EKSKLUZIVE/ Largime me konsensus dhe pesë blerje të reja, zbulohet plani i Kukësit për janarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2022 | 10:06

EKSKLUZIVE/ Largime me konsensus dhe pesë blerje të reja, zbulohet plani i Kukësit për janarin

Te Kukësi janë të gjithë në pritje të zhvillimeve që do të prodhojë merkatoja e janarit. Fillimisht në klub po mundohen që brenda këtij viti të mbyllin marrëveshjen me lojtarët që nuk shihen më si pjesë e projektit për vazhdimësinë te verilindorët.

Kukesi

Nëse nuk do të zyrtarizohen largimet brenda këtij viti ose së paku javën e parë të janarit, atëherë gjasat janë që të mos ketë më të larguar.

Pas gjashtë largimeve zyrtare (Jorgo Meksi, Tiago Ferreira, Ante Zivkoviç, Agnaldo Moraesh, Lejton Ndukvu dhe Tarik Isiç), gjasat janë që të ketë edhe të tjera, pasi pikërisht ky grup i lojtarëve shihen si shkaktarët kryesorë të situatës ku ndodhet skuadra. Kukësi, si asnjëherë më parë, ndodhet në vendin e parafundit dhe rrezikon mbijetesën në elitë.

MARRËVESHJET Burime në klub tregojnë për gazetën se me futbollistët është gjetur gjuha e përbashkët, në mënyrë që palët të mos i kenë detyrime njëra-tjetrës, për shkak se klubi u druhet gjyqeve në të ardhmen.

Madje, lojtarëve u janë dhënë disa paga dhe në njëfarë mënyre janë joshur që të mos kenë shumë pretendime për ndërprerjen e parakohshme të kontratës.

Për hir të së vërtetës, Kukësi është një nga klubet më të kujdesshme sa u përket kontratave me lojtarët, pasi janë të rralla rastet kur lojtarët i kanë hedhur në gjyq dhe e kanë fituar atë. Me të vetmin futbollist që kanë pasur probleme me largimin ka qenë ai i kroatit Ante Zivkoviç, i cili ka pretendimet e tij për “divorcin” nga ekipi pak ditë më parë dhe ka paralajmëruar padi në FIFA.

AFRIMET Nëse për të gjetur gjuhën për të larguarit ka qenë një punë jo e lehtë, më e vështira vjen me afrimet. Boshllëqet që kanë lënë në skuadër duhen plotësuar patjetër. Më 14 janar rinis edhe kampionati dhe te Kukësi janë në luftë me kohën për të pasur gati ekipin që do të përballojë pjesën e mbetur të sezonit.

Të njëjtat burime pohojnë për gazetën, se futbollistët që do të afrohen janë piketuar dhe madje kanë arritur marrëveshje paraprake, por zyrtarizimet nuk mund të vijnë pa u hapur zyrtarisht merkatoja e janarit.

Duke qenë se ekipi ka çaluar gjatë këtyre javëve në të gjitha repartet, edhe afrimet do të ndodhin në të gjitha rolet në fushë. Pritet të ketë të paktën pesë afrime, ndërsa në mbrojtje duket se është problematika më e madhe, pasi mungojnë alternativat, sidomos në qendër të saj, ku largimi i portugezit që ishte titullar, Tiago Ferreira, ka lënë një gropë jo të vogël.

Megjithatë, afrimet që do të bëhen janë të varura nga largimet. Nga ana tjetër, nëse në pankinë do të konfirmohet Rrahman Hallaçi, një dorë do t’u jepet edhe lojtarëve të akademisë, duke i pasur si alternativa të vlefshme në skuadër në rast nevoje.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"