EKSKLUZIVE/ “Me Skënderbeun është detyrim fitimi i ndeshjes”, mbrojtësi i Tiranës: Rrëmbejmë të dy trofetë ( E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2024 | 20:23

EKSKLUZIVE/ “Me Skënderbeun është detyrim fitimi i ndeshjes”, mbrojtësi i Tiranës: Rrëmbejmë të dy trofetë ( E PLOTË)

Tirana do të luajë në shtëpi përballë Skënderbeut ditën e diel në ndeshjen e javës së 21-të të Kategorisë Superiore. Në prag të kësaj sfide, mbrojtësi i bardhebluve, Bruno Lulaj ka folur për “Panorama Sport”.Lulaj

Në fjalët e tij pas kualifikimit në Kupë, Lulaj pranoi se skuadra i ka të gjitha mundësitë që të fitojë dy trofetë ose të paktën t’i luajë deri në fund. Mbrojtësi që ka shënuar edhe në kampionat dhe që prej dy sezonesh është pjesë e bardhebluve, pranon se në Durrës skuadra gaboi, por ai gabim iku. Tani është radha e Skënderbeut dhe Tirana kërkon që ta fitojë këtë sfidë, shumë të rëndësishme për “Final-4.

Shënuat golin e parë të takimit me Korabin, duke i hapur rrugën kualifikimit…

Ndjesia është shumë e bukur kur shënon gol në një ndeshje futbolli. Ama më e rëndësishme është që ekipi të fitonte dhe skuadra të merrte kualifikimin. Një kualifikim që e donim shumë. E vlerësuam ndeshjen në maksimum. Kupa iku, u kualifikuam në turin tjetër. Tani e kemi mendjen te ndeshja e kampionatit me Skënderbeun.

Ju folët për Skënderbeun, që e keni mendjen te kjo sfidë. Si e parashikon këtë ndeshje?

Skëndërbeu është një kundërshtar i vështirë. Po e studiojmë me profesorin kundërshtarin. Do ta bëjmë edhe gjatë këtyre ditëve që na kanë mbetur. E kemi vlerësuar maksimalisht. I vetmi objektiv që kemi është fitorja dhe tri pikët.

Shënoni jo pak për një mbrojtës, pasi keni tundur rrjetën edhe në kampionat?

Kur shënon është kënaqësi. Më pëlqen që të ndihmoj ekipin me gola sa herë që të kem mundësi. Falë zotit arrij ta bëj shpesh dhe do të mundohem ta bëj sa herë që do të kem një shans. Shpresoj që të vazhdoj me këto ritme edhe në ndeshjet e ardhshme.

Duhet të pranojnë se para Korabit, Tirana humbi dy pikë në Durrës, sepse nga 0- 2 ndeshja shkoi në 2-2. Çfarë ndodhi?

Teuta është një sfidë që nuk duhet të përsëritet. Ne si skuadër duhet të mësojmë nga gabimet tona. Këtë barazim ia dhuruam ne Teutës. Ishte një dyminutësh që duhet harruar. Duhet të vazhdojmë përpara. Këto gjëra ndodhin në futboll.

Tirana synon “Final-4”, por Laçi është 5 pikë pas. Ndihet e rrezikuar Tirana?

Për ekipin e Tiranës, objektivi nuk është “Final-4”, por titulli kampion. Në futboll siç dihet asnjë gjë nuk është e garantuar, por do të përpiqemi maksimalisht që ne të dalim triumfues dhe të arrijmë objektivat e ekipit.

Jeni në çerefinalen e Kupës, por edhe synoni titullin kampion. A mund të jetë Tirana në finish në dy kompeticionet?

Tirana gjithmonë objektivat madhorë. Përkthyer më thjesht, ekipi i synon të dy trofetë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"