EKSKLUZIVE/ Ngo: Është koha e Tiranës, kundërshtarët e morën mesazhin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2020 | 12:47

EKSKLUZIVE/ Ngo: Është koha e Tiranës, kundërshtarët e morën mesazhin

Majkëll Ngo i paralajmëron të gjithë. Për të po vjen Tirana e madhe dhe koha është e bardhebluve. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, futbollisti i bardhebluve rrëfen gjithçka, duke filluar nga golat në sfidën me Bylisin. Të gjithë presin nga Tirana që të afrojë lojtarë, por në fokusin e menaxherëve prej kohësh ka qenë Majkëll Ngo, i cili është rizbulimi i janarit. 

majkell ngo

Ngo është golashënuesi i dytë i skuadrës pas Edon Hasanit. Anglezi ka shënuar pesë gola në Superiore, por këtë pjesë të dytë të kampionatit mund të jetë ai që do të luftojë për “Këpucën e Artë”. Majkëll Ngo është në krye të lojtarëve me më shumë asiste këtë sezon. Anglezi ka dhënë gjashtë asiste, duke qenë një nga më të suksesshmit, ndërkohë që vitin e shkuar ishte më i miri përgjatë gjithë kampionatit.

Majkëll mund të themi se keni shënuar një gol me peshë për Tiranën, shumë të rëndë për sa i përket rëndësisë?

Ishte shumë e rëndësishme fitimi i kësaj ndeshjeje. Unë mendoj se nuk ishte penallti për ta, por nuk e kam parë ekzaktësisht, kështu që po ua lë njerëzve që të “spekulojnë” me këtë rast. Jam i lumtur që shënova dhe që fituam ndeshjen. Trepikëshi ka më shumë rëndësi. Nuk ishte një paraqitje nga më të mirat, por e menaxhuam mirë topin. Nuk e mendonim se ata do të shënonin, pasi po e kontrollonim ndeshjen. Në minutat e fundit e shtuam presionin, pasi duhet të bënim më shumë. Morëm pikët që na duheshin dhe kjo është diçka që na kënaq në këtë ndeshje të parë të kampionatit.

majkell ngo

A mund të themi se është kthyer Tirana e madhe që presin të gjithë tifozët në shkallët e stadiumit?

Sigurisht që po. Në minutat e fundit shikohet se si e dominuam ndeshjen, dominuam qarkullimin e topit. Kjo ndodhi, pasi ne dëshironim ta fitonim këtë sfidë. Ne luanim për të fituar dhe jo për të barazuar, ndaj nuk e ndalëm lojën deri në vërshëllimën përfundimtare.

A është ky sukses një mesazh i qartë edhe për rivalët e tjerë që duhet të kenë frikë vetëm bardheblutë?

Të presin dhe ta shikojmë kur të luajmë me të. Ky është mesazhi, pasi ne shikojmë vetëm përpara.

Gola nuk keni shënuar shumë, por ndoshta ky vit është juaji dhe mund të fitoni “Këpucën e Artë”?

Golat do të vijnë. Kjo është koha e Tiranës, gjithsesi le ta shikojmë. Ne po punojmë fort dhe përqendrohemi te çdo ndeshje që kemi për të luajtur duke i marrë sipas radhës.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"