EKSKLUZIVE/ I përjashtuan nga kampionati, kryebashkiaku i Pukës akuzon Dukën: Mllef i Armandos, e ka personale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2023 | 14:41

EKSKLUZIVE/ I përjashtuan nga kampionati, kryebashkiaku i Pukës akuzon Dukën: Mllef i Armandos, e ka personale

Kryebashkiaku i Pukës dhe njëko hësisht presidenti i Tërbunit, Gjon Gjonaj, ka reaguar dje ashpër pas vendimit të Komisioni të Disiplinës për përjashtimin e klubit nga Kategoria e Parë dhe zbritjen në Kategorinë e Dytë. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Gjonaj ka akuzuar direkt për këtë vendim presidentin e FSHF-së, Armand Duka, i cili dje u rizgjodh si anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA. Gjonaj e konsideroi Dukën si promotorin e këtij ndëshkimi ekstrem. Kryebashkiaku i Pukës theksoi se numri një i institucionit të futbollit shqiptar përdori çdo mekanizëm që të godiste Tërbunin.

gjon-gjonaj

REAGIMI – “Jam shumë i indinjuar, pasi kjo është hera e tretë që drejtuesit e lartë të FSHF-së dënojnë maksimalisht klubin e Tërbunit. Të gjithë e kanë parë ndeshjen e fundit përmes pamjeve filmike se çfarë i është bërë ekipit tonë nga ana e gjyqtarëve kamikazë. Këta të fundit bënë të pamundurën të ndalnin Tërbunin që të shkonte te fitorja. Ajo që ndodhi me portierin tonë në atë takim ishte masakruese, duke rrezikuar jetën në fushë, por që nuk pati asnjë reagim nga gjyqtari. Edhe në fund shënuam një gol të rregullt dhe as vetë miqtë nga Cërriku nuk reaguan për të, me përjashtim të gjyqtarit anësor, pasi vetëm ai e di pse u anulua.

Me bindje ju them se ndaj gjyqtarit anësor nuk ka pasur asnjë goditje apo dhunë siç pretendohet, përveç atyre shtyrjeve të momentit pas ngritjes së flamurit. Po kështu, edhe ndaj gjyqtarëve të tjerë nuk ka pasur asnjë goditje. Kjo është një keqdashje ndaj Tërbunit dhe personale e presidentit të FSHF-së, Duka, i cili përdori çdo mekanizëm për të bërë të mundur zbritjen e klubit tonë një kategori më poshtë. E përsëris, gjithçka është personale e Dukës ndaj popullit sportdashës pukjan. Këtë ai e bëri për të çuar deri në fund inatet e tij personale”, deklaroi Gjonaj.

APELIMI – Sa u përket hapave të mëtejmë që do të ndërmarrë klubi pukjan për të vërtetuar që ky dënim ishte tërësisht i qëllimshëm, Gjonaj theksoi se Tërbuni do të ndjekë rrugët ligjore deri në gjykatat më të larta sportive.

“Ne nuk do ta lëmë me kaq këtë vendim dhe mllef që drejtuesi i FSHF-së dha për ekipin tonë. Do të apelojmë vendimin deri në organizmat më të lartë ndërkombëtarë, pasi faktet janë me ne dhe të pamohueshme. Ndërsa së bashku me lojtarët dhe tifozët, pasi ishte edhe një kërkesë e të dyja palëve, do të shkojmë të protestojmë fuqishëm para zyrave të FSHFsë. Ne do të kërkojmë deri në fund të drejtën tonë”, përfundoi kryebashkiaku i Pukës.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"