Ekskluzive / Leksione nga një kapiten, Bylykbashi: Demi të mos dëgjojë Moxhin, por Starovën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2017 | 12:11

Ekskluzive / Leksione nga një kapiten, Bylykbashi: Demi të mos dëgjojë Moxhin, por Starovën

Rikthimi i “Bobit” në krye të pankinës së Partizanit shihet si një mundësi e mirë për ringritjen e klubit të kuq nga ish-kapiteni i kësaj skuadre, Dorian Bylykbashi. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, beniamini i tifozërisë së kuqe i bën një “skaner” gjendjes aktuale të Partizanit, teksa sheh si shkak kryesor për situatën e dobët në kampionat lëvizjet e shumta në merkaton e verës, por edhe pak fatin e keq edhe dëmtimet.

bylykbashi

Sipas tij, Europa duhet për të shpëtuar sezonin, por drejtuesit duhet të “zënë mend” të mos bëjnë më shumë ndërhyrje pas çdo sezoni nëse duan të fitojnë titullin kampion, por të ndjekin shembullin e Skënderbeut. Për sa i përket ringritjes brenda këtij sezoni, ish-fantazisti i kuq e sheh te disa ndërhyrje në janar, teksa jep edhe mendimin e tij se këshillat e cilit duhet të dëgjojë më shumë presidenti Demi, ato të Moxhit apo Starovës.

Dori, Partizani e ka nisur dobët kampionatin, pse kjo nisje sipas jush?

Mendoj se largimi i shumë futbollistëve dhe ardhja e shumë të tjerëve ka bërë punën e vet sepse kur bëhen kaq shumë lëvizje është e vështirë të kesh rezultate. Prurjet e reja nuk e bënë dot diferencën dhe nuk e justifikuan veten, të paktën deri më tani.

Italianët po dështojnë, mos duhet hequr dorë nga ata?

Nuk e di në fakt pse po dështojnë, ndoshta ngaqë vijnë në një kampionat që nuk e njohin, apo ndoshta mungon serioziteti i tyre. Nuk jam kundër ardhjes së tyre, por ata të huaj që duhet të vijnë, të jenë me cilësi dhe të kenë dhënë prova në vendin e tyre.

Trajnerin apo lojtarët shihni si fajtorë?

Nuk mund të bëj dallime, pasi kur skuadra nuk shkon, të gjithë kanë fajin e tyre, si trajneri ashtu edhe lojtarët. Megjithatë, në të tilla situata barra më e madhe i bie gjithnjë trajnerit, në rastin konkret Iulianos.

Gjithsesi, tani drejtimin e skuadrës e ka marrë Starova. Si e shihni këtë lëvizje në pankinë?

Starova është ai që e njeh më mirë se kushdo këtë skuadër dhe në të tilla kushte ai mund ta nxjerrë nga situata skuadrën. Por, në janar duhet të ndërhyjë patjetër në merkato, pasi me grupin aktual e ka shumë të vështirë.

Çfarë mund të ndryshojë “Bobi” te Partizani?

Aktualisht nuk ka shumë në dorë për të ndryshuar, pasi i duhet të përshtatet me kontingjentin që ka në skuadër. I vetëm e ka të vështirë, por nëse kthehen edhe Sukaj me Çanin për të luajtur, situata mund të ndryshojë për mirë. Gjithsesi, deri në janar Partizani duhet të mundohet të grumbullojë sa më shumë pikë dhe më pas të bëjë ndërhyrje të vogla në merkato me lojtarë që bëjnë vërtet diferencën, jo vetëm sa për të ndryshuar futbollistët aktualë me të tjerë.

Ku mund të ndërhyjë në merkato?

Tani Partizani ka pasur edhe pak fatin e keq me vete, sepse Çani me Sukajn që janë dy nga sulmuesit më të mirë në Shqipëri, kanë luajtur shumë pak. Për ndërhyrjet besoj se e dinë më mirë te Partizani se ku duhet.

Deri ku mund të arrijnë të kuqtë këtë sezon?

Maksimumin për momentin shoh Europën, pasi ajo nuk është shumë larg. Besoj se shanset i kanë plotësisht për ta arritur këtë objektiv, në mënyrë që të shpëtojnë edhe sezonin.

Çfarë duhet të bëjë Partizani që të arrijë deri te titulli? Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë sezon, por edhe në të ardhmen…

Mendoj se kur përfundon kampionati duhet ruajtur grupi, nuk mund të bësh shumë ndryshime. Për më tepër, edhe ato 3-4 afrime që mund të bëhen, duhet të jenë shumë cilësore. Vetëm kështu mund të arrihet te titulli. Edhe po të shohim në Europë, skuadrat që bëjnë ndryshime drastike në merkato, nuk kanë rezultate.

Këshillat e kujt duhet të marrë më shumë parasysh presidenti Demi, të Moxhit apo Starovës?

Normalisht t’i dëgjojë të dy dhe në fund të vendosë vetë (qesh). Moxhin ta dëgjojë për ndonjë lojtar që sjell nga jashtë vendit sepse askush nuk vë në diskutim aftësitë e tij, pavarësisht atyre që kanë ndodhur. Ndërsa për punët e brendshme dhe për kampionatin shqiptar të dëgjojë Starovën, e njeh më mirë se kushdo futbollin në Shqipëri.

Kush të ka zhgënjyer më shumë nga lojtarët deri më tani?

(mendohet). E kam të vështirë të them një emër të përveçëm për të qenë i sinqertë. Unë i mëshoj më shumë faktit që afrimet nuk e bënë punën e tyre, por edhe fati i keq me dëmtimet. Me Sukajn dhe Çanin në formë mund të ishte një tjetër Partizan.

Luftën për titull si e shihni këtë sezon?

Skënderbeu duket që është një hap përpara të tjerëve. Shoh edhe Flamurtarin një ekip pretendent, i cili me Duron ka bërë një kampionat të mirë dhe do jetë rival deri në fund. E kam thënë edhe në një intervistë më herët në gazetën tuaj që Flamurtari me Duron do të ecë dhe deri tani kështu po ndodh. Më pas, sigurisht është edhe Kukësi, por edhe Partizani mund të shpresojë disi, pasi janë edhe tri faza për t’u luajtur. Duket shumë e vështirë, por asnjëherë si dihet, sidomos në futboll.

Kush të ka surprizuar deri më tani në kampionat?

Surpriza e bukur është Kamza sigurisht, pasi vjen nga një kategori më poshtë dhe është në vendet e larta në renditje. Flamurtarin nuk e fus fare te surprizat sepse e thashë që e prisja të ishte në këto nivele, edhe pse të tjerë ndoshta mund ta quajnë surprizë.

Si ju është dukur paraqitja e Skënderbeut në Europë?

Ecuria dhe paraqitjet e mira të Skënderbeut në Europë janë një plus për gjithë futbollin shqiptar në tërësi. Mendoj se të gjithë duhet të jemi tifozë me këtë skuadër, pasi është përfaqësuesja e futbollit shqiptar në Europë. Ata kanë shumë vite në këto nivele dhe kanë gjetur strategjinë e duhur për të qenë të suksesshëm, të cilën duhet ta ndjekin të gjitha skuadrat shqiptare.

Në fund, diçka për skuadrën e Elbasanit, tanimë në Kategorinë e Dytë…

Nuk kam ndjekur ndonjë ndeshje në fakt, por jam informuar kryesisht nëpërmjet gazetës suaj për gjendjen. Megjithatë, shpresoj dhe besoj që do të ringrihet në Kategorinë e Parë këtë sezon me dyshen e trajnerëve Merxha-Dalipi dhe, më pas, të shkojë aty ku duhet, në Superiore. Është periudhë tranzicioni që i kanë kaluar shumë skuadra, por do i vijë dita që do shkojë aty ku duhet. Kam besim.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"