortë. Por, ne kemi lojtarë shumë të mirë dhe arritëm ta dërgojmë rezultatin në 3 me 0 dhe luajtëm me qetësi.

Është një sinjal i yti ky për trajnerin, për të pasur më shumë minuta?
Unë nuk preferoj të flas, por të lë fushën të flasë. Gjithsesi, në dy ndeshje kam dhënë kontributin tim dhe kam bërë mirë. Them vetëm se jam i kënaqur me paraqitjet e mia dhe e di shumë mirë se mund të jap akoma më shumë.
Teuta
Sërish me Teutën në Kupë: çfarë prisni?
Është ndeshje e vështirë, sepse luajmë në shtëpinë e tyre dhe e dimë që Teuta është një skuadër e fortë në shtëpi. Por ne nuk do të shkojmë për të barazuar, por për të fituar, sepse duam të shkojmë në finale me çdo kusht.

Shpresoni të shënoni një tjetër gol edhe në Kupë ndaj Teutës?
Absolutisht, sa herë që luaj dua gjithnjë të shënoj. Jam sulmues dhe duhet të shënoj me çdo kusht. Megjithatë, më e rëndësishme është të fitojë skuadra, por e mira është që një sulmues të shënojë gjithnjë.

ËNDRRA, “SERIA A”
I lindur në Bergamo të Italisë, sulmuesi me origjinë nga Gana flet për “Gianlucadimarzio.com” edhe për të ardhmen, Serinë A, dhe për ëndrrat në lidhje me përfaqësuesen. “Në janar kalova në Shqipëri. Këtu luhet futboll fizik dhe sulmuesi duhet të jetë shumë i aftë. Pastaj erdhën 2 muaj ndërprerje për shkak të Koronavirusit. Rifilluam kampionatin në 3 qershor. Jam nga Bergamo, kam kaluar muaj të vështirë. Ndieja dhimbje për njerëzit e mi të dashur”, tregon sulmuesi me origjinë ganeze. 6 gola në Kupë dhe në kampionat, Kuper flet edhe për objektivat sezonalë: “Po luftojmë në të gjitha frontet. Duam të jemi në Europë. Dëshiroj të rritem sa më tepër si futbollist. Nuk ka rëndësi se në cilin kampionat luan. Kam dy objektiva: të luaj në Serinë A dhe të përfaqësoj Ganën”, ka deklaruar Godberg Kuper.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"