EKSKLUZIVE/ “I shmangim gabimet që bëmë ndaj Kilit”, Asllani: Reagojmë kundër Suedisë, objektiv Europiani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 9:09

EKSKLUZIVE/ “I shmangim gabimet që bëmë ndaj Kilit”, Asllani: Reagojmë kundër Suedisë, objektiv Europiani

Kristjan Asllani është i sinqertë, kur thotë se Kili ishte një skuadër shumë fizike.

Kristjan Asllani gjatë një seance stërvitore me Kombëtaren

Kristjan Asllani gjatë një seance stërvitore me Kombëtaren

Mesfushori, i cili luajti gjithë ndeshjen me amerikano-latinët, shprehet në një prononcim për “Panorama Sport” se Kombëtarja jonë nuk i meritonte ato 3 gola të pësuar. Ai thekson se ka edhe miqësore që marrin për keq, ndërsa nuk e di se çfarë do të ndryshojë me Suedinë. Për takimin që Shqipëria do të luajë sot në Stokholm, 22-vjeçari kuqezi mendon se detajet janë ato që bëjnë diferencën. Sipas tij, ekipi do të mundohet të rregullojë ndaj suedezëve atë që bëri gabim në miqësoren e pak ditëve më parë në Itali.

Një ndeshje e vështirë me Kilin, nuk arritëm dot të shfaqeshim në fushë. Çfarë ndodhi?

Kili është një skuadër e fortë, një skuadër shumë fizike. Nuk kemi çfarë të bëjmë, është një miqësore dhe më vjen keq vetëm për tre golat, sepse për mendimin tim, nuk i meritonim të pësonim aq. Mendoj se nuk ka problem, do të punojmë në vazhdim dhe objektivi jonë është të reagojmë.

Ishte edhe një test përpara Europianit, a mos ndikoi edhe presioni që ekipi mund të kishte?

Mendoj se nuk ka presion fare. Kemi objektiv Europianin, por ka miqësore, ndeshje që shkojnë keq, siç ishte kjo me Kilin, që na shkoi shumë keq. Tashmë kemi një ndeshje tjetër dhe them se do të bëjmë mirë.

Duke qenë se luajmë me Suedinë, çfarë do të ndryshojmë në këtë miqësore të dytë?

Nuk e di çfarë do të ndryshojmë. Por sigurisht që do të ndryshojnë detajet, sepse për mua ato e bëjnë futbollin. Kemi pësuar tri gola që nuk ishin të vështirë për t’u markuar, por duhet ta lëmë pas dhe të punojmë shumë. Të shohim në videoanalizë se ku kemi gabuar dhe t’i korrigjojmë gabimet.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"