EKSKLUZIVE/ “Mjeshtri i Madh” Faruk Sejdini: Lerda s’e ka të gjatë, Tirana e ndërtuar keq. Reja do na lejë… trashëgimi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2019 | 22:18

EKSKLUZIVE/ “Mjeshtri i Madh” Faruk Sejdini: Lerda s’e ka të gjatë, Tirana e ndërtuar keq. Reja do na lejë… trashëgimi (E PLOTË)

Pak ditë më parë, presidenca u bë tem pulli i futbollit, ai që i mbush me nderime e lavde figurat që kanë dhënë jetën që në fëmijëri e deri sot që janë me thinja. Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, dha nderimin e lartë shtetëror “Mjeshtër i Madh” edhe për Faruk Sejdinin.

ilir meta faruk sejdini

“Xhaxhi” i Dinamos, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, e ngre në piedestal këtë vlerësim, teksa ka madhështinë të thotë edhe se për të mund të jetë i fundit. Ama, vlerësim të cilin e merr me jo pak pengje. “Doja shumë që ai nderim, i cili mund edhe të jetë i fundit për mua dhe që përkoi edhe me ndërtimin e një stadiumi të tillë të ri, të kishte pranë edhe një Dinamo. Të ishte edhe ajo në elitë”, tregon ndër të tjera Faruk Sejdini, në një bisedë ekskluzive me gazetën, teksa prek shumëçka referuar futbollit.

Ka një kritikë jo për Lerdën, por më shumë për gjithkënd në Shqipëri kur vijnë të huaj, ndërsa jep si kundërshembull 74-vjeçarin Reja. Kritikon pa masë Tiranën për çfarë bëri me tifozët, porse edhe federatën, ndërsa hyjnizon Bylisin.

Profesor, shumë urime për vlerësimin e marrë në presidencë. Çfarë do të thotë për karrierën tuaj nderimi “Mjeshtër i Madh”?

Faleminderit. Ai është si të thuash, një përmbledhje, një gjysmë shekulli, si një muzeum. Kam marrë nderime dhe vlerësime të ndryshme, por me sa duket kjo mund të jetë edhe e fundit… Kështu që mbetet në fokus. Kuptohet që është edhe më e madhja.

faruk sejdini

Si e shihni futbollin e ditëve të sotme?

Sigurisht që futbolli shqiptar ka ecur përpara, si çdo gjë që ka përparim. Mirëpo, sipas meje, duhet të kishte më tepër përparim.

Konsiderohet përparim edhe stadiumi i ri kombëtar?

Unë mendoj se çdo gjë e re, futet disi me polemika. Ama sipas meje, besoj se u bë shumë mirë. Tek e fundit, ne mund të ishim ndër vendet e fundit të Europës që se kishim një stadium të këtij niveli. Mua më përkoi edhe me medaljen e fundit që mora, ndaj do ta mbaj mend dyfish.

Po për ata që thonë se bëjmë stadium 70 milionë euro, por nuk kemi fusha të stërvitemi? Çfarë përgjigjeje do kishit?

Kjo është një lloj kontradikte. Pra, thënë ndryshe, ti ke një kostum për dasmë, por nuk ke rroba për t’u veshur në përditshmëri. Dhe e thënë në mënyrë metaforike, ç’të duhet kostumi i dasmës në këto kushte?! Realisht, duhet t’u japim shumë rëndësi fushave stërvitore.

Pse ka nevojë kaq shumë?

Sepse stadiumet vërtet që bëhen komode për të gjithë edhe për spektatorët, por në atë impiant një herë në dy javë luan ekipi vendës i qytetit. Kurse fushat e stërvitjes janë të domosdoshme përditë. Ndaj, unë mendoj se prishja e fushave të stërvitjes ose edhe betonizimi i bëri shumë dëm futbollit sepse do kishte ecur më shumë.

sejdini

Pse është kaq e pafuqishme bota e sportit, apo futbollit, sa të mos arrijë t’i bëjë presion sa duhet politikës që t’i shtojë këto fusha?

Problemi është se bota e futbollit po e bën këtë sport sot në mënyrë partizançe. Jo, mor jo! Futbolli duhet ngritur si biznes. Nëse të gjithë presidentët apo edhe në rrethe, të ishin ngritur në këtë mënyrë, kuptohet që sot do të ishin shumë herë më të fuqishëm. Ata e ngrenë sot për sot… Kështu nuk shkon, duhet më me perspektivë. Thuhet dhe shohim që presidentët dhe njerëzit që investojnë në sport dalin me humbje. Në këtë rast, logjika të bën të pyesësh: Ore po si ka mundësi që investojnë këta? Çfarë interesi kanë që të hedhin 1 milion euro vit për vit dhe të mos marrin as gjysmat mbrapsht, as 20%. Duke bërë futboll sot për sot, i thonë gris brekët të arnosh fanellën…

Po si zgjidhet?

Vetëm nëse ngrihet si biznes, siç e ka e gjithë bota, që çdokush del pozitiv në fund të vitit. Atëherë do të bëhet secili më i fuqishëm dhe të gjithë bashkë, do t’i bëjnë presion edhe politikës.

Sporti po pret një premtim të politikës. Pse është bërë kaq i rëndësishëm ligji i sponsorizimit, mos ndoshta sepse ka arritur në nivel mbijetese?

Është e natyrshme dhe po nuk hyri ligji, gjërat gjithmonë precipitojnë. Fakti është se historikisht ka qenë Ministria e Arsimit, Kulturës, Rinisë dhe e Sportit. Kjo prapashtesa, ka qenë gjithmonë .. dhe e Sportit si institucion edhe pse shpesh sa për të thënë se na qenka një fakir fukara këtu me ne dhe hajt ta ndihmojmë. Megjithatë, po nuk u ngrit në institucion kjo gjë, që të ecë paralelisht me të tjerat, gjithmonë kështu do të jetë.

sejdini

Gega fitoi titullin me Partizanin dhe nuk vazhdoi. Mema largohet nga Tirana pas vetëm fazës së parë kur ishte 3 pikë larg kreut. Çfarë do të thotë kjo për institucionin e trajnerit?

Institucioni i trajnerit zhvlerësohet shumë. Më kapët në pikën e dobët… Ndoshta, në botë kanë gjetur një lloj zgjidhjeje me rëndësinë e kontratës, të cilat bëhet dy apo trevjeçare, duke krijuar një bazë. Ama, këtu te ne, presidentët kur e dëgjojnë që trajneri me emër në Shqipëri i thotë asaj gjësë së rrumbullakët me ajër, top, kur i thonë ofsajdit sërish ofsajd, penalltisë sërish penallti mendojnë se ky nuk di më shumë se unë. Presidentët presin të shpikë trajneri, duke harruar se terminologjia e futbollit ajo është dhe diferencën e ka mentaliteti, inteligjenca, përgatitja dhe gjithçka tjetër që trajneri ka. Ka nuhatjen dhe mbi të gjitha mënyrën si e stërvit ekipin dhe mënyrën si e përçon idenë e tij tek ekipi. Ata drejtuesit nuk e kuptojnë që trajneri duhet të jetë specialist për çdo gjë, edhe psikolog edhe gjithçka në një ekip, pavarësisht se gjithçka është e padukshme. Presidentët shohin që trajneri heq një mbrojtës e fut një tjetër, pra thonë këtë e bëj vetë unë, ç’e dua trajnerin. Por nuk dinë se ai trajneri, bën bashkë me një filozofi të paktën 11 njerëz të ndryshëm që të tregojnë suksesin me diçka jofrymore si topi. Institucioni i trajnerit nuk është një gjë sa për ta thënë nëpër media e nëpër studio sikur marrim vesh nga futbolli, por duhet vlerësuar shumë, shumë më tepër.

Profesor, e keni një shembull për këtë që thoni?

Po dhe po jua shpjegoj me Edi Rejan. Çfarë bëri ai në Kombëtare? Jua them unë që nuk i përgatiti fizikisht lojtarët tanë, se për 4 ditë nuk ka kohë që ta bëjë. Ai përçoi anën psikologjike, i vendosi, u dha besimin. U dha dy, tri, apo katër idetë e veta që ishin mangët dhe ja ku e keni ndryshimin midis Rejas apo trajnerit që ishte përpara. Janë gjëra të holla që njerëzit nuk e kuptojnë… Mjekësinë e mbarojnë me shumicë, ama një bëhet kardiolog me emër, një bëhet kirurg me emër… e kështu me radhë.

Profesor, a jeni dakord me vazhdimësinë e Rejas, kur dini moshën e tij 74-vjeçare dhe vështirësinë që ka Shqipëria për t’u kualifikuar në Botëror?

Pavarësisht shanseve që Shqipëria ka për në Botëror, që e dimë pak a shumë sa janë, mendojeni ndryshe. Ne ngritëm një mur, apo edhe pak tulla, nuk ka rëndësi numri. Me Panuçin, ai mur me tulla nisi shembjen, ndërsa të gjithë prisnim të shtonte lartësinë. Shkoi gati-gati në fund. Ku po nis ta ngrejë sërish atë mur me tulla për të na çuar ku ne mendojmë se duhet të jemi. Puna e tij sot, pavarësisht rezultateve në Kupën e botës, na jep shpresa se do të kemi një ngrehinë të ngritur për vazhdimësinë, kompeticionin pasardhës dhe nuk do të jemi një ngrehinë e rrënuar.

sejdini

Emër i komercializuar apo tradicional për stadiumin e ri, cili është opinioni juaj?

Unë nuk di të shpjegoj nga ana komerciale si e qysh, që t’i futem thellë në analizë. Unë personalisht jam me idenë që të kishte emrin e një figure të shquar futbolli. Besoj se edhe njerëzit do të ishin shumë herë më të ndjeshëm përpara emrit të një figure të shquar për stadiumin, sesa përpara emrit komercial.

Ama ka kosto të madhe mirëmbajtjeje, të cilën as shteti dhe askush nuk e merr përsipër, prandaj del në skenë ideja e komercialitetit…

Atëherë unë jam me këtë ide. Kur e ke ndarë mendjen për të bërë një xhami, gjeji vendin minares mër xhaxh (qesh…). Pa minare, nuk quhet më as xhami. Çfarë është kjo, jo ka kosto, jo kështu apo ashtu. Kur u nis të ndërtohej, është bërë hesap kjo gjë. Dihej që do të kishte të tilla shpenzime…

Profesor, nuk mund të mos ju pyes për Dinamon. Çfarë mendoni kur e shihni në situatën ku gjendet sot?

Ah… Dinamo është dobësia ime. Më erdhi shumë keq që unë u dekorova para disa ditësh “pa një Dinamo”. Në kuptimin që do të ishte kënaqësi e madhe që Dinamo të ishte në maja dhe unë të thosha që e mora atë afër majave. Ama me çfarë shoh, shumë të vështirë do ta ketë sepse nuk ka fushë, nuk ka terrene dhe ia morën të gjitha duke e hedhur në rrugë. E tani i thonë çohu ti! Po mirë more zotërinj, a këndon bretkosa në të thatë? Ma thotë dot njeri? Dinamo është në ajër, në rrugë, pa asnjë ambient dhe i thonë bëj futboll. Vërtet fatkeqësi.

Ka disa lëvizje së fundmi me të huaj…

I kam dëgjuar dhe kam besim se nëse e marrin seriozisht, siç duhet bërë puna, them se për dy apo tri vjet të jeni të sigurt që Dinamo ngrihet. Do i përvishemi të gjithë për t’ia dhënë një dorë. Puna është se ku do i marrë asetet, atë të shkretë kasolle ku të jetojë, ku do të stërvitet. E gjithë kjo më duket disi e largët dhe për të mos thënë e parealizueshme.

Partizanin kampion në fuqi e rivalizon Bylis që vjen nga Kategoria e Parë. Çfarë mendoni për këtë?

Shembuj të kësaj natyre ka. Unë do ta komplimentoja shumë Bylisin, sepse e kam ndjekur dhe e shoh edhe lojën që bën. Është një ekip pragmatist dhe bën shumë mirë. Është një ekip në dukje i padukshëm, por prish atëherë kur duhet te kundërshtari. Nuk filozofon shumë dhe ndërton pikërisht atëherë kur duhet. Ky është një postulat shumë i fuqishëm për futbollin. Më duket se Ballshi e zbaton në mënyrë rigoroze. Ka brenda edhe urinë, edhe pragmatizmin edhe një president të cilin e njoh personalisht dhe e di që është shumë i vëmendshëm me ekipin. Mos e harroni Leiçesterin. Edhe ai, ndoshta rrugëtimin si Bylis e pati. Dikush mund edhe të thotë se nuk është vendi për paralelizma të kësaj natyre, por përderisa e kemi edhe fjalën e urtë popullore që nga ferra e vogël del lepuri i madh, atëherë do ta pranojmë se është kështu.

Një vit më parë, Partizani doli kampion pa polemika. Po këtë vit ka pasur shumë të tilla me trajnerin në epiqendër. Çfarë mendimi keni për Lerdën?

Sipas meje, trajnerëve italianë që vijnë këtu u duket sikur vijnë në një atmosferë të paditur fare dhe ata do ta zhvillojnë. Ndoshta ky është vetëm perceptimi im mbi to… Duke qenë kështu, vijnë me ndjenjën e superioritetit. Këtë, edhe për faktin se ne shqiptarët e kemi edhe ndjenjën e inferioritetit, që u lëmë atyre shkas. Kjo bën që të dalin edhe këto kontradikta. Fakti që e nisi me polemika dhe mbi të gjitha që nuk po e stabilizon ekipin dhe të themi se kështu luan Lerda, me këtë filozofi, me këtë tip loje X… Partizanin nuk e dimë si do të luajë në fushë dhe unë mendoj se Lerda duhet të krijojë prototipin e tij të lojës. Sipas meje, sa ishte Gega sikur po bëhej një Partizan me emër, në kuptimin e lojës. Unë besoj se Lerda nuk do ta ketë të gjatë. Besoj…

Tirana përgatitet për 100-vjetorin e themelimit. E shihni ekipin të duhurin për t’ia dhuruar klubit titullin në këtë jubile?

Unë mendoj se defekti i Tiranës, sipas logjikës sime, është se e ka kompozuar ekipin keq që në fillim. Nga gushti.

Në ç’kuptim?

Tipat e lojtarëve. Mund të ketë marrë lojtarë me emër, por janë kontradiktorë.

Kujt u referoheni?

Nuk u referohem emrave sepse nuk dua të futem në hollësira, sepse është punë e tyre. Sipas meje, ky kompozim i gabuar i ekipit mund të jetë defekti i këtij edicioni për Tiranën.

Disa vite më parë u gjet një artificë me gabim në rregullore nga Jareci që Tirana-Vllaznia të përsëritej dhe të luhej dy herë. Qoftë edhe për të fituar më shumë të ardhura. Sot (dje), derbi i Shqipërisë u caktua me dyer të mbyllura dhe as FSHF, e as klubi nuk bëjnë përpjekjet që t’i kthejnë stadiumet plot. Çfarë po bëjmë me tifozët?

Forca e tifozit dihet, por ne nuk heqim dorë nga kinezërirat. Këto janë kinezëri. Duke qenë kështu, do t’i kemi bashkudhëtare. Më duket e pakuptimtë fare që një ndeshje e tillë të luhet pa tifozë. Tirana ka bërë disa ndeshje pa tifozë dhe është e papranueshme si nga ana ekonomike, por edhe nga ana sociale. Futbolli bëhet për tifozët e jo për ato pemët që janë mbjellë për të rrethuar stadiumin.

Po vetë tifozët po bëjnë dëme të herëpashershme…

Konkretisht nuk kemi si ta themi. Aq me tepër, që në këtë kohë duket sikur tifozët e Tiranës kanë gjetur një lloj emëruesi të përbashkët me ekipin dhe nuk kanë më kontradikta. Ndaj, unë besoj se sot (dje), më shumë se kurrë i duheshin tifozët Tiranës. Më habit jo që ata drejtuesit nuk kanë forcë te federata, por që nuk sensibilizojnë ambientin për të thënë se jemi bashkë. Mosinteresimi nuk më pëlqen. Është shumë fatkeqësi. Të luhet Tirana me Vllazninë pa tifozë, nuk shkon. Tek e fundit, Tirana luajti ndaj Shënkollit dhe e shleu. A ishte garë zyrtare ajo? Nëse nuk quhet, atëherë do të thotë se ti e ke futur për numër atë takim dhe unë kam të drejtë të them se pse i robton kot ata lojtarë, përderisa nuk i llogarit në numër.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"