EKSKLUZIVE/ “Me Kaçen, të kompletuar”, shkodrani Marku: Vllaznia apo Partizani më i fortë? Do të shikohet vetëm në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2021 | 23:50

EKSKLUZIVE/ “Me Kaçen, të kompletuar”, shkodrani Marku: Vllaznia apo Partizani më i fortë? Do të shikohet vetëm në…

Herald Marku, mes fushori i Partizanit, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ku ka folur për përshtatjen e tij në klub, objektivat e “demave”, objektivat personalë, si dhe për ardhjen e Ergys Kaçes, të cilin do ta ketë partner në mesfushë.

Marku

Sa u takon ekipeve rivale si Tirana, Vllaznia e të tjerë, Marku u shpreh se do të jetë një garë e fortë deri në fund.

Herald, aventura juaj te Partizani nisi shumë shpejt, me ndeshjet e Ligës së Konferencës. Si ju ka shkuar përshtatja në ekip?

Ishte kohë e shkurtër me ekipin deri në ndeshjet e Europës, por mendoj se shkoi mirë. Tani kam më shumë kohë dhe çdo gjë është më mirë, ndihem i ambientuar me stafin dhe shokët.

Në ndeshjet që keni luajtur deri më tani, keni provuar disa pozicione. Ku do e shohim Markun të luajë rregullisht përgjatë sezonit?

Kam luajtur në pozicione të ndryshme për t’i shërbyer ekipit për shkak të mungesave, por tani jemi plotësuar dhe besoj se do të jem në rolin tim natyral, si mesfushor qendre.

Shumë lojtarë janë larguar e shumë lojtarë të tjerë janë afruar te Partizani. Si ju duket grupi aktual që keni?

Ekipi pothuajse është riformatuar, megjithatë mendoj se jemi grup i fortë dhe me shumë kualitete brenda.

Starti i Kategorisë Superiore është shumë pranë, si është atmosfera në ekip në prag të ndeshjes kundër Teutës?

Atmosfera është pozitive, kemi bërë një fazë të mirë përgatitore që do të na shërbejë të jemi në formën tonë më të mirë.

Jeni rikuperuar plotësisht nga dëmtimi që pësuat mes ndeshjeve kundër Bazelit?

Jam rikuperuar plotësisht, ishte diçka joserioze, por u desh që të qëndroja disa ditë pushim.

Sa larg mund të shkojë Partizani këtë sezon, cilët janë objektivat e klubit?

Në një klub si Partizani, dihet që pritshmëritë janë më të lartat. Unë dua ta nisim mbarë të premten, pastaj të shohim sepse do të jetë një rrugë e gjatë.

Po ju personalisht, keni objektiva personale dhe cilët janë ata?

Paraqitjet pozitive të ekipit mund të shfaqin më mirë edhe cilësitë e mia. Unë dua të asistoj dhe të shënoj më shumë këtë sezon.

Cilat ekipe i shihni si rivalët e këtij sezoni?

Do të jetë luftë e fortë për vendet e para. Mendoj se Vllaznia, Teuta, Laçi, Tirana, Kukësi dhe Dinamo do të bëjnë një garë të vështirë, e gjithashtu edhe të bukur.

A është ky Partizani aktual më i fortë se Vllaznia?

Duhet pritur fundi i kampionatit për të dalë në përfundim se cila skuadra është më e fortë.

Mendoni se Tirana do të jetë një pretendente sivjet, ndryshe nga edicioni i shkuar?

Po, mendoj se dhe Tirana do jetë pretendente. Ka bërë një merkato të mirë dhe do të jenë konkurrentë të fortë.

Çfarë ka Partizani më shumë se ekipet e tjera të Superiores?

Forca e grupit te ne dhe sakrifica për njeri-tjetrin, mendoj se do të luajë një rol të rëndësishëm.

Së fundmi u afrua Ergys Kaçe, çfarë do të thotë për ju të luani në krah të një lojtari të tillë?

Sigurisht është kënaqësi të luash përkrah lojtarëve që kanë eksperienca të mëdha, si me klubet, ashtu dhe Kombëtaren. Është vlerë e shtuar për Partizanin.

Keni një mesazh për tifozët e Partizanit në prag të sfidës hapëse të kampionatit?

Tifozët e Partizanit kanë qenë mbështetës të ekipit në çdo moment. E di që dhe të premten, ata do të jenë aty për ne. Shpresoj t’i mirëpresim me fitore.

VERONIK ISTREFAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"