EKSKLUZIVE/ Goli i parë kuqezi në 2024, rrëfehet Myrto Uzuni: Në Europian kemi shanset tona, ja çfarë bisedova me Moratën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2024 | 22:50

EKSKLUZIVE/ Goli i parë kuqezi në 2024, rrëfehet Myrto Uzuni: Në Europian kemi shanset tona, ja çfarë bisedova me Moratën

Myrto Uzuni e nisi vitin mbarë duke shënuar që në ndeshjen e parë të 2024-s. Një gol i rëndësishëm në fitoren 2-0, që Granada mori ndaj Kadizit në shtëpi dhe tepër jetike për qëndrimin në La Liga. Gjashtë gola deri tani, por Uzuni kërkon të kapë shifrën 15 në fund të sezonit. “Trajneri i ri më aktivizoi si anësor, por i thashë që si “pykë” ndihem më mirë. Këtë ndeshje më futi në majë dhe shënova gol”, thotë Uzuni në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

myrto uzuni

Ndër të tjera, sulmuesi i Kombëtares zbulon edhe bisedën me mikun e tij Alvaro Morata pas tripletës që spanjolli shënoi. Po ashtu, ai e ka edhe një koment për fenomenin Girona që po habit Spanjën. Sa i përket Europianit, 28-vjeçari thekson se po bën stërvitje shtesë që të jetë sa më në formë në qershor. Ndërkohë, ai thotë se Shqipëria i ka shanset e veta, edhe pse dihet niveli i kundërshtarëve.

Uzuni, kur e nis vitin me gol, thonë që të shkon gjithë sezoni mbarë, e besoni këtë?
Po, e besoj. Ishte një ndeshje e vështirë sepse luanim ndaj një rivali direkt dhe na duhej fitorja me patjetër, ndryshe ishim të rrëzuar nga kategoria. Kjo fitore na shërbeu shumë për besimin e ekipit dhe për mua personalisht që ta nis vitin me gol edhe ndihem shumë i lumtur për këtë gjë.

Fitore që mungonte prej 26 gushtit, e keni vuajtur këtë pjesë?
Normal. Kur nuk fiton ekipi humbet besimin. Stërvitjet bëhen të mërzitshme. Prandaj pati një vlerë shumë të rëndësishme kjo fitore e parë për këtë vit.

Kur kemi folur bashkë sezonin e kaluar, u shprehët se do të donit të shënonit 20 gola dhe ia arritët në kampionat, po për këtë sezon, a ke një numër golash si objektiv deri në fund të kampionatit?
E kam prekur edhe në fillim të kampionatit kur u ngjitëm në La Liga, por po e rikujtoj që dua të shënoj 15 gola deri në fund.

Ka të bëjë pozicioni që po luan, pasi disa media në Spanjë që janë më pranë jush thonë se mund të shënonit më shumë nëse do të ishit gjithmonë në majën e sulmit?
Është e vërtetë, sepse tani kemi një trajner të ri. Me trajnerin e vjetër unë shënova 5 gola, si sulmues pykë. Ndërkohë nga ardhja e trajnerit të ri, po më aktivizonte si anësor, një pozicion që nuk është i imi pasi në dy vite kam shënuar 30 gola si sulmues pykë dhe jo si anësor. Para ndeshjes së fundit, i thashë që nuk luaj dot si anësor dhe më aktivizoi në qendër si sulmues, ku edhe shënova.

Dy vite si “spanjoll”. Si e komenton këtë rrugëtim të karrierës tënde?
Kanë kaluar shumë shpejt. Ka qenë një ëndërr që të vija në La Liga, edhe pse u rrëzuam sezonin e kaluar, por ky është futbolli. Ndonjëherë gjërat nuk shkojnë si duam ne. Megjithatë, jam i lumtur pasi kam dy vite në Spanjë dhe sezoni i kaluar ka qenë më i miri në karrierën time. Po ashtu edhe këtë vit mirë, pasi të luash në këtë nivel dhe të shënosh gola, për mua është diçka shumë e madhe.

Zyrtarisht jemi në vitin e Europianit, si po e pret Uzuni?
Po, e vërtetë. Është një ëndërr e bërë realitet. Të përfaqësosh Shqipërinë, kombin, familjen, vendin ku je lindur, ku ke vuajtur dhe ke gëzuar. Është një ëndërr që mezi po e pres ta jetoj në Gjermani. Jam duke u stërvitur shumë këtë kohë, po punoj edhe individualisht që të jem më në formë dhe të shënoj në Europian me Kombëtaren.

Keni luajtur në Kroaci dhe luani në Spanjë, janë dy vende që bashkë me Italinë plotësojnë ndeshjet që kemi në grup…
Për mua personalisht do të jenë dy ndeshje shumë të bukura. Janë dy vende ku kam luajtur dhe luaj tani, kam shokë, si nga kombëtarja e Spanjës, por edhe nga ekipi kroat. Të gjithë e dimë që të tre kundërshtarët kanë një nivel të lartë, por për mua do të jenë ndeshje shumë të bukura për t’u luajtur që nuk të vijnë gjithmonë.

Si janë shanset tona?
Në fushë do të futemi të barabartë me ta dhe do të japim maksimumin. Ne kemi një grup lojtarësh shumë të mirë. Pastaj se çfarë do të sjellë fusha e lojës do të shohim. Sot nuk ka ndonjë diferencë të madhe dhe mendoj se edhe ne kemi shanset tona. Futbolli është i tillë, pasi të jep hapësirë që t’i mund të fitosh kundër çdo lloj kundërshtari.

Me kë keni miqësi nga kombëtarja e Spanjës, me kë keni komunikuar?
Unë kam miqësi me Alvaro Moratën. Pas ndeshjes të së mërkurës po flisja me të, pasi ai shënoi tre gola kundër Gironës. E urova dhe më uroi pasi e kishte ndjekur ndeshjen time.

Çfarë tha për Shqipëri-Spanjë?
Më ka thënë që do të jetë një ndeshje shumë e bukur për të dyja ekipet.

Çfarë është ky fenomeni Girona që po habit Spanjën?
Ju kam shënuar gol në ndeshjen në shtëpi. Janë duke bërë një sezon të shkëlqyer pasi kanë lojtarë me shumë kualitet, po ashtu edhe trajneri ka ndikuar pasi ka bërë një grup të fortë. Bënë një ndeshje të madhe kundër Atletiko Madridit ku shënuan 4 gola, kjo pasi Atletikoja mbahet për mbrojtjen e fortë. Janë duke bërë mirë vërtet.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"