EKSKLUZIVE/ “Kolela përgjegjës”, ish-kapiteni Beqiri: Derbi, tregues force i Partizanit. Ja si evitohej goli i dytë i Xhixhës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 20:09

EKSKLUZIVE/ “Kolela përgjegjës”, ish-kapiteni Beqiri: Derbi, tregues force i Partizanit. Ja si evitohej goli i dytë i Xhixhës (E PLOTË)

Këto javë të fundit janë shumë vendimtare për Parti zanin, pasi do të përballet me disa nga rivalët më të fortë, çka do të jetë njëfarë përcaktuesi i forcës së ekipit të Kolelës. 

ardit-beqiri

Në fakt, në provën e parë dështuan, sepse Tirana i mposhti, por nesër ndaj Vllaznisë kanë shansin të rikuperojnë një pjesë të mirë të dëmeve.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka folur një nga ishliderët dhe lojtarët më të mirë të pas viteve ‘90-të te Partizani, Ardit Beqiri. Ish-kapiteni, qartësisht i mërzitur për humbjen në derbi, evidenton disa gabime të skuadrës dhe thekson se trajneri Kolela duhet të marrë përgjegjësinë. Beqiri shprehet se derbi është një matës i forcës së Partizanit dhe shton se sfida e nesërme me Vllazninë nuk ka favoritë.

Ishte ky derbi një reklamë e mirë për futbollin shqiptar?

Po, patjetër që ishte. Në mënyrë absolute. Cilësia pastaj është çështje këndvështrimi, si e sheh njëri dhe si e sheh tjetri. Për mua ishte një derbi me ritëm dhe kjo është pozitive.

Ku gaboi Partizani në këtë ndeshje?

Të them se nuk e kishte vlerësuar sa duhet kundërshtarin, është e vështirë, sepse është derbi dhe rivali vlerësohet pa diskutim. Pastaj golat po t’i shohësh janë gabime personale. Reparti i mbrojtjes gjithashtu nuk ishte në ditë të mirë. Në derbi nuk mund të kapesh me një top të gjatë si në golin e parë dhe më pas akoma më keq në golin e dytë me një kundërsulm të tillë, kur je me një lojtar më shumë.

Sa të dhimbshme e bën fakti që humbja erdhi ndaj një kundërshtar me një forcë më pak në fushë?

Si me 10 lojtarë, si me 11, humbje është ajo, mërzitesh. Derbi i tillë është, humbet edhe me 10 vetë, sepse ekipet shtrëngohen, japin maksimumin dhe në një moment diferencat e lojtarëve zhduken. Për mua i dhimbshëm shumë është goli i dytë i pësuar, sepse ajo ishte një ndeshje që edhe mund të barazohej. Mënyra se si është pësuar goli i dytë të bën të mërzitesh.

Si mund ta kishte evituar Partizani golin e dytë të Xhixhës?

Aty ka gabime pa fund. Nis që nga rrethimi i zonës, që nuk është i saktë. Ka kapur cepat e zonës dhe nuk ka kapur qendrën për topin e dytë që kthehet. Me topin që kthehet nga lojtarët e Tiranës, bie në kontakt menjëherë Xhixha. Pastaj gabimi tjetër është i Matondos, që ka vetëm një detyrë, të ruajë topin e dytë. Diçka tjetër është mungesa e komunikimit që ai nuk u bërtet shokëve për të zënë qendrën e 16- shes. Pastaj futet me të parën dhe nuk tërhiqet për t’u lënë kohë mesfushorëve të marrin kohë, por “digjet” dhe ia lë rrugën bosh Xhixhës. Aty unë shoh mungesë komunikimi. Këto që themi ne janë gabime të vogla, që kurrsesi nuk mund të bëhen në një derbi. Janë elementare.

Unë e kuptoj trajnerin kur thotë se jemi sjellë si amatorë, pasi sidomos te goli i dytë ka një sjellje të tillë. Por problemi është se kur ekipi sillet si amator dhe trajneri e pranon vetë këtë, ka përgjegjësi edhe ai, të themi të drejtën. Trajneri kurrsesi nuk i shpëton përgjegjësisë kur ekipi sillet keq, sepse po flasim për elemente shumë të thjeshta. Rretho zonën, lër një mbrojtës të lirë për dublim, që duhet të ishte Matondo, dhe ky i fundit të mos hyjë vetë në dyluftim. Janë gjëra shumë të thjeshta dhe të pësosh gol në këtë mënyrë është e dhimbshme.

Sepse Partizani e kishte marrë fushën, po sulmonte nga krahët, po luante mirë dhe pritej barazimi. Më pas, të vrasësh ndeshjen me një gol të tillë, nuk di ç’të them. Pas kësaj nuk hyjnë në punë as një lojtar më pak, as dy. Aty ka mbaruar gjithçka. Ai gol mund të pësohet në minutën e 90- të, kur nuk ke më shpresa. Kemi parë gola me portë bosh, kur ka dalë portieri në këndore. Por një gol i tillë nuk pësohet në minutën e 68-të, kur ishte gjithçka në lojë.

Shohim që ashtu si vjet, Partizani vazhdon të vuajë ndaj skuadrave që mbyllen në mbrojtje. Nga vjen ky ngërç?

Nëse këtë problem e kanë pasur dhe e kanë edhe këtë vit, kjo tregon gjëra të tjera, të cilave unë nuk dua t’u futem me aq detaje. Mbase kaq ekip kemi. Ka nivele kjo punë. Ky ekip normalisht që stërvitet nga Kolela dhe ai i bën të gjitha skemat, por Partizanin aktual, nëse e analizojmë hollësisht sipas çdo lojtari, është një skuadër e ndërtuar për të qenë i ekuilibruar, për të mos e rrezikuar ndeshjen dhe për të parë më pas se çfarë mund të vjedhë në sulm. Partizani ishte ekip i ndërtuar jo nga Kolela, por nga Mehmeti, që ishte para tij dhe ishte i krijuar me strategjinë më shumë për ta vjedhur ndeshjen, sesa për ta vënë përfund kundërshtarin. Nuk është Partizani ekipi që t’u imponohet me dhunë rivalëve, por të përqendrohet dhe të luftojë çdo sekondë për çdo top dhe centimetër në fushë.

Kështu që skuadra mund të krijojë shumë volum, por kjo nuk mjafton. Kemi cilësi, sepse kemi një si Skuka, shumë cilësor, por që vuan në hapësira të ngushta dhe nuk ka arritur pikën kulmore të tij. Nuk është e lehtë të shënosh ndeshje për ndeshje, sepse kur bie në ekip të mirë dhe përballesh me kundërshtarë të disiplinuar, nuk e ka të lehtë Partizani dhe asnjë ekip tjetër në Shqipëri, sepse ne e dimë se këtu nuk ka diferenca të mëdha

A është derbi matës i forcës së Partizanit? E njëjta pyetje iu bë edhe trajnerit Kolela pas ndeshjes dhe ai i dha të dyja opsionet, duke ia lënë kohës në dorë.

Trajneri nuk ka dashur ta pranojë me fjalën e tij, por deri diku ka thënë se edhe mund të jetë matës, por përgjigjen përfundimtare do ta japë pasi të ketë parë edhe disa gjëra, sepse është shpejt. Ndoshta vërtet është herët për të folur, por derbi gjithmonë ka qenë matës i forcës. Megjithatë, nuk është e thënë dhe mbetet për t’u parë. Duke u nisur nga rezultatet dhe ecuria e mirë e fillimit, të gjithë krijuam besim te Partizani. Besimi nuk duhet humbur, por tani nis testi i vërtetë për ekipin, por edhe për trajnerin sidomos. Nuk duhet hedhur poshtë gjithë ecuria e mirë deri tani në derbi, por që është tregues nuk e mohojmë dot. Trajneri nuk dëshiron të ulë moralin e ekipit dhe pret edhe disa përgjigje nga ekipi. Atë e thotë loja vetë, nuk ka nevojë ta thotë Kolela, derbi tregon shumë.

Si ish-lojtar i Partizanit, si përjetohet një humbje e tillë në derbi?

Kur e fiton derbin, të paktën në dy ndeshje më pas të mban me moral të lartë. Kur e humb, kërkon me të vërtetë shumë forcë që të reagosh, në kuptimin që ta lësh mbrapa. Të shoqëron. Për ters, tani Partizani luan në Shkodër. Kjo ndeshje është si thikë me dy presa. Keq, sepse morali është i dobët. Sado që të punojë trajneri, humbja e derbit është therëse shumë. Mirë, sepse nëse trajneri dëshiron të japë prova dhe të marrë përgjigje nga ekipi, kjo është ndeshje që i merr. Nëse Partizani del mirë në Shkodër me lojë dhe me rezultat, sikur futet edhe një herë në shina. Mund ta harrojë derbin, sepse në fund të fundit tri pikë janë, nuk humbën kampionatin.

Të premten luajnë dy nga ish-ekipet tuaja, cili mes Partizanit dhe Vllaznisë ju duket më favorit?

Për mua është më shumë se e barabartë, nuk e di se kush mund ta bëjë diferencën në këtë sfidë. Partizani po shkon në një fushë, që nuk po kalon ndonjë moment shumë të mirë, Vllaznia do të ketë edhe presionin e tifozëve të vetë. Këto janë elemente që mund ta ndihmojnë Partizanin, por këtë ndeshje e shoh të barabartë fare. Janë aty-aty.

Pra, nuk mendoni se Vllaznia mund të përfitojë nga gjendja e krijuar pas derbit te Partizani?

Jo, Vllaznia ka hallet e veta. Nuk e beson dot suksesin te gjendja e Partizanit. Duhet të zgjidhë problemet e veta njëherë.

A mendoni se Partizani duhet të rikthejë Hoxhën pas dy gabimeve të Rexhepit në këto javë të para?

Këtë nuk e vlerësoj dot unë, por ajo që kam dëgjuar gjatë karrierës sime nga trajnerët, është se portieri është personi i vetëm në skuadër, që ka nevojë për garancinë se do të luajë titullar. Në momentin që ti e fut në atë presionin, që po gabove, e humb vendin e titullarit, e bën të përsërisë gabimet. Pra, portieri duhet të ketë garancinë se do të luajë. Edhe nëse vendoset për të kthyer Albanin, duhet bërë në një mënyrë të moderuar, që të mos ndikohet Rexhepi, sepse roli i portierit është shumë i ndjeshëm. Një gabim i tij, të humb ndeshjen.

Nuk është problemi se gaboi portieri, sepse nëse sheh ndeshjen, nuk është se shkëlqeu i gjithë ekipi në fazën mbrojtëse dhe i ngeli barra e gjitha Rexhepit. Ai mund të ketë gabuar në daljen e tij, por edhe qasja e gjithë ekipit nuk ishte e mirë. Nuk duhet kaluar te masat ekstreme, sidomos pas një humbjeje të tillë. Nuk jam për këto revolucione në këtë pikë. Nuk mendoj se është porta problemi i madh i Partizanit. Ekipi duhet të rregullojë shumë gjëra të tjera, sepse në atë ndeshje pamë më shumë pika të dobëta, se të forta. Derbi tregon shumë se ku ti je i fortë dhe ku ke nevojë të përmirësohesh.

Duke parë ecurinë deri më tani, do të kemi më në fund një valle dyshe Tirana-Partizani për titullin?

E sigurt se të dyja aty do të jenë, edhe Partizani do të jetë deri në fund në valle me Tiranën për titullin. Aq më tepër duke parë ecurinë e ekipeve të tjera, sepse nuk kemi parë asnjë tjetër që po shkëlqen dhe po na habit. Këto të dyja janë. Unë uroj shumë që ta ruajnë ecurinë, sidomos Partizani, se Tirana duket se e ka një lloj garancie. Nuk dua të krijohen diferenca, përveç rastit që këtë gjë e bën Partizani.

Nuk përjashtohen as të tjerat, por shoh që pretendentet kanë probleme. Edhe Tirana ka treguar dobësi para këtij derbi dhe nuk mund të themi se është absolute. Duket që ka disa gjëra në vijë, por nuk themi dot se i mbaruan hallet Tiranës. Nuk shoh asnjë ekip në Shqipëri që të krijojë diferencë të madhe. Ishte dikur Skënderbeu, por tani jo më.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"